Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, zhvilloi sot një vizitë në Spitalin Universitar të Traumës, nga ku bëri të ditur edhe planin e masave të marra për natën e ndërrimit të viteve dhe në ditët e para të Vitit të Ri.
Ministrja Koçiu tha se “të gjitha strukturat shëndetësore në të gjithë vendin do të jenë në gatishmëri të plotë. Jo vetëm Spitali i Traumës dhe QSUNT, por edhe spitalet rajonale dhe ato bashkiake. Në shërbim të qytetarëve që do të jenë mbi 2 mijë mjekë, infermierë dhe personel shëndetësor”.
Gjithashtu, Koçiu ka theksuar se në gatishmëri do të jenë edhe strukturat e sistemit parësor.
Në Tiranë do të jenë 6 qendra shëndetësore që do të ofrojnë shërbim 24/7 për urgjencat pediatrike, për të lehtësuar fluksin në urgjencën e Spitalit Pediatrik pranë QSUNT-së.
Gjithashtu, Ministrja Koçiu bëri të ditur se në 2025 do të nisë rikonstruksioni i godinës qendrore të Spitalit të Traumës me mbështetjen e buxhetit të shtetit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përcolli edhe mesazhin e urimit për të gjithë mjekët, infermierët, personelin e spitaleve dhe urgjencave në të gjithë vendin, e veçanërisht për stafet shëndetësore që do të jenë në krye të detyrës në këto ditë festive. Në Tiranë do të jenë 6 qendra shëndetësore nr. 1 Tefta Tashko, qendra shëndetësore nr. 4 – Siri Kodra, qendra shëndetësore nr. 10 – Oxhaku, qendra shëndetësore nr. 8 – Sheshi Wilson, qendra shëndetësore nr. 7 – Laprakë, qendra shëndetësore nr. 6 – Kombinat./E.T