Cila ekonomi pati ecuri më të mirë në 2024?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vendet e mesdheut vazhdojnë me ecurinë e mirë ekonomike për të tretin vit radhazi, me Spanjën në krye të listës së këtij viti. Greqia dhe Italia, dikur ndër vendet më problematike të Eurozonës, vazhdojnë rimëkëmbjen.

Një renditje e shteteve sipas pesë treguesve, shkruan The Economist

Normat e interesit kanë arritur nivelin më të lartë në disa dekada, kanë shpërthyer luftëra në Europë dhe Lindjen e Mesme, dhe janë mbajtur zgjedhje të rëndësishme për botën, në vende si Amerikë dhe Indi.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ekonomia botërore pati ecuri të mirë edhe në vitin 2024. Sipas FMN-së, PBB-ja globale do të rritet me 3.2%. Inflacioni është zbutur dhe rritja e punësimit mbetet e fortë. Tregjet e aksioneve janë rritur me më shumë se 20% për të dytin vit radhazi.

Sidoqoftë, si kurrë më parë, prapa kësaj gjendjeje të mirë në nivel global, fshihen ndryshime të mëdha midis shteteve. Për të peshuar këto dallime, ne kemi përpiluar të dhëna për pesë tregues ekonomikë dhe financiarë:

PBB-në, ecurinë e tregut të aksioneve, inflacionin bazë, papunësinë dhe deficitet e qeverisë, për 37 shtete kryesisht të pasura. Më pas, renditëm secilën ekonomi duke u mbështetur në treguesit e saj. Tabela më poshtë tregon renditjen.

Cilët janë fituesit?
Vendet e Mesdheut vazhdojnë më ecurinë e mirë ekonomike për të tretin vit radhazi, me Spanjën në krye të listës së këtij viti. Greqia dhe Italia, dikur ndër vendet më problematike të Eurozonës, vazhdojnë rimëkëmbjen.

Irlanda, e cila ka tërhequr kompanitë e teknologjisë, dhe Danimarka, ku ka selinë firma e famshme Novo Nordisk që prodhon ilaçin popullor Ozempic, mbyllin pesëshen e parë të listës.

Ndërkohë, peshat e rënda të Europës Veriore, si Britania dhe Gjermania, kanë pasur ecuri zhgënjyese. Dyshja baltike e Letonisë dhe Estonisë, ndodhet sërish në fund të listës, një pozicion që e kishin edhe në vitin 2022.

Treguesi ynë i parë është rritja reale e PBB-së, që shihet gjerësisht si matësi më i besueshëm i shëndetit të përgjithshëm të një ekonomie.

Këtë vit, PBB-ja globale u nxit nga ekonomia elastike amerikane dhe konsumatorët e saj që shpenzojnë në masë. Izraeli gjithashtu pati ecuri të mirë, sipas të dhënave të OECD-së, megjithëse rritja e tij e fortë ka qenë më së shumti një rimëkëmbje nga tkurrja e mprehtë që pësoi në tremujorin e fundit të vitit 2023, kur nisi lufta me Hamasin.

Në Spanjë, rritja vjetore e PBB-së pritet të kalojë nivelin 3%, e nxitur nga një treg i fortë pune dhe nivele të larta emigrimi, të cilat rrisin prodhimin ekonomik. Edhe pse PBB-ja e vendit për frymë është rritur, ajo nuk ka kapur hapin e PBB-së së përgjithshme.

Në vende të tjera, rritja ekonomike ka qenë e dobët. Gjermania dhe Italia janë penguar nga çmimet e larta të energjisë dhe industritë e ngadalta të prodhimit.

Japonia do të ketë një rritje të dobët prej 0.2%, e rënduar nga turizmi më i dobët dhe industria e makinave, që po kalon vështirësi. Hungaria dhe Letonia kanë rrëshqitur të dyja në recesion.

Matja e dytë e The Economist ka të bëjë me kthimin e fitimeve në tregun e aksioneve. Investitorët kaluan një muaj gushti mjaft të vështirë, kur rënia e tregtisë së jenit shkaktoi frikën e një krize të mundshme. Aksionet amerikane kanë dhënë kthime fitimesh mbresëlënëse, pasi vlerësimet për firmat e teknologjisë, u rritën edhe më tepër.

Tregu i Kanadasë, i lidhur ngushtë me fqinjin e saj jugor, gjithashtu shënoi fitime të shëndetshme, të përforcuara nga ecuria e mirë e industrisë bankare. Kompania japoneze Nikkei 225 arriti një rekord të lartë, edhe pse ecuria e përgjithshme vjetore ishte mesatare.

Lexo edhe :  PBB rritet me 4,09% në korrik-shtator nga turizmi, ndërtimi dhe rritja e pagave

Kishte edhe disa humbës. Çmimet e aksioneve në Finlandë kanë arritur nivele negative dhe bursa e Koresë së Jugut ra pas një përpjekjeje të presidentit korean për të shpallur ligjin e luftës në vend, më 3 dhjetor.

