Nga Spartak Ngjela
Para dhjetë vitesh, një miku im më tha:
Unë do të iki në Itali ose diku gjetkë në Perëndim, se këtu tek ne nuk ka rroga për të qenë.
Mirë i thashë unë, por: a e keni shtëpinë tende atje ku do shkosh?
Jo, me tha, nuk e kam.
Por duhet ta dish se, përderisa do të jetosh me qira, pasi të paguash qiranë, aq sa merr rrogën këtu do të mbeten për të jetuar.
Ai nuk foli.
Por pas disa vitesh e takova, dhe ishte ai i pari që më tha: aq sa më the ti më mbetën mua nga rroga, kur pagova qiranë.
Po pse nuk u ktheve?
Më vinte turp, më tha ai, se isha mburur që do shkoja në Perëndim.
Po tani çdo të bësh? e pyeta unë.
Prandaj kam ardhur, tha, por kanë kaluar dhjetë vite dhe unë po e shoh që këtu tani jam i pasistemuar.
Ti e di! – i thashë unë.
Une e di shumë mirë, më tha ai ngadalë, por ti më ke thënë dikur se: Çdo gabim ka Kosto.
Po, i thashë unë, ashtu është.
Kurse unë tani po vuaj gabimin tim, tha, dhe më vjen turp të kthehem në vendin tim, ku i kam të gjithë, por, më shumë, është gjuha shqipe, e cila më mungon krejtësisht, dhe prandaj mua po më duket sikur kam mbetur jetim.
Ke të drejtë, i thashë unë, dhe teksa po ndaheshim vura re se sytë ai i kish të mbushur me lot./ S,M