SPAK, ndëshkimi penal dhe zgjidhja politike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli

Premtimi solemn i reformës në drejtësi, tetë vjet më parë, ishte dhënia fund e kulturës së pandëshkueshmërisë. Një mori politikanësh të lartë, ministra e deputetë dhe poshtë tyre, një armatë e pafundme zyrtarësh të administratës, por dhe një kategori elektorale kriminelësh të rëndomtë, kishin fituar gradualisht një status special në shoqëri. Ata mund të siguronin para pafund, mund të të zotëronin privilegje e prona pafund dhe e gjitha kjo, gati-gati si një e drejtë natyrore dhe hyjnore. Nderoheshin, lëvdoheshin, e demonstronin luksin e tyre tërësisht hapur dhe kjo dukej normale për gjithëkënd. Stafetat e rotacioneve politike nuk e ndryshonin këtë realitet paralel me realitetin e përditshëm të rropatjes për bukën e gojës. Në Tiranën shumëfytyrëshe, i vetmi krim i pafalshëm ishte varfëria. Të ishe i pasur ishe gjithçka, të ishe i varfër ishte fatkeqësi! Të ishe i pasur, ishe edhe akademik, të ishe akademik i varfër, ishe idiot!

 

Ndër ta, edhe njerëz nga më të rëndomtit që shkëlqimi i pushtetit i bënte të dukeshin mbartës të një fati të shkëlqyer, kur largoheshin prej pushtetit, thjesht gëzonin paranë e vjedhur me korrupsion dhe ose zhdukeshn në hije, ose ishin vetëm hija e kujtimit që nuk e thërriste më askush në apel. Blloku i famshëm i komunistëve të djeshëm nisi të shumëfishohet në mënyrë marramendëse, në plazhet më eskluzive të Shqipërisë dhe në periferi të Tiranës, ku një racë të pangopurish, fqinj të njëri-tjetrit, shpesh me një nivel të tmerrshëm inteligjence, prisnin rradhën për t’u bërë pjesë e blloqeve të pasanikëve të rinj, askush prej të cilëve, nuk detyrohej të jepte llogari për milionin e parë, të shoqëruar nga dhjetra e dhjetra milionë të tjerë në vite!

Tetë vjet më pas, së paku kjo histori pandëshkueshmërie, ka marrë fund. Tashmë shumica dërmuese e tyre, brenda shtëpive me gur nga Jordania apo mermer verbues italian, thjesht presin se nëse do t’u vijë rradha të kalojnë tek rruga më e famshme tashmë në Tiranë, në krah të burgut historik të kryeqytetit, me numrin fatal 313. Askush nuk e di se kur do të ndodhë dhe pritja pafund në rradhë, është me e tmerrshme dhe se vetë fundi i tmerrshëm. Atëherë kur llogaritë e tyre bankare, vilat dhe apartamentet brenda e jashtë vendit, do të ndryshojnë befasisht pronar dhe ata vetë, më fatkeqët prej tyre, do t’i dorëzohen orareve të burgut, nga ku do të kujtojnë në shoqërinë e njëri-tjetrit, aeroportet, shopingjet e çmendura, dashuritë verbuese, resortet me shumë yje dhe mbi të gjitha, kryepushtetin e të gjitha kohrave, lirinë për të shkuar në tualet atëherë kur zorrët i thërret nevoja. Kurse cash-i, pronat apo aksionet që kanë fshehur tek “miq” të kohëve të lumtura, do të humbasin bashkë me miqtë që do t’i bëjnë gjithashtu hasha. Ka ndodhur më parë. Do të ndodhë përsëri po kështu!

Ka një padurim të çmendur të publikut për të parë poshtë ata që i ka parë lart. T’i shikojë në mjerim ata që i ka pasur zili për shkëlqimin e tyre, t’i shohë nën pushtetin e gardianit ata që i kanë imponuar pushtetin që nuk vinte as nga vetë vota. Duke u bindur se në këtë botë, asgjë nuk është më e pagabueshme sesa numërimi që vetë Perëndia i bën lotëve të të varfërve!

