Partia Socialiste (PS), e cila prej vitesh ka dominuar skenën politike shqiptare, po përjeton periudhën e saj më të trazuar në histori. Brenda selisë rozë, po zhvillohet një betejë e ashpër mes klaneve, ku “thikat pas shpine” dhe skenarët për rrëmbimin e drejtimit të partisë janë bërë pjesë e përditshmërisë. Kjo luftë e brendshme po rrezikon jo vetëm unitetin e partisë, por edhe pozitat e saj në pushtet. “Strumbullari” që po fut në sherr socialistët dhe po kërkon të marrë gjithë pushtetin në duar po del se është zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Në luftën mediatike që po ndodh ditët e fundit, evidentohet me gisht Balluku, si një nga personat që qëndron pas denoncuesit të rremë Nesti Angoni, i cili ka vendosur në lëvizje SPAK për të hetuar kryebashkiakun Veliaj. Thuhet se Belinda Balluku e cila pa hyrë në qarqet e larta të Rilindjes, ka drejtuar drejtorinë e aviacionit civil, po aludohet se ka spiunuar të dhënat e lëvizjeve të Veliajt që në mes të viteve 2000, atëherë kur sistemi TIMS ende nuk funksiononte dhe të dhënat nuk mund të vileshin “online”.
Strategjia e Ballukut përfshin përdorimin e mediave për të minuar besimin ndaj rivalëve dhe krijimin e aleancave të fshehta brenda strukturave të partisë. Ajo po shfrytëzon pakënaqësitë e akumuluara brenda PS për të krijuar një valë përkrahjeje ndaj saj, duke u paraqitur si shpëtimtarja që do të sjellë unitetin. Me skemat e saj, Balluku në prapaskenë po godet edhe Ramën, duke e nxjerrë kryesocialistin se po e shet bashkëpunëtorët e tij. Ajo ka mbështetje nga qarqe të ndryshme, si bizneset dhe grupe të interesit.
Dalja jashtë loje e Ballës dhe tentativat për të fundosur Spiropalin
Në luftën në PS nuk është vetëm Veliaj që po del jashtë loje. Taulant Balla është shndërruar brenda pak muajve nga një kandidat për krahun e djathtë të Edi Ramës në një zëdhënës dhe PR i bindur i Belinda Ballukut. Ish numri dy i Partisë Socialiste, ish numri një i socialistëve në parlament, deputeti më i votuar në zgjedhjet e vitit 2021 duke siguruar në Elbasan gati 7 mijë vota më shumë se sa vetë Edi Rama në Durrës ka hequr dorë nga ambicia për të qenë numri 2 në qeveria e parti dhe ka pranuar ‘nënshtrimin’ ndaj Belinda Ballukut.
Thashethemet korridoreve të qeverisë dhe të Partisë Socialiste sugjerojnë se ëndrrën e gjatë dhe karrierën e shkurtër të Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm e ndërpreu papritur pikërisht Belinda Balluku. Por, revanshi i zv.kryeministres nuk u mbyll me kaq. Ajo e spostoi edhe nga drejtimi politik i partisë në qarkun e Fierit dhe që të dyja këto lëvizje nuk u shoqëruan pa hatërmbetje. Përballë këtyre zhvendosjeve Balla u ngushëllua publikisht me marrjen e drejtimit të fushatës së PS-së në diasporë, duke shtuar madje se detyra e re kishte më shumë përgjegjësi dhe rëndësi.
Ai e kaloi ‘hatërmbetjen me bukë’ dhe së fundmi me qëndrimet në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së është shndërruar në një ushtar të bindur të Belinda Ballukut. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të PS-së , Balla u rreshtua në krah të Ballukut, kur kjo e fundit kritikoi me një gjuhë të ashpër kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, me pretendimet se ishte nën shantazhet e Gazment Bardhit, që e orienton për drejtimin e seancave plenare. Balluku me skenarët e saj po ndez PS.
Ylli në ngjitje dhe shpëtimi i Ramës
Thuhet se Balluku me njerëzit e saj “goditi” edhe Gonxhen në emërimin që i bëri Rama si drejtues politik i qarkut Dibër. Por planet e Ramës mesa duket shkojnë më larg se “thikat pas shpine” dhe sherret që ka ndezur Balluku në PS. Përveç kësaj, hetimet e hapura të SPAK ndaj Ballukut dhe Veliajt kanë bërë që Rama ta ketë një “as nën mëngë” dhe ai pikërisht është Blendi Goxhe, i cili u caktua pas sherrit që krijoi Balluku në Dibër për të qenë drejtues politik i Qarkut të Tiranës, së bashku me Veliajn, Spiropalin dhe Manastirliun me arsyetimin se Tirana është qark i madh dhe ka nevojë për më shumë drejtues. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në vijim pasi zgjedhjet e 2025 janë shumë afër, por ajo që shpërtheu në publik së fundmi për luftën Balluku-Veliaj, tregon se në selinë rozë ka “tym dhe flakë” që nuk dihet se kush socialist do të digjet, apo zjarri do të shkrumbojë gjithë Partinë Socialiste ashtu siç ndodhi dhe po ndodh me Partinë Demokratike./ S.M