Ekzistojnë plot shtrembërime madje të pavërteta dhe gënjeshtra për arsyen se përse të Krishterët e festojnë Lindjen e Krishtit në 25 Dhjetor.
Shumica prej tyre vjen nga padija, por të Krishterët duhet të dinë me siguri se Kisha e Shenjtë është mbartëse besnike e së vërtetës dhe autentikes si dhe dëshmitare e drejtë e veprës së Perëndisë për gjatë gjithë historisë së njerëzimit.
Me siguri keni dëgjuar disa hamendësime se për shembull; ka disa mite pagane si Hurusi, Mithra, Dionisi etj, të cilët kanë pasur dymbëdhjetë apostuj apo kanë lindur prej virgjëreshe etj si këto. Të gjitha janë të gënjeshtërta, madje kjo kuptohet edhe duke i parë ato përciptaz.
Gjithashtu ekzistojnë mendime se të Krishterët i zhvendosën festat pagane me ato të krishtera për të përhapur besimin në shoqërinë e asaj kohe.
Por le të shikojmë disa prej tyre:
1. Saturnalia
Saturnalia ishte një festival i lashtë romak në nderim të perëndisë Saturn që festohej në datën 17 Dhjetor, në vitet që pasuan u zgjerua si kremtim dhe festimet zgjasnin deri më 23 Dhjetor. Saturnalia në fakt nuk ishte një festival i gëzueshëm, por ngjante më tepër me anarkinë, pavarësisht kësaj data nuk korrespondon.
2. Solcisti i Dimrit
Solcisti i dimrit ndodhte midis datave 21 – 22 Dhjetor, që në kohët e lashta i kushtohej mjaft rëndësi dhe shumë rite, festime, nuk kanë qëlluar asnjëherë në 25 Dhjetor që kur u krijua Kalendari Julian, pra viti 46 para Krishtit. Përsëri data nuk korrespondon me Solcistin e Dimrit, i cili ndodhte midis datave 21-22 Dhjetor dhe nuk kishte të bënte asgjë më datën 25 Dhjetor.
3. Sol Invictius
Gjithashtu për tu dhënë një përgjigje të gjithë atyre të cilët mësojnë dhe mendojnë se Krishtlindja u zëvendësua me festën pagane të “Sol Invictius” ose e quajtur ndryshe si Lindja e Diellit të Pamposhtur. Por le të shikojmë pak, në vitin 274 pas Krishtit, Perandori Aurelian prezantoi kultin “Sol Invictius” Dielli i Pamposhtur pikërisht në Romë, megjithatë nuk ka asnjë dëshmi historike për kremtimin e “Sol Invictius” për kremtimin në datën 25 Dhjetor deri përpara vitit 354 pas Krishtit, pra pas Sinodit të Nikeas. Edhe në vitin 354 kësaj date i referoheshin thjesht si “Invictius” pa përmendur ndonjë datëlindje. Vetëm disa vite më pas kjo datë do të cilësohej si “Lindja e Diellit të Pamposhtur” nga Perandori Julian Apostati, perandori që ishte kthyer nga Krishtërimi në Paganizëm, pra sipas dëshmive ky Perandor, Julian Apostati, mbivendosi festën 25 Dhjetor pra Lindjen e Krishtit, pikërisht me lindjen e Diellit të Pamposhtur, pikërisht për të rikthyer me dëshirën e tij të madhe, të rikthente sërish Perandorinë Romake nën Paganizëm.
– Një tjetër teori e gabuar që ngrihet është se “si ka mundësi që barinjtë ndodheshin në Dhjetor duke ruajtur bagëtitë e tyre?!” Meqënëse ishte kohë dimri, sigurisht që bagëtia qëndronte brenda në kasolle që barinjtë ndërtonin. Por duhet të kuptojmë se Betlehemi nuk është një vend që mund të gjëndet në Malësinë e Shqipërisë, në Veriun e Shqipërisë ose një vend që mund të gjendet në Juglindje të Shqipërisë, në zonat e Korçës apo të Kolonjës. Jemi në Mesdhe dhe pikërisht klima atje është mjaft e butë dhe sot dëshmitë tregojnë se ende barinjtë në këtë kohë, ata që vizitojnë Tokën e Shenjtë, i shohin që barinjtë ruajnë kopetë e tyre madje dhe në këtë stinë. Pra dhe kjo bie poshtë.
Por çfarë na thonë Etërit e Kishës në lidhje me këtë datë?
Keni dëgjuar për shembull, për Shën Hipolitin, Shën Theofilin? Keni dëgjuar për Shën Klementin? Le të shohim se çfarë ata shprehin dhe shkruajnë pikërisht për kremtimin e datës 25 Dhjetor, të Lindjes së Zotit tonë Jisu Krisht.
Shën Theofili ka jetuar në vitin 115 pas Krishtit, madje dhe më parë se të shkruhej Letra drejtuar Hebrenjve sipas disa studiuesve. Shën Theofili i Qesaresë, Klementi i Aleksandrisë dhe Hipoliti i Romës janë shenjtorë me të cilët lidhen tre traditat kryesore të Kishës tonë të hershme në lidhje me Lindjen e Krishtit, madje Shën Hipoliti dhe Shën Theofili e kanë përcaktuar qartazi dhe shprehur dhe shkruar se data e Lindjes së Zotit tonë Jisu Krisht, është pikërisht data 25 Dhjetor. “Duhet ta kremtojmë Lindjen e Zotit tonë në cilëndo ditë që bie data 25 Dhjetor.”
Theofili ” ”Magdeburgenses, Cent. 2. c. 6. Hospinian, De origine Festorum Christianorum. “.
