Ditën e sotme, salla e Kuvendit të Shqipërisë është kthyer në një arenë përplasjesh mes mazhorancës dhe opozitës.
Një prej replikave të forta ka qenë ajo mes ministrit të Financave, Petrit Malaj dhe kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Gjithçka nisi pasi Bardhi tha se ministri Malaj ishte në gjumë dhe kjo sipas tij ishte arsyeja që ai u vonua në seancën plenare. Kreu i Grupit të PD tha se Malaj duhet të kishte shkuar në punë në orën 08:00, gjë që sipas tij, nuk e bëri.
Por nga ana tjetër, Malaj i tha Bardhit se ishin deputetët e opozitës që flinin gjumë, pasi sipas tij, ata kishin vite që ishin joaktiv.
Pjesë nga replikat:
Bardhi: S’je gjëkundi se nuk të njeh askush dhe nuk bën asnjë punë.
Malaj: Zoti Bardhi, gjumë jeni mësuar të flini ju se keni vite qe flini gjumë. Nuk bëni opozitën siç duhet ta bëni. Nëse do ti referohesh medias, do të shikosh angazhimin tim që në mëngjes herët se ku kam qenë i angazhuar dhe për çfarë.
Bardhi: Unë nuk do të përgjigjem për çështjen e gjumit, se kush ishte në gjumë e pa gjithë Shqipëria. Zotrote erdhe në punë sot, duhet të kishe ardhur që në orën 08:00, por erdhe në 12:00. Shqetësimi që ne ngritëm, nuk ndjekim axhendën, s’je gjëkundi se nuk të njeh askush dhe nuk bën asnjë punë, kjo është e vërteta. Je aty se të ka rekomanduar krim i organizuar, e di shumë mirë, je për të menaxhuar paratë e buxhetit të shtetit për t’ia çuar me tendera e koncesione e PPP krimit të organizuar. Je aty si ushtar i Ramës për të firmosur atë që të urdhëron Rama. /e.t