Dy persona të ndaluar për veprën penale të ‘Vjedhjes’ arritën të arratisen nga mjediset e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, ndërsa kanë nisur hetimet ndaj punonjësve të policisë që ishin me shërbim në momentin e ngjarjes.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Elbasanit bëri të ditur se mesditën e sotme, shtetasit N. L., 29 vjeç dhe E. P., 33 vjeç, pas masës së sigurisë në Gjykatën e Elbasanit, për veprën penale “Vjedhja”, pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, këta shtetas kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan.
“Si rezultat i veprimeve policore është bërë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., dhe vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër, N. L..
Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësve të Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal”, njoftoi Policia./E.T