Pas 14 javëve stërvitjeje, 24 efektivë finalizuan Kursin e 20-të Bazë “Komando”. Mes tyre janë edhe 8 efektivë nga Kosova dhe për herë të parë këtë kurs e finalizojnë edhe dy vajza.
Pas 14 javëve stërvitjeje, 24 efektivë finalizuan Kursin e 20-të Bazë “Komando”. Mes tyre janë edhe 8 efektivë nga Kosova dhe për herë të parë këtë kurs e finalizojnë edhe dy vajza.
Në ceremoninë e shpërndarjes simbolike të beretave ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Altin Kurti, komandanti i Forcës Tokësore gjeneralmajor Ilir Xhebexhia dhe familjarë të kursantëve.
Vengu deklaroi krah homologut të tij nga Kosova se e ardhmja e dy vendeve është në NATO.
“Nuk mund veçse të ndihem edhe më optimist, sepse e ardhmja e dy vendeve tona është në trungun e përbashkët të Aleancës, edhe pse shpirtërisht dhe emocionalisht nuk jemi ndarë asnjëherë. Shpërndarja simbolike e beretave për kursantët sot nuk është fundi i misionit për ne, por fillimi i një kapitulli tjetër për të çuar përpara dhe zhvilluar edhe më shumë misione të tilla kaq të rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë, Kosovës e si pasojë gjithë Ballkanit. Kjo ceremoni forcon jo vetëm marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit në fushën e arsimit ushtarak, por rrit edhe nivelin e shkëmbimit të eksperiencave me Kosovën, të cilën kemi dyfish përgjegjësi për ta ndihmuar e mbështetur në rrugën e anëtarësimit drejt strukturës më të madhe të sigurisë që ka njohur njerëzimi, Aleancës së NATO”, theksoi ministri Vengu.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci vlerësoi ministrin Vengu për qasjen e tij ndaj forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë periudhë si kulmin e marrëdhënieve në fushën e Mbrojtjes mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kursantët demonstruan për të pranishmit: goditje objekti, infiltrim nga ajri dhe toka, qitje me pengesa e luftim trup me trup.
Kursi i 20-të Bazë “Komando” zgjati për 14 javë dhe u nda në 3 faza. Nga 38 kursantë, vetëm 24 prej tyre arritën ta finalizojnë./K.K