Nga Mero Baze
Obsesioni i SPAK që, sa herë bën një goditje majtas, të ketë edhe ndonjë kundërshtar të tyre, në fakt krijon perceptimin që SPAK bën politikë në përzgjedhjen e viktimave të tij, dhe kjo bën efektin e kundërt të asaj që ata duan të duken si të balancuar.
Dita e shumëpritur për Belind Këlliçin, që ishte thirrja për hetim nga SPAK e Erion Veliajt, u zbeh pasi atij i ndodhi e njëjta gjë, në të njëjtën ditë. Dhe jo rastësisht, por qartazi politikisht.
Nuk jam ende shumë i qartë se për çfarë po hetohet konkretisht Belind Këlliçi, por me ato që tha në publik pas daljes nga SPAK, duket se ka pasur disa pyetje të vështira rreth deklarimit të pasurisë dhe vlefshmërisë së dokumenteve të shkollimit në kalimin nga Tirana në SHBA. Uroj ta kalojë lehtë.
Ajo që është e qartë në gjithë këtë histori, është se thirrja e tij në SPAK në të njëjtën ditë me Veliajn, është një kujdes për balancë politike në hetimin e politikanëve.
Nuk e di kush ua ka sugjeruar drejtuesve të SPAK këtë metodologji, por balancimi politik nuk e bën SPAK më të besueshëm, por e bën më të kujdesshëm politikisht.
Dhe nuk është e nevojshme që SPAK të jetë i kujdesshëm politikisht.
Nëse SPAK është i sigurt që Veliaj ka konsumuar aq shumë vepra penale sa meriton 20 vjet burg, shumë herë më tepër se ata që kanë vrarë për të vjedhur dhe për të qëndruar në pushtet në këtë vend, apo ata që kanë drejtuar grupe kriminale, nuk ka pse e balancon politikisht thirrjen e tij si person nën hetim në SPAK, me thirrjen edhe të Belind Këlliçit. Le të procedojë hapur ndaj Veliajt dhe s’ka pse stërmundohet me denoncues anonimë.
Në qoftë se Veliaj është një njeri kaq i “rrezikshëm” ligjërisht, që nuk e paska zbuluar deri më sot as policia, as Prokuroria, as SPAK, as FBI, por e ka zbuluar një anonim, nuk ka nevojë të balancohet me Belind Këlliçin. Atë e ka pasur rival në zgjedhje dhe peshën e tyre në publik e kanë caktuar qytetarët e Tiranës. Tani nuk është e nevojshme që ata të vihen në garë edhe për “peshën e krimeve” të tyre. Se pastaj do t’i duhet të ndajë edhe ndëshkimet sipas peshës politike të secilit.
Obsesioni i SPAK që, sa herë bën një goditje majtas, të ketë edhe ndonjë kundërshtar të tyre, në fakt krijon perceptimin që SPAK bën politikë në përzgjedhjen e viktimave të tij, dhe kjo bën efektin e kundërt të asaj që ata duan të duken si të balancuar.
SPAK nuk ka detyrë të jetë i balancuar politikisht. Ai mund të arrestojë edhe 100 socialistë në pushtet, pa arrestuar asnjë opozitar. Nuk e pengon njeri nëse përballet me fakte dhe prova, që nuk i nxjerr, as duke shantazhuar të thirrurit në SPAK duke u treguar derën e qelisë tek 313, as duke i intimiduar për gjëra nga jeta private. Thjesht është i lirë të veprojë si i pavarur pa vrarë mendjen se çfarë dëmi politik po bën majtas apo djathtas. Nëse SPAK nuk e ka këtë qetësi, por druhet të bëjë gjeste balancuese politike, atëherë është duke bërë bashkë me drejtësinë, edhe politikë.
Ky kujdes që, për të mbuluar “anonimin” e Veliajt, që për ironi të fatit mund të jetë vetë Belindi, duhet thirrur edhe Belindi, tregon se ka një drojë që po e paragjykojnë punën e tij.
Puna e SPAK gjithmonë do të paragjykohet, por kjo nuk ka pse i komplekson ata. Çdo i dëmtuar prej tij ka të drejtë të ketë pretendime ndaj fakteve me të cilat përballet për korrupsion dhe ndaj metodave të hetimit. Të gjithë meritojnë një hetim të ndershëm dhe gjykim të drejtë dhe kjo nuk mbulohet me balancim politik.
Pra, nuk ka pse paragjykohet politikisht, pasi tani të gjithë, sa herë ndodh një arrestim nga e majta, futen në ankth në PD se do merret dikush edhe andej. Pastaj fillon prapë ankthi nga PS se kush e ka radhën meqë duhet të balancohet situata.
Dhe në të vërtetë i vetmi dështim i SPAK është që nuk kënaq dot palët politike. Edhe pse kanë kaq vite që kërkojnë penalizimin e Veliajt, ata që e kanë kërkuar nuk është se u kënaqën sot. Përkundrazi, paraprakisht akuzojnë SPAK, ngaqë thirri edhe Këlliçin. Po ashtu, ata që kërkojnë ndëshkimin shembullor të Sali Berishës për vrasjet e 21 janarit dhe korrupsion madhor, për të cilin e akuzon edhe SHBA e Britania e Madhe, nuk ndihen të kënaqur që ai hyn e del në ballkonin e shtëpisë për një vepër penale që tregon vetëm si e ka përdorur pushtetin për të pasuruar fëmijët.
Publiku është i ndarë politikisht dhe çfarëdo të bëjë SPAK nuk mund t’i kënaqë të gjitha palët në të njëjtën kohë. Ndaj është më mirë të fokusohet te faktet dhe të ketë prioritet peshën e krimeve dhe korrupsionit në vend, dhe jo listën e të ftuarve në SPAK që ngjan si ajo e të ftuarve në dasmë: një nga nusja, një nga dhëndri./ S,M