Kur ninezat e dritës shkasin në xham

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 ( Mbi lirikat e poetes Valdete Antonit )      

Nga Pirro Loli*   

 

Kuaj të zinj/ Turfullojnë/ Mbi blerimin e lëndinës/  një nga një  Kullosin/Në vesën e syve/ Të pelës së bardhë/ Dhe mbyten… (Mendimet)

Të futesh në shtëpinë poetike të Valdete Antonit, të duket se je futur në një galeri me mure të ndritshëm ku punohen sende të argjenda, sende që të përshëndritin shpirtin e njeriu sikur merr një dritë dhe kungim të çuditshëm. Brishtësi vargjesh, drit-hije të fildishta sikur janë larë me lëngun e hënës, sende të përkorët të mbeten nëpër duar, punuar në të hollë, nuk pranojnë të thuash diçka për ta, veç të habisin e të trokasin në shpirt. Si një rubin që duhet ta kthesh nga të gjitha anët për t’i parë hiret. Por habia për  këtë poezi nuk shprehet me fjalë, e shumta me psherëtima. Pa kuptuar, të duhet të marrësh frymë thellë dhe instiktivisht ndjen se je ndeshur me diçka të rrallë që të mbush shpirtin me diçka që s’e thua dot, që s’e thua dot ndryshe, sepse e prish.

U enda ca kohë me këto sende të çmueshme nëpër duar dhe si lexues i poezisë,po përpiqem të përcjell disa nga “psherëtimat” e mia. (Se poezia e Valit nuk shpjegohet , ajo vetëm ndjehet). Dëshiroj të jenë fjalët e kësaj ndjeshmërie një amballazh transparent, kështu, lidhur në një fjongo për ta varur vitrinave, ku shitet e shkelet gjaku i shprishur i poetëve.

Nëse dikush do të përpilonte një antologji poetike, unë do t’i lutesha që poezitë e Valdetes t’i shkruante me gërma të mëdha e, pa ndroje do t’u thosha poeteve më të mira të Evropës, pa shikoni si këndon një poete shqiptare… edhe Cvetajevës, edhe Ahmatovës dhe Shimborskës…Në fakt unë nuk dua ta ndaj poezinë  në autorë meshkuj e femra, por Valdeti si femër, më ndihmon ta shikoj gruan me të gjithë bukurinë universale që nuk ka vetëm përparësinë e lindjes si toka Demetër, por veçanërisht bukurinë shpirtërore, ose krijimin si atribut hyjnish dhe njëkohësisht poezi e dramë.

* * *

  1. Antoni, në ndryshim me të tjerët, i lidh stinët e vitit me fjalën, domethënë me krijimtarinë. Ajo është poete në të gjitha stinët. Sepse ka një specifikë. Në verën e largët ishte fëmijë dhe foli si grua (Fëmijët janë krijues të sinqertë, ata i ndërtojnë yjet dhe i montojnë ku të duanë; në vjeshtën e afërt ishte grua dhe foli si fëmijë.. Kush tha se nuk i kapi të tërë yjet dhe ndërtoi me ta çatitë e këngëve ?.. Tani në dimër harron se është plakur, por mosha e pjekurisë poetike, fërfëllon në përskuqjen e qiellit. Si lindje. A thua se bën jetë dielli në të gjitha stinët? Po , them unë, e besoj plotësisht se shpirti i poetit është prej drite. Dhe kështu jeta e poetes bëhet kuptim në të gjitha stinët, për të mbetur përjetësisht në stinën e mosplakjes ose të poezisë që nuk njeh moshë. Valdetja fluturon kujtimesh qiellore, por di të zbresë me dinjitet dhe në tokë. Dhe këtu(në tokë) i thotë të tëra troç dhe moshën, dhe urtësinë dhe muzgun, natyrisht me shenjat e veta poetike. Ajo është e pranishme në të gjitha  baret me emrin “dashnia”. Shiheni! Ninëzat e dritës janë var te xhami..; ndoshta si lotë kujtese të një kohe dashurish..” me duart e natës ajo i lëviz ninëzat e dritës duke i ndarë një nga një si tespie. Kjo poete qendismëtare, punon me fije të hollë filigramesh, gati gati trasparente si mbi një stof drit-hijesh që duhet ta rrotullosh pranë syrit që t’i dallosh kufijtë . Ndjenja që provokon poezia e saj shpesh të përcëllon trishtueshëm. Të trishton bukuria. Të trishtojnë mungesat. Poeti ka dhe ditë shkurti ku shpesh dielli i poezisë ndërron rrugë në qiellin e shtëpisë së saj, ku tundet djepi pa foshnjë brenda- pa poezinë- e , natyrisht pas kësaj poezia pi brymë dhe qan Atlantidën. (vini re elipsin) Qan atë ishullin e lashtë që befasisht është fundosur. Vetëm një folje dhe një emër të bëjnë të shikosh kaq larg. Kjo poezi nuk është mungestare. Këtu nuk jemi në shkurt, përkundrazi. I vërteti është verdikti i kundërt. –poezia-

