Komisioni i Venecias ka miratuar sot, më 6 dhjetor, opinionin që kishte kërkuar Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me në lidhje me mandatin e deputetes së PS, Olta Xhaçka.
Në seancën e sotme plenare të Komisionit Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit i njohur si Komisioni i Venecias u shqyrtua kërkesa e Kryetares së Kuvendit Spiropali nëse “Gjykata Kushtetuese mund të imponojë një deputet se si duhet të votojë”.
Opinioni i kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit, me shkresën nr. 3457, datë 13.09.2024, është miratuar nga Komisioni i Venecias, në mbledhjen e mbajtur sot më datë 6 Dhjetor, në Venecia, Itali.
Ky Opinion do të botohet nga Komisioni i Venecias, sipas rregullave dhe procedurave të aplikueshme prej tij.
Deri në datën e publikimit, Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e kërkueses së këtij opinioni, do të vijojë të respektojë ruajtjen e konfidencialitetit të dokumentit në fjalë, siç ka bërë deri më sot, në zbatim të detyrimeve që përcaktohen në rregullat e punës së Komisionit të Venecias.
Zyra e Shtypit e Kuvendit