Më shumë fëmijë se kurrë jetojnë në zona lufte ose janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre për shkak të konflikeve, tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët UNICEF.
Rreth 47.3 milionë fëmijë vlerësohet të jetojnë në zona konflikti – më shumë se një në gjashtë në mbarë botën, tha agjencia në një raport të publikuar sot.
Përqindja e fëmijëve që jetojnë në zonat e luftës është dyfishuar – nga rreth 10% në vitet 1990 në gati 19% sot, tha UNICEF. Ata vriten dhe plagosen, detyrohen të braktisin shkollën, privohen nga vaksinat jetike ose vuajnë nga kequshqyerja.
“Viti 2024 ishte një nga vitet më të këqija për fëmijët në konflikt në historinë e UNICEF-it – si për sa i përket numrit të fëmijëve të prekur ashtu edhe nivelit të ndikimit në jetën e tyre,” tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Kathryn Russell.
“Një fëmijë që rritet në një zonë konflikti ka shumë më tepër gjasa të braktisë shkollën, të kequshqehet ose të detyrohet të largohet nga shtëpia… Kjo nuk duhet të jetë normalja e re. Nuk mund të lejojmë që një brez fëmijësh të bëhet dëm kolateral ndaj luftërave të pakontrollueshme të botës”.
Sipas UNICEF-it, 47.2 milionë fëmijë ishin zhvendosur nga konflikti dhe dhuna deri në fund të vitit 2023. Tendencat për vitin 2024 tregojnë një rritje të mëtejshme të zhvendosjes pasi konfliktet e ndryshme janë intensifikuar, duke përfshirë ato në Haiti, Liban, Mianmar , Territoret Palestineze dhe Sudan./E.T