Presidenti i Urdhrit të Veterinerëve Ervin Resuli i cili një ditë më parë bëri publik skandalin e mandarinave shqiptare të bllokuara në BE tha në një intervistë televizive, se bëhet fjalë për praninë e dy pesticideve shumë të rrezikshme për shëndetin.
Sipas tij, ky është një rast ku kanë dështuar një sistem i tërë institucionesh në varësi të Ministrisë së Bujqësisë që përmes kontrolleve duhet ta kishin dedektuar problemin që në gjenezë.
“Janë dy preparate të ndaluara nga BE për t’u gjendur në fruta-perime dhe i ndaluar që nga 2020 edhe në Shqipëri. Po flasim për 2 preparate që janë shumë të rrezikshme që shkaktojnë probleme shëndetësore në njerëz dhe BE e ka nxjerrë nga përdorimi fare.
Të njëjtin ligj e kemi në Shqipëri, por ato gjenden dhe përdoren nga fermerët, që nuk e kanë nivelin të bëjnë dallimi; janë institucionet ato që duhet të këshillojnë fermerët. Mesa duket këto preparate qarkullojnë kontrabandë. Është një sistem i tërë në varësi të ministrisë së bujqësisë, që duhet të jetë aktiv dhe vigjilent”, tha ai./K.B