Stina e pjekurisë poetike di dhe të heshtë. Veçanërisht kur koha është e pistë. Por heshtja te Vali është krejt e veçantë. Ajo ka dy pemë, njërën për të bërë hije, tjetrën për të mbjellë lule. Dhe këto soj lulesh çelin vetëm në vetmi. Sapo t’u gjesh kodin poezive të Valdetes, gjithçkaja para të bëhen prej xhami e fildishi, prej ajri e prej drite. Mbi të gjitha ato qëndisin një humanizëm gjithpërfshirës.

Rrezja e syrit mësoi të flasë/fjala krijoi rrezet në trup/

burri mori pasqyrën/ua drejtoi rrezeve//dhe u tha/

Gruaja… (Bukuria)

Te kjo poete, më duket se është themelore një dukuri – konçiziteti – Kemi të bëjmë me një poezi si një unazë e hollë që nuk mban dot më tepër se një sumbull të rubintë., që përmban brendësive çudira të befasishme…Lumi i saj poetik kalon nëpër filtra të hollë e aty më tej shiko si merr formë pluhuri i florinjtë që ndoshta ka udhëtuar shumë kilometra për t’u bërë kështu pluhur e për të formuar atë esencën, lëndoren, gurin e xhevahirit apo formën e një koraleje enigmatike. Virgjëria për poeten është lakuriqësia e gruas në shtratin e një hoteli që pyet ç’ është në çarçaf një njollë e kuqe, gjak i dashurisë së virgjër, apo kryevepra e atij burri. Vetëm kaq. Me fjalë tepër të kursyera pikatoresh, V. Andoni, shpesh krijon imazhe poetike surrealiste, kaq të befta, sa të bën t’u rikthehesh për të depërtuar në realitete absurde- që atje tej ,në fund kanë emrin  bukuri … Rrezja e syrit, thotë ajo, mësoi të flasë.. Fjala u fokusua rrezesh në një trup… e, kur lexuesi vret mendjen disi i hutuar për kuptime, befasisht futet burri, burri që mori pasqyrat, ua drejtoi rrezeve dhe tha: ja gruaja. Bukuria nuk lindme gruan ,thotë Vali, por krijohet nga ai, nga ai që di t’i shohë pasqyrat, burri. Është fjala për një bukuri që ka nevojë të shpallet, të vëzhgohet. Si poezia. (Dhe poezia nuk ka kuptim t’i kërkosh kuptimin , por ta ndjesh.) Si vlerat e poezisë sonë që dhe kështu të pakta derdhen në heshtje si gjaku i Krishtit.

Ka një ngjeshje maksimale imazhesh konçize, një gdhendje të drurit deri te bebja e syrit, sikur pikturon thelbin brenda thelbit. Të mos harrojmë se kjo dukuri përbën thelbin e artit modern, atë estetikën minimaliste që mbështetet mbi përqendrimin maksimal të mjeteve shprehëse. Duket se radari vëzhgues i poetes, rrethplotë, regjistron të gjithë avionët e huaj në qiell, (poetët), turli markash modernë, por Valdeti, pasi i sheh, i  shuan fantazmat e huaja për të gjetur atë çka është moderne vetëm brenda vetvetes, pelerinën e vet, pikërisht formën, sepse format e huaja, të eksperimentuara dhe njëqind vjet më parë, shpesh janë zogj të vdekur që tashmë e kanë harruar fluturimin. (Problem i rëndësishëm ky, për poezinë e sotme shqipe, që është përmbushur deri në mani për të eksperimentuar e imituar me çdo kusht për të qenë moderne.. )

Lexo edhe :  Video që tronditi rrjetin: A është kjo Parashqevi Simaku?

Poeti është një organizëm “që digjet” dhe kjo poetja jonë, sikur ka Shën Agustinin te veshi që i pëshpërit. Dhe kjo i tregon shenjtit dëshirën e saj prej kanguri… , është mbushur barku i saj me këngë e ngjarje që i pëlqen t’i shpallë, tinguj drite që duam t’i shohim të dy, fëmijët, por kur vij, këlyshët janë rritur e shumëfishuar, “ aq sa kanë ngrënë kangurin”, jo vetëm vetmohim gjenetik ky, për poetin tingëllon si rilindje e çdo gjëje të bukur e të dashur e të shtrenjtë- poezitë si fëmijët – që kur arrijnë te vlerat e vërteta, kanë të drejtë ta hanë të zotin. Si drita që çliron qiriri para se të vdesë.