“Perëndia ynë lindi në mish më 25 Dhjetor, në Betlehem, në vitin e 46-të të mbretërimit të Augustit, 5.500 vjet pas Adamit. Ai pësoi e u vra në vitin e Tij të 33-të, më 25 Mars, të Premten, në vitin e 18-të të mbretërimit të Tiber Çezarit, kur konsuj ishin Rufi dhe Uneli”. – Hipoliti, Komentar mbi Librin e Danielit kap 4.varg 23.3.
Sipas Klementit të Aleksandrisë, në veprën e tij Stomata I, Ante-Nicene Father ( Etërit e Pas-Nikeas), Vol. 2, fq 333. Kanë përcaktuar jo vetëm vitin e Lindjes së Zotit tonë Jisu Krisht por edhe ditën e saktë se kur ka lindur Zoti ynë: “Thonë se ndodhi në vitin e 28-të të Augustit, në ditën e 25-të të Pahonit.
Pra më tej thuhet se ka qenë dita e 24-të apo e 25-të e Parmuthit.”
Shën Klementi duke qenë nga Egjipti, përdorte kalendarin egjiptian dhe prandaj duket sikur përmend një datë tjetër. Por duke marrë parasysh ndryshimet mes kalendarit diellor dhe atij hënor, shtesat e viteve të brishta të cilat aplikohen ndryshe në kalendarin Egjiptian dhe ndryshe në atë Athinian si dhe konvertimet në kalendarët Romak dhe Hebraik, pa përfshirë dhe 12-të rajone të tjera që kishte dhe gjithsecili kalendar të veçantë, bëhet fjalë për të njejtën datë, data 25 Dhjetor. Skema e datimit të Shën Klementit nëse do merrej siç ai e shprehu në kalendarin Egjiptian, do të binte në kundërshtim me më shumë të dhëna të Ungjijve, por nëse interpretohet sipas datave të kalendarëve Hebraiko-Romak korrespondon data 25 Dhjetor.
A e kanë përmendur Shkrimet e Shenjta, ditën e Lindjes së Zotit tonë Jisu Krisht? A janë Etërit në përputhje me Shkrimet e Shenjta apo anasjelltas?
Le të japim përgjigje: Duke parë kohën në të cilën Ungjillori Llukai përshkruan Zaharinë në Tempull, mund të kuptojmë se bëhet fjalë për muajin Dhjetor, kjo ishte dhe koha në të cilën u ngjiz Shën Joan Pagëzori. Ungjillori Lluka shkruan se Zaharia ishte prej rendit të Abijahut (Llk. 1:5), të cilin Shkrimet e cilësojnë si rendin e 8-të të priftërisë ndër 24 që ishin gjithsej, siç na e shkruan edhe Libri Kronikave, secili prej tyre shërbente në Tempull një javë rresht, dy herë në vit. Rendi i Abijahut e kishte radhën në javën e 8-të dhe të 32-të të vitit. Atyre u ra java e shërbimit në javën e 2-të të muajit hebraik Tishri, me kalendarin tonë përkon diku midis datave 22 shtator dhe 8 tetor. Shën Joan Pagëzori u ngjiz menjëherë në javën e dytë të shërbimit të Zaharisë, pra bëhet fjalë në datën 23 Shtator, lindja e tij përkon gjithashtu më pas me datën 24 Qershor, kur Orthodhoksët kremtojnë lindjen e Shën Joanit, këto vërtetohen dhe në Ungjillin e Jakovit. Zaharia cilësohet si një ndër kryepriftërinjtë e Tempullit, por jo një kryeprift i lartë. Duke vëzhguar nga kjo pikë, përllogaritja është e thjeshtë e duke vazhduar nga kjo pikë, pra nga data 24 në dimë se Hyjlindësja Mari vizitoi kushurirën e saj Shën Elisabetën në muajin e gjashtë të shtatzanisë. Kjo do të thotë se Shën Joan Pagëzori ishte gjashtë muaj më i madh se Zoti ynë Jisu Krisht, nëse datës 24 qershor i shtojmë gjashtë muaj, arrijmë në datën 24 dhe 25 Dhjetor në lindjen e Zotit tonë Jisu Krisht.
Përse këto data alternative?
Madje disa mendonin se edhe për orën e lindjes së Zotit tonë Jisu Krisht, disa thoshin se lindja e Zotit Krisht, ka ndodhur në orën 8-të të mëngjesit të datës 25 Dhjetor, ndërsa të tjerë shprehen se Lindja e Jisu Krishtit ka ndodhur në mesnatë, nuk kaloi shumë kohë dhe spekulimi për në orën 8-të u harrua, kështu mbeti pra, Lindja e Zotit tonë Jisu Krisht ka ndodhur në mesnatë të datës 25 Dhjetor.
Kishat që përdorin kalendarin Julian ose kalendarin e vjetër, siç kemi në Malin e Shenjtë, në kishat Sllave, data 25 Dhjetor i korrespondon me datën 7-të Janar sipas kalendarit tonë, pas 100 vitesh do të ketë zhvendosje dhe kjo datë do të kalojë më 8-të Janar. Pra të gjithë e festojnë Krishtlindjen më datën 25 Dhjetor, për ata që përdorin kalendarin Julian, sigurisht që festojnë 13 ditë më pas se kjo. Këto ishin disa dëshmi të cilat i sollëm për të kuptuar se sa e rëndësishme është që ne të festojmë Krishtlindjen, jo me idenë dhe mendimin se kjo është një mbivendosje e një feste pagane apo cilado qoftë ajo, por si një festë autentike dhe një festë që ka ndodhur dhe festohet, kremtohet pikërisht në këtë ditë ashtu siç ajo ka ndodhur. Amin.
*Material i përgatitur nga Radio Ngjallja / S.M