Talo Çela, Ibrahim Lici dhe Erjon Llapushi janë aktualisht tre personat më të kërkuar nga autoritetet shqiptare që akuzohen për një seri ngjarjesh kriminale, pas arrestimit të Laert Haxhiut dhe Jani Alias në Greqi.
Talo Çela, që njihet me pseudonimin ‘Lala’
I pari në listën e Policisës së Shtetit është Talo Çela. Për Talo Çelën, SPAK kërkoi 19 vite heqje lirie.
Kriminelët mes njëri-tjetrit i kanë ngjitur atij nofkën “Lala”. I divorcuar dhe baba i një vajze, për ish-banorin e Bradasheshit nuk dihen shumë gjëra. Për autoritetet emri i tij skedohet për herë të parë më 21 korrik 2015 për një krim banal: Një ndërtim pa leje në fshatin Bradashesh.
Ai i akuzuar nga SPAK për grabitjen e 4.6 milionë Eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në Prill të 2019. Krahas grabitjes 51-vjeçari nga Elbasani akuzohet dhe si organizator i disa vrasjeve të regjistruara në qytetin e Durrësit dhe të Elbasanit.
Gjithashtu ky ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të 2 vëllezërit Haxhia në Durrës. Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia dhe nga dëshmitë e Nuredin Dumanit.
Në SKY Talo Çela shprehte shqetësim se mund të gjendeshin prova për përfshirjen e tij në supergrabitjen dhe se në rast se i del emri do arratisej në Brazil ku do të ndërronte identitet. Por avokati i tij ka kundërshtuar veprimin e prokurorisë së posaçme, me argumentin se ato mund të jenë vetëm indicie dhe jo prova.
Për grabitjen e vitit 2019, GJKKO dënoi në tetor të vitit të 2022 me 122 vite burg 7 të pandehurit e grupit kriminal. Klement Çala u dënua me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me 17 vite burg. Të dënuarit po e vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Ngjarja ndodhi në 9 prill e vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.
Ibrahim Lici
Pas Talo Çelës, në listën e të shumë kërkuarve është Ibrahim Lici.
Ibrahim Lici, të cilit 30 Tetor 2024 iu vra në atentat i vëllai, Hamzai, cilësohet si kreu bandës së Licëve në Shkodër. Lici vetë u arrestua në 2023 në Turqi dhe më pas lirua, pasi u refuzua ekstradimi. Hamzai, viktima e atentatit të 30 Tetor 2024, foli nga Turqia, duke thënë se i vëllai ishte i pafajshëm. Por konfliktet mes grupeve vijuan.
Emri i tij doli në vitin 2017 me serinë e gjobave ndaj bizneseve në Shkodër. Policia zhvilloi operacion duke arrestuar një grup personash, mes tyre edhe Ibrahim Licin, por që më pas u lirua.
Ai ka qenë i arrestuar së bashku me vëllanë e tij, Muhamed Lici, në mars të 2017 pasi drejtonin një grup kriminal që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër. Muhamet Lici i dënua me 13 vite burg, ndërsa gjykata e la të lirë Ibrahim Licin.
Po këtë periudhë nis saga e përplasjeve. Një prej tyre me fisin Bajri dhe Bilali. Ish-miq të Licëve dekada më parë. Dhe gjërat u përkeqësuan së tepërmi kur Astmer Bilalit, i arrestuar prej disa vitesh, i vranë babanë dhe xhaxhanë në Shkodër. U dyshua për fisin Lici, por provat munguan.
Seritë e konflikteve mes bandave në këtë qytet kanë prodhuar që nga 2017 të paktën 20 të vrarë deri tani dhe dhjetëra atentate.
Më e fundit e përplasjeve ishte vrasja pas futjes në kurth të Endri Mustafës në vitin 2021 te lagja “Livadhet”. Policia shpalli në kërkim Ibrahim Licin, por ky i fundit tha se kishte alibi dhe se vrasjen e kishin kryer Bilalët, duke ia hedhur atij me inskenim fajin. Dëshmia iu mor një 15-vjeçari, që tërhoqi Mustafën në kurth për një kalë, por më pas ky deponim nuk u konsiderua i besueshëm për Licin.
Ibrahim Lici është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici, aleat i përhershëm i opozitës aktuale. Së fundmi ai ka qenë edhe subjekt i strukturës, Operacioni Forca e Ligjit, ndërsa rezulton në kërkim për disa vrasje të bujshme.
Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali (babai dhe xhaxhai i kampionit të boksit Astmer Bilali), ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Erjon Llapushi
Lista me 5 të shumëkërkuarit përmbyllet me Erjon Llapushin, i akuzuar për vrasjen e kryekamarierit në një lokal në Elbasan.
Erjon Llapushi është autori i krimit makabër në një lokal në Elbasan më 2 tetor 2021. Llapushi kapi nga fyti kamarierin Gazment Kurmaku për një tavolinë, e kërcënoi me një thikë, e më pas e vrau. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Luan Dulellari nuk bëri asnjë lëvizje për të ndaluar shokun e tij apo për të mbrojtur viktimën, por u arratis.
Krimet ku Erjon Llapushi është përfshirë:
1 maj 2007, tentativë për vrasje
Në vitin 2007, Erjon Llapushi ka tentuar të vrasë me armë zjarri Andi Sukollarin. Por nuk është ndalur me aq, pasi pasi ka kryer dënimin, ka dalë nga burgu dhe ka plagosur rëndë Mariglen Topuzin.
-2008, plagosje e rëndë me dashje
Një vit më pas, në një lokal në qytetin e Pogradecit, Llapushi ka ka plagosur Mariglen Topuzin, ndërsa qëndronte bashkë me të. Topuzi edhe pse i qëlluar poshtë zemrës, fatmirësisht ka mbijetuar. Ndërsa i riu është dërguar sërish pas hekurave të qelisë.
-2019, kanosje për dhënien e pasurisë
Erjon Llapushi në bashkëpunim me Saimir Frahollin, përmes presionit dhe shantazhit mundën të merrnin 17 për qind të aksioneve të një kompanie private për transportin e udhëtarëve në linjat Pogradec-Korçë dhe Pogradec-Tiranë. Më pas, aksionet i shitën tek një person i tretë. Megjithatë të dy u arrestuan nga Policia e Pogradecit, e në vitin 2020 Llapushi ishte në burg. Edhe pse vepra për të cilën ishte prangosur dënohej deri në 8 vite.
-Maj 2021, arrestohet për trafik njerëzisht
Në 29 maj të këtij viti, pra katër muaj para se të kryente krimin në Elbasan, Erjon Llapushi u arrestua sërish pasi po transportonte 24 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së. Sipas Kodit Penal, një vepër e tillë penale dënohet 3 deri në 7 vite burg, por Llapushi, për arsye që nuk dihen u la i lirë.
Erjon Llapushi, objekt i OFL-së
Në janar të vitit 2020, Erjon Llapushi ishte objekt i Operacionit Forca e Ligjit, por nuk iu sekuestrua asnjë pasuri.
Nga maji deri në tetor nuk shkaktoi asnjë problem deri pak ditë më parë, ku u shfaq tejet i revoltuar për ndryshimin e një tavoline duke i marrë kështu jetën një personi. Pas ngjarjes u zhduk për në drejtim të paditur, ndërkohë që Policia nuk ka mundur ende që ta lokalizojë.
Për çdo informacion që ndihmon në lokalizimin e vendndodhjes së këtyre personave, Policia e Shtetit njofton se do t’i vihet në dispozicion shuma të konsiderueshme parash. / S.M