  1. Andoni lëvron shpirtin e vet të begatë. Vargu i saj ka një tension të brendshëm që tregon se gjetjen a figurën bazë, e ka mbajtur gjatë brenda vetes, deri te ai momenti ( që nuk ka emër) i shpërthimit, pa sforco siç del psherëtima bashkë me frymëmarrjen. E poezisë i duhen këto psherëtima, i duhen për të thyer xhamet e zinj të dritares. Me një thjeshtësi të çuditshme, ajo hidhet në sferat abstrakte të shprehjes, kështu ndijimet fillestare, qëmtuar nga përvojat intime, vinë e bëhen pronë ndjesore për lexuesin. Duke i kthyer sendet në shenja, ajo u jep një status të ri- përcjellës të mesazheve- duke mos e këputur fillin me realitetin. Kështu kjo poezi përfton një zotësi të mistershme, duke qenë njëkohësisht edhe e prekshme e reale., edhe kjo tipar i poezisë moderne që është quajtur, “prania e një mosthënije largpamëse. Është një poezi kjo, që shpall dhe fsheh vlerën e tejme dhe diçka të fton të shkosh në atë pikë, ku ndeshet njeriu, njeriu që ëndërron dhe para tij shfaqet metafora e lëndës, a e tokës mbi të cilën mbijnë aq shumë  lule e gjemba.  Kjo lente poetike më tepët shërben , jo për zmadhim a zvogëlim vlerash, por pikësëpari për seleksionim, për të gjetur saktësisht sendin nga i cili pret të lindin vizionet e dëshirueshme. V.Antoni ndërthur mjeshtërisht mendimin dhe ndjenjën, përvojën personale me universalen e për këtë kërkon dhe një lexues të kujdesshëm…Fryma që niset nga dy gjokse, në dy krahët.. e takohen me frikë si dy gjuhë në dy kafazë..dhe fjalën e harruar e shkrijnë..” Cilën fjalë? Dashuri, urrejtje, frikë, ndrojë, grindje. S’ka rëndësi. Ajo beson në të bukurën, beson në lirinë e shpirtit, beson në erosin plot virtyte, por pothuajse gjithmonë të plagosur. Poetja i mban në dorën e vet shigjetat e erosit, por ajo nuk qëllon për të plagosur e gjetur partnerin, jo, ajo rrotullohet me të në zemrën e vet, gjithmonë e gatshme të ballafaqohet me sfidat e thikta të botës mashkullore  sepse, shpesh ajo është bota e fajit dhe kështu, dhe fjala si vaj, nuk i zbut dot ingranazhet e çiftit kurriz më kurriz…dhe prandaj vjen drama, poezia e së pamundurës.

Gjithë këtë flori/Që dielli e derdh mbi pellg/Ma pikëlon në fytyrë

Një trumcak duke u larë… (Pasurim)

Poezia për dashurinë është e vështirë dhe e pamundur të mos përsëritet nga një poet në tjetrin. Por ja, vjen V. A me ca vjersha si “Vesë tingulli” e çdo lexuesi të vëmendshëm i mbetet në mendje si një poezi krejt e veçantë. Ajo ka hyrë në kraharorin e Zotit si në një djep fyejsh dhe luan atje, e dremitur…Mijëra kambanëza i kumbojnë por, atje,në shpirt ajo gjen  ca të vërteta të çuditshme të kësaj bote. Me një sensualitet enigmatik, ajo gjen veten në atë harkim burrëror- si një vesë tingulli e nga habia ngrin /dhe bëhet femër. (duke folur në vetën e parë ajo flet për të gjitha femrat që mbështesin kryet në gjoksin e burrit) dhe bëhen femra, d.m.th. , jo vetëm nëna e motra e gruaja,por dhe  seks, pushtet, lule, mjellmë, dramë ,dhimbje….d.m.th., poezi.  Vë re se poezitë e VA për dashurinë, i shmangin aromat e lulet e patosin romantik. Më i bukur ndër to është trishtimi, drama, jo  entuziazmi. Zaten, poezia e madhe kurrë nuk ka qenë optimiste dhe e gëzuar. Në pamjen e parë duket sikur këtë poezinë dramatike të dashurisë dhe lexuesi do ta mbajë larg vetes, por nuk mundet. Mungesat këtu janë si mbajtje fryme, por, ama, dy dekika më pas, të pëlqen ta përjetosh gjëndjen përsëri. Dashuria shpesh është e verbër dhe sytë t’i lidh me fasha drite e të rrotullon, të rrotullon për ta parë botën ndryshe, mbushur shkëndëjime të një bote të qelibartë. E kur ajo zgjat qafën “të të pijë dhe pikën e pikës së madhe … ja pret fytin gëzimit tim të vogël..” e unë pres të m’i zgjidhin sytë, pres të mësoj si mbaron iluzioni, bota e qelibartë, rruzujt e sadeftë e befas shfaqet trupi si trung , që prek si qukapik vetveten e mbetur- një tingull quk-quk. Të qukapikut në trung… Ka dhe ca kuaj të zinj  dashuria e VA, që turfullojnë mendimeve si në blerinat e lëndinës. Të çuditshëm këta. Që kullosin gjithandej. Dhe vjen e papritura, metafora si ortek i bardhë: këta kuaj kullosin në vesën e syve të pelës së bardhë..dhe mbyten. Poet , mos fol më se e prish ! Shpesh Valdetja krijon imazhe kaq abstrakte e lëndore sa lexuesit i duket se sheh një film surrealist  me metrazh të shkurtër që të tërheq për ta riparë shfaqjen … Ja tek është në kishë. Shën Maria shikon vetëm atë, (poeten femër). Me gjoksin e puthur nga besimtarët..Mbylli sytë t’i mbulonte ato fshirje të prekjes…por…( vini re !), Aty rrinte ai duke e parë të zhveshur…