Matja tjetër është inflacioni bazë, ku nuk llogariten përbërësit e paqëndrueshëm si energjia dhe ushqimi. Megjithëse inflacioni global ka rënë ndjeshëm, çmimet e shërbimeve mbeten të larta në shumë shtete.

Për shembull, në Britani, rritja e pagave vazhdon të rrisë kostot e shërbimeve, që do të thotë se inflacioni bazë është ngritur në nivele të pakëndshme.

Në Australi, rritja e kostove të strehimit ka qenë arsyeja kryesore për rritjen e inflacionit bazë. Inflacioni në Turqi mbetet i lartë. Nga ana tjetër, Franca dhe Zvicra kanë arritur t’i mbajnë çmimet nën kontroll.

Treguesi i punës

Treguesi më i zakonshëm i mjerimit ekonomik është rritja e papunësisë, që shumë bankierë parashikuan se do të ndodhte kur filluan të rrisnin normat e interesit (dhe inteligjenca artificiale u bë më e sofistikuar). Sidoqoftë, edhe pse ka pasur disa luhatje, tregjet e punës mbeten të fuqishme me norma papunësie të niveleve të ulëta rekord.

Europa Jugore, e cila ende vuan nga papunësia e lartë, ka shënuar një përmirësim të dukshëm: papunësia në Greqi, Itali dhe Spanjë ka rënë në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë.

Italia ka pasur përparimin më të madh, me rënien e papunësisë me 1.4 pikë përqindje që nga fillimi i vitit. Në Amerikë dhe Kanada, papunësia është rritur paksa, por kjo ka të bëjë kryesisht me nivelet e larta të emigrimit.

Matja jonë e fundit ka të bëjë me bilancet fiskale, duke përjashtuar pagesat e interesit, si pjesë e PBB-së. Pas viteve të shpenzimeve të mëdha, shumë shtete duhet të bëjnë më të qëndrueshme barrën e borxhit.

Danimarka dhe Portugalia dallohen për suficitet buxhetore nëpërmjet disiplinës fiskale. Norvegjia dhe Irlanda gjithashtu arrijnë teprica, por për arsye të tjera: Norvegjia falë të ardhurave nga nafta dhe Irlanda nga fitimi që merr prej taksave të korporatave.

Megjithatë, shumica e qeverive vazhdojnë të shpenzojnë në mënyrë të shfrenuar. Deficiti primar i Polonisë tejkaloi shifrën 3% të PBB-së, për shkak të rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në Japoni, stimuli i fuqishëm fiskal, që synon mbështetjen e ekonomisë dhe uljen e kostos së jetesës, rrezikon të ndërlikojë problemet e borxhit ndërsa epokës së normave shumë të ulëta të interesit po i vjen fundi.

Trajektorja e borxhit e Britanisë po përkeqësohet. Buxheti i saj i fundit nuk arriti të riparonte financat publike. Franca është zhytur në një ngërç politik dhe nuk po frenon dot shpenzimet.

Me fillimin e vitit 2025, ekonomia globale përballet me sfida të reja. Gati gjysma e popullsisë së botës jeton në vende që këtë vit mbajtën zgjedhje. Në shumë prej këtyre shteteve, erdhën ose do të vijnë në krye udhëheqës të cilët mund të përshkruhen si “të paparashikueshëm”.

Tregtia është e kërcënuar, borxhet qeveritare po rriten dhe bursat nuk kanë shumë hapësirë për gabime. Sidoqoftë, të paktën tani për tani, Spanja, Greqia dhe Italia, të nënçmuara prej kohësh nga fqinjët e tyre veriorë, mund të festojnë rigjallërimin ekonomik. Ato e meritojnë një fiesta /K.K

 

Të fundit

Atalanta ndalet në barazim ndaj Lazios dhe shpallet kampione e dimrit në Serie A

Laczio dhe Atalanta kanë dhuruar një ndeshje shumë emocionuese në sfidën e kësaj jave të fundit të vitit 2024...

Gëzuar, me valixhe në duar! Ku shkojnë shqiptarët për fundvit?

Nga pushimet dimërore në Alpet e Europës, te qytetet e dekoruara plot drita dhe tradita, deri tek arratisjet në plazhet ekzotike për ata që...

Astrologia zbulon si mbyllet viti 2024 për secilën shenjë Horoskopi: Ka të papritura

Meri Gjini ka bërë parashikimin e Horoskopit për ditët e fundit të vitit 2024, në një studio televzive. “Nesër kemi Mërkurin në katërkëndësh me Saturnin....

Planet e administratës Trump mbi emigracionin

Emigracioni ishte një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Administra e tij po planifikon zbatimin e masave më...

A mund ta tërheqin shqiptarët pensionin në një shtet tjetër?

Zv. ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani ka ndarë në emisionin “Sheshi i Dollarit” detaje nga marrëveshja e nënshkruar për njohjen e pensioneve....

Lajme të tjera

Web TV