Ndëshkimi i të pandëshkueshmëve ka nisur të ndodhë. Mirë apo keq, drejt apo gabim, me prova apo me perceptim, kjo është histori tjetër dhe ky është basti i parë i fituar i publikut, falë stapit në kokë të Dumanit të SPAKU-ut, por ende jo më i rëndësishmi. Ndëshkimi nuk është drejtësi në vetvete. Dhe kjo është sfida kryesore e një shoqërie që historikisht i ka ngritur themelet e saj mbi padrejtësinë.

Drejtësi është zgjidhja sa më e shpejtë e pronësisë për gardhin mes dy vëllezërve që janë të gatshëm të marrin automatikun kundër njëri-tjetrit, për individin që është në sherr me administratën, për njohjen e pronës tek i zoti, për empatinë ndaj adoleshentit që kapet me një cigare hashash në xhep, për ata miiëra fatkeqë që për çdo kundravajtje penale janë kontigjent burgu e harrohen në burgun që prodhon kriminelët e vërtetë të së nesërmes. Eshtë ngulmi tek e drejta për t’u konsideruar i pafajshëm deri sa gjykata të mos vendosë përfundimisht ndryshe. Eshtë zgjidhja e sfidës mes të dobtit dhe të fortit. Eshtë e drejta natyrore e gjithësecilit shqiptar për t’u ndjerë pronar i barabartë me shqiptarin tjetër në skajin tonë të vogël të botës së madhe e të trashëguar me gjak nga historia.

E megjithatë, kush mendon se me mjete penale do të kurohet stiva e trashëguar e padrejtësisë, se do të shmplekset gërsheti i ligësisë dhe pangpësisë, i ka të gjitha arsyet që të zhgënjehet. Pushteti i drejtësisë godet individin. Zgjidhja duhet të vijë, nëse do të vijë, me domosdo pikërisht nga ai segment i shoqërisë që sot ka mosbesimin më të thellë tek publiku dhe urrejtjen e tij më të madhe. Vjen nga politika.

Lexo edhe :  Sërish vjen 10 shkurti

Dhe gjasat sesi do të vijë kjo zgjidhje janë sërish kaq të ndryshme.

Edi Rama, ndonëse betohet për të kundërtën, ka një betejë të frikshme me perceptimin që e sheh qeverisjen e njerëzve të tij si tejet të koruptuar. Rradha e gjatë e bashkëpunëtorëve të tij që parakalojnë në SPAK, e të tjerëve që do të pasojnë ata, e bëmave të tyre që qarkullojnë jo vetëm si legjenda urbane, e kanë vënë atë përpara dilemave të pafundme. Një ligj elektoral i bërë sipas taktikës së tij, duket se i jep mundësi të përdorë zgjedhjet politike si zgjidhje për atë mori thikash që llupësit e mollëve dhe dardhave i kanë dhënë në shpinë. Nuk do të jetë aspak suprizë që në listën e tij të ardhshme elektorale të ketë dy pamje. Në pjesën e sigurt të vendosë njerëz të suksesshëm në punën e tyre, pa asnjë lidhje me të shkuarën, secili dhëndri apo nusja e ëndrrave e kapriçios së çdo vjehrre. Poshtë vizës do të vendosen të gjithë ata njerëz që e kanë shoqëruar në rrugëtimin e tij qeverisës së këtyre 12 viteve e që do të ndeshen për të thyer herësin. Kush fiton, fiton, por mbetet jashtë kabinetit të nesërm, kush ikën, mbetet jashtë çdo skeme. Të dy këto kategori, do të jenë më pas gjahu i lehtë i SPAK-ut, por tashmë të distancuar nga njeriu që gjykoi se i duheshin për pushtet. Vetë kryeministri di, njëlloj si në novelën e hershme të Mark Twain, se pushteti është çeku një milion dollarësh me të cilin mund të blesh gjithçka. Mund të blesh miqtë e armiqtë, dashurinë e miqësinë, respektin dhe frikën, por jo kohën.

