Dokumentet ligjore në lidhje me Beatles, të cilët ishin harruar në një dollap që nga vitet 1970, janë shitur për gati 11 mijë euro, njoftoi të enjten shtëpia britanike e ankandeve Dawsons.
Kryesisht kopjet e procesverbaleve të takimeve të një këshilltari të grupit legjendar dhe thirrjet gjyqësore, ato janë marrë nga një blerës anonim për shumën 9 mijë paundë (10 mijë e 900 euro).
Ndërsa dallimet krijuese, presionet e famës dhe gruas së John Lennon, Yoko Ono, janë fajësuar për shpërbërjen e “Fab Four”, dokumentet hedhin dritë mbi betejat e shumta ligjore që rrënuan jetën e grupit, duke përfshirë atë të nisur nga Paul McCartney mbi vendimin e anëtarëve të tjerë për të punësuar Allen Klein si menaxherin e tyre pas vdekjes së Brian Epstein.
Çështja e honorareve të muzikës dhe filmit si dhe dështimi i Klein për të prodhuar llogaritë vjetore për autoritetet tatimore ishin gjithashtu në qendër të çështjeve që e copëtuan grupin, siç dëshmojnë këto dokumente.
Grupi kishte njoftuar shpërbërjen e tij në vitin 1970, megjithëse procesi ligjor i ndarjes nuk u finalizua deri në vitin 1974./K.B