Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se te administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, do të lobojë për të hequr ‘non gratën’ e vendosur nga DASH.
Komentet Berisha i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se te administrata e Presidentit Joe Biden nuk ka lobuar, për arsye se kishte zgjedhur rrugën gjyqësore me sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken.
Ai shtoi se është i bindur se në Departamentin e Shtetit ka zero fakte kundër tij, në procesin e shpalljes non grata.
“Me këtë administratë vendimi im ka qenë të mos loboj. E kam hedhur në gjyq sekretarin e Shtetit për shpifje dhe e kam ftuar të vijë në sallën e gjyqit dhe të faktojë ato që ka thënë. Me administratën e re do të loboj.
Do të loboja edhe sikur të mos ishte Trump President, mjaftonte të mos ishte ky ministër. Edhe në administratën e shkuar unë i njihja shumicën e tyre, kisha drekuar me ta. Unë jam i bindur 100 % se ka zero fakte ndaj meje.
E them këtë, e them nga ata që kanë administruar dosjet e non gratave në DASH. Tani do loboj, ose do ndjek procedurat, sepse i kam rrugët e hapura. Ndaj Blinken zgjodha gjykatën. Nuk shkonte që edhe të shkoja në gjykatë edhe të loboja”, tha Berisha./ S,M