Sali Berisha, fitues dhe humbës i shumë betejave të jetës, ka shumë pak shanse të konkurrojë realisht për të qenë kryeministër i nesërm në betejën e tij të jetës. Projeksionet e deri tanishme, e nxjerrin atë sërish në krye të një grushti besnikësh që ai do t’i ketë të vendosur eskluzivisht në pjesën fituese të listës. Mbas 11 majit qameti për të gjithë dhe kush fiton në pjesën tjetër, do të jetë vetëm qarr i kryetarit e ndoshta edhe ndonjë zë i dëshpëruar që të thotë me zë të lartë atë që është bindje e përgjithshme: Berisha ishte i aftë të qeveriste PD-në me votat e antarësisë së saj, por jo Shqipërinë me votat e gjithë shqiptarëve. Më së paku, çfarë do të vijë me postë nga diaspora, do të jetë edhe diferenca tashmë e trefishuar në vota me socialistët në krahasim me 2021-shin e vetëm 30 mijë votave më shumë. Stina e gjatë dhe pambarimtë në opozitë mund të kthejë një pjesë të delfinëve të tij në peshkaqenë, por do të jetë vonë edhe për ata se do të jenë në rrjetën që ustai i tyre jua ka endur sipas ëndjes vetjake.

Ilir Meta që tashmë në vetminë e tij ndoshta është bindur se do të ishte krejt tjetër kund nëse nuk do të kishte vrapuar në drejtimin e gabuar, por do të kishte pritur në vendin e duhur, do të shohë se projekti i tij politik i dy dekadave më parë, ish-LSI-ja, është dënuar të qëndrojë në periferi të skenës dhe ai vetë në krye të listës elektorale të Doktorit. Mjeshtri i fitoreve në betejat e vogla dhe strategu i humbjes së luftrave të mëdha, Meta mund të fajësojë gjithëkënd përveç vetes, por ndoshta kupton se peshkimi i miqve dhe bashkëpunëtorëve në basenin e pafund të servilëve dhe interesaxhinjve makutë, është një sport që dërmon vetë trajnerin.

E nesërmja e 11 majit të ardhshëm është një pikënisje e një të ardhmeje ndryshe. E një momenti kur e vetmja gjë që ndryshon është kolaudimi i funksionimit reciprok mes tre pushteteve kushtetues dhe medias në anë të tyre, si shpikja më e mrekullueshme e demokracisë. Kontrolli dhe balanca e pushteteve është mjeti i vetëm që politikanë të kriminalizuar, kriminelë të politizuar, biznesmenë të emëruar nga politika dhe vetë politika si biznes, pra, të gjithë këta bashkë, të shohin perëndimin e tranzicionit të gjatë shqiptar, që ngjan aq shumë me Perëndimin e egër të dikurshëm. Dhe të kuptojnë se edhe në këtë botën tonë të vogël, e përjetshme është vetëm e përkohshmja./   S,M

Të fundit

Nga nesër fillon aplikimi i tarifës në autostradën Thumanë-Kashar

Qarkullimi në aksin rrugor Thumanë-Kashar do të bëhet me pagesë duke filluar nga e shtuna. Kompania koncesionare ka njoftuar se...

Emigrantët largohen pas festave, rreth 7 mijë persona kanë dalë nga Kapshtica

Pasi kanë kaluar festën e ndërrimit të viteve në vendlindje, emigrantët shqiptarë po kthehen në vendet e tyre në punës. Gjatë 24 orëve të fundit,...

Vendimi i Apelit për Berishën, reagon deputeti i PD

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka reaguar në lidhje me vendimin e Apelit për kryedemokratin Sali Berisha. Përmes një postimi në rrjetin e tij social,...

Pesë ndryshime të vogla në dietën tuaj qe do të rrisin menjeherë energjine

Ndiheni shpesh të lodhur në punë, pavarësisht se keni pushuar mirë dhe konsumuar mjaftueshëm ujë? Dieta juaj mund të jetë një ndër shkaqet e...

Tërmet në Turqi, ja sa ishte magnituda

Një tërmet me magnitudë 4.5 ballë të shkallës Rihter është regjistruar këtë të premte në orën 16:51 në Detin Mesdhe, në Gjirin e Antalias,...

Lajme të tjera

Web TV