Juristi Ylli Manjani ka komentuar në një intervistë televizive vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Sipas Manjanit, ky vendim është një shpikje dhe një rast unik, duke theksuar se Gjykata e Apelit nuk ka ndjekur as kërkesën e SPAK për “arrest shtëpie” dhe as procedurat standarde ligjore, duke qenë se hetimet ndaj Berishës dhe të pandehurve të tjerë tashmë janë mbyllur dhe çështja është kaluar në gjyq.
“Ky vendim më është dukur si një vazhdim i humorit të Vitit të Ri. Gjykata ka shpikur një zgjidhje të re. Hetimet për Berishën dhe personat e tjerë në këtë dosje kanë përfunduar. Teknikisht, kur hetimet mbyllen, dosja dorëzohet në gjykatë, dhe prokurorët bëjnë akuzat e tyre. Roli i prokurorit kufizohet në mbrojtjen e akuzës në gjyq, ndërsa të pandehurit mbrohen nga avokatët e tyre në kushte të barabarta,” shpjegoi Manjani.
Ai shtoi se vendimi i Apelit është në kundërshtim me procedurat ligjore, duke mos marrë parasysh ankimimin e SPAK apo rregullat që lidhen me fazën hetimore. Sipas Manjanit, kërkesa për detyrim paraqitje në rastin e Berishës është një vendim i pakuptimtë, duke qenë se institucioni i OPGJ-së (Oficer i Policisë Gjyqësore) në këtë rast nuk ekziston më.
Ky vendim, sipas tij, krijon një situatë të pashembullt në drejtësi dhe ngre pikëpyetje mbi procesin ligjor të ndjekur në këtë rast./ S ,M