Gjykata e Posaçme vendosi më 27 Nëntor ta lirojë ish-kryeministrin Sali Berisha nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Gjyqtarja e Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme, Flojera Davidhi, ishte ajo që vendosi t’i heqë masën e arrestit në shtëpi Berishës.
Mësohet se SPAK ka dorëzuar në sekretarinë e Apelit të GJKKO kërkesën për shfuqizim të vendimit që ndryshoi masën e sigurisë për Berishën.
Masa e arrestit ndaj Berishës ishte vendosur gati një vit më parë, më 30 dhjetor të vitit të kaluar pasi ish-kryeministri kishte refuzuar detyrimin për t’u paraqitur në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ai ishte ftuar të paraqitet para SPAK-ut për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet ndaj tij për korrupsion në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Avokati i tij, Genc Gjokutaj, tha për mediat se, mbi bazën e kërkesës së tij, gjykata vendosi ta lirojë Berishën nga masa e arrestit shtëpiak.
“Gjykata konstatoi se nuk ekzistojnë më kushtet e as kriteret për asnjë lloj mase sigurimi ndaj Berishës. Prokuroria kërkoi që ai të mbetej në arrest shtëpiak, por sot nuk ka asnjë masë tjetër sigurimi ndaj tij”, tha Gjokutaj.
Ish-kryeministri Berisha ndodhet nën hetim prej tetorit të vitit të kaluar për akuzën e korrupsionit pasiv.
Në atë kohë ndaj tij u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Masa u rëndua në “arrest shtëpie” pasi ish-kryeministri Berisha refuzoi ta zbatonte vendimin e gjykatës.
Më 21 nëntor, Gjykata Kushtetuese pranoi pretendimin se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional dhe se masa “detyrim paraqitjeje” ishte e mjaftueshme.
SPAK e akuzon ish-kryeministrin Berisha se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Dosja ‘Partizani’ është ndarë me fraksione nga SPAK që po vijon hetimet për pasurinë e familjes së ish-kryeministrit ‘non grata’ Sali Berisha dhe përfitimet që mund të kenë familjarët e tij./ S,M