Për herë të parë në Shqipëri, u shfaq në Auditorin e Drejtorisë së Përgjithme të Arkivave (DPA) realizimi i “Kosovafilm”, “Era dhe lisi”.
Në vazhdën e një sezoni të ngjeshur artistik që mori shkas nga Viti Mbarëkombëtar i 80-vjetorit të Çlirimit, “Era dhe lisi” përmbylli nismën e DPA-së që pati për qëllim njohjen e të rinjve me të kaluarën historike, nëpërmjet kinematografisë shqiptare. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, zëvendësministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Znj. Silda Çepe Anagnosti, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri. Z. Skënder Durmishi, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Znj. Marinela Ndria, të ftuar, nxënës dhe dashamirës të artit filmik.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido u shpreh se përmes jetësimit të kësaj nisme, DPA-ja nuk është veçse një arkiv, por një alternativë kulturore për publikun kryeqytetas. “Është kënaqësi që këtë vit, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit kemi çelur dyert për dy hapësira të reja kulturore, që janë zgjatim i aktiviteteve tona normale. Tradicionalisht, arkivat janë menduar si institucione të mbylluara dhe hijerënda. Në vitet e fundit, kemi filluar të shkojmë më pranë publikut me ndihmën e digjitalizimit dhe të ridimensionimit të infrastrukturës së arkivave. Ky përvjetor historik na e lehtësoi punën sepse nuk u mëdyshëm për çfarë do të transmetonim, duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë të rinjve dhe të rejave. E inauguruam Kinemanë dhe Teatrin Veror me filmat e ‘Kinostudios Shqipëria e Re’ që trajtonin tematikën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Jemi përpjekur të bëjmë dallimin mes filmit, punës artistike dhe ngarkesës ideologjike. Më vjen mirë që këtë film të 12-të ta ndajmë me miq, kolegë dhe nxënës. Përmes këtij realizimi të ‘Kosovafilm’, tejkalojmë një ndasi që na është imponuar nga kufijtë shtetërorë. Po ashtu, i japim peshën e merituar Luftës Nacionalçlirimtare, që shmangu pushtimin nazist në Shqipëri dhe në Kosovë, duke bërë ndarjen mes atdhetarëve partizanë dhe regjimeve që u instaluan më pas. Mesazhi që duhet të përçojmë për rininë e kombit tonë është se kur atdheu kanoset nga forcat e huaja, duhet t’i përgjigjemi kushtrimit për liri. Ndërsa, një mesazh i dytë është se jo gjithmonë çlirimi sjell begati, ndaj për ta siguruar atë, duhet të punojmë në vazhdimësi”, tha Bido.
Në fjalën e saj të rastit, zëvendësministrja Anagnosti e përshëndeti ekranizimin e filmave të kinematografisë vendase, si një mundësi për dëshmimin e sakrificave të brezave të mëparshëm. “Ta nderojmë këtë film si pasuri të paçmuar të shqiptarisë. Ky film është një thesar i artit tonë kombëtar dhe një dëshmi e fuqishme e identitetit tonë shqiptar. Filmi ‘Era dhe lisi’ na kujton sakrificat e brezave të kaluar dhe sfidat që shqiptarët kanë përballuar me dinjitet. Vepra të tilla na vënë para përgjegjësisë për të rritur rolin tonë në promovimin e tyre”, tha zëvendësministrja Anagnosti.
“Urime për këtë bashkëpunim të mrekullueshëm. Shpresoj vërtet që ky aktivitet të pasohet nga të tjerë të ngjashëm, për të promovuar realizimet e ‘Kosovafilm'”, u shpreh Znj. Ndria. Ndërsa, ambasadori Durmishi vlerësoi trajtimin në mënyrë kreative të tematikave historike. “Kjo nismë kulturore është shumë kreative. Përzgjedhja e këtij filmi më duket me vend, pasi përqendrohet në një periudhë mjaft delikate, por edhe të rëndësishme të shqiptarëve të Kosovës. Ky film mbart vlera politike, historike dhe sociologjike shumë domethënëse për Kosovën e kohës”.
“Era dhe lisi” realizuar nga regjisori Besim Sahatçiu në vitin 1979 është produksioni i fundit kinematografik që transmetohet pranë DPA-së, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur në kuadrin e jubileut të Çlirimit. Në këtë përvjetor me rëndësi historike, evokimi i kujtesës kolektive ka qenë në fokus të veprimtarisë së DPA-së, e cila është angazhuar në këtë drejtim edhe nëpërmjet shfaqjes së ekpozitave dhe publikimit të botimeve të dedikura.