Si poete fiksioni ajo di ku i ngre shkallët e abstraksionit. Shpesh fantazia e çon në vitet e rinisë e sheh nëpër to ca drita të çuditshme e tepër origjinalë… “U plakën çarçafët e pajës në arkën e nonababës sime..u holluan e sikur flenë me molën… por vjen merimanga e kuqe, ashtu çalë çalë e pret një fustan”, atë të tejmin, ndoshta, të vajzërisë që nëpër ëndrra netësh, qepet e shqepet e përfundon në një fustan nusërie…S’ka rëndësi në je gjyshe , nënë a grua çfarëdo, këtu na mbetet po-e-tia, nusja e përhershme si dita e vellos së bardhë. Është një pyll i dëshiruar për pranvera jeta e saj, për bisqe të rinj, fole zogu buzëçelur e ëndërrime.

Po ç’ ka ky pyll, kjo jetë degëprerë ç’ ka ?!… Dhe pret pritja krahë aromëbardhë, e pranishme pritja si zog që i fshik gjoksin, dhe ikën, ikën… Pyll me degë të ylberta. Që priten. Që thahen. Por gjithsesi jo shpresa. Është shpresa që kon zogjtë, zogjtë e dashuruar sqep më sqep, syth më syth e gojë më gojë. E shpresa s’vjen e zogjtë ikin- e pritja pemishte e pamollë…

Por poetja ëndërrit, ëndërrit derisa pritja vishet e gjethon si pemishte krah e gjoks me lule zogu.. Ah, kjo lule zogu ! Krah e qiell në kërkim. Poetja si zog. Përtej pritjes, deri atje poeti kërkon të gjejë engjëllin e vet, deri atje sa njësohet me të. E pret , e s’ka e pret e s’ka.. e bëhet vetë engjëll, e kërkon krahë e shpirt e qiej të tjerë. Duke imituar kështu hyjninë. Ose të pamundurën…

 

Pirro Loli*( Mjeshtër i Madh)

 

 

 

 

Të fundit

Muzika e Krishtlindjeve mund të përmirësojë shëndetin dhe humorin tonë?

Edhe pse nuk ekziston një studim të veçantë që fokusohet vetëm tek muzika e Krishtlindjeve, kërkime të tjera kanë...

Zgjedhjet 2025/ Nancy VanHorn: Nuk angazhohemi me individë të përfshirë në korrupsion

Pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 11 maj të 2025. Në lidhje me këtë çështje, e...

Po sikur t’ju themi se i keni varur dritat e pemës gabim gjatë gjithë kësaj kohe?!

Dekorimi i pemës së Krishtlindjes është një nga detyrat kryesore për shumë njerëz gjatë periudhës festive, por për të tjerët është një zhgënjim masiv....

SHBA i mbyll derën Berishësë: S’merremi me njerëz të përfshirë në korrupsion

Në një kohë që Sali Berisha, prej fitores së Donald Trump, ka nisur e thotë se do t’i hiqet “non grata”, Ambasada amerikane, në...

Një në katër të punësuar në Evropë është emigrant, cili është sektori i preferuar

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) migrantët luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në tregun e punës në shtetet europiane. Për ekonominë dhe...

Lajme të tjera

Web TV