Nga Wolfgang Müncau
E përbashkëta e kontinentit të vjetër, është paaftësia për të rishpikur veten. Ndaj nuk është çudi që projekti i tyre dikur i madh, është sot në prag të kolapsit.
Ata kanë një histori krenare. Por sot përdorin modele biznesi të vjetruara. Ndihen jo rehat me botën dixhitale. Dhe popullsia e tyre po plaket me shpejtësi. Elementet e medias tradicionale dhe disa prej vendeve më të mëdha të Evropës, kanë shumë të përbashkëta midis tyre.
Ata e gjejnë veten të çorientuar në një shekull që nuk po shkon në rrugën e tyre. Dhe kanë edhe një gjë tjetër të përbashkët. Fajësojnë për shumë gjëra Donald Trumpin.
Është tashmë tipike, që ngjarja më e rëndësishme politike për Evropën këtë muaj, është inaugurimi në detyrë i Trump.
Presidenti ri i SHBA-së nuk është shkaku specifik i ndonjë gjëje që ka shkuar keq. Megjithatë është i detyruar të nxjerrë në pah dobësitë e Evropës dhe kjo e tremb.
Ndërkaq, ai është i frikësuar edhe për politikën e tij tregtare, e cila mund të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike. Trump mund të vendosë një tarifë të përgjithshme mbi të gjithë mallrat industriale që importohen, siç edhe propozoi gjatë fushatës së tij.
Ose mund të synojë veçanërisht të godasë Kinën dhe Gjermaninë. Ose mund të përpiqet të arrijë një marrëveshje me to. Megjithatë, në një mënyrë a tjetrën, ai do të përpiqet të mbështetë vendin e tij të balancojë disi raportin midis importeve dhe eksporteve me Kinën dhe Gjermaninë.
Akti i Reduktimit të Inflacionit i administratës Biden, i nxiti kompanitë industriale evropiane që të zhvendosnin në SHBA një pjesë të prodhimit të tyre. Edhe tarifat mund të japin të njëjtin efekt. Ato mund të shkaktojnë fazën tjetër të rënies industriale të Evropës.
Donald Trump, është një udhëheqës jashtëzakonisht i vështirë për t’u parashikuar, por ky është një skenar shumë real. Gjithsesi, ne e dimë se ai nuk e vret shumë mendjen për marrëdhëniet transatlantike; të cilat nuk kanë për SHBA-në të njëjtën rëndësi strategjike që kishin dikur.
Prandaj, një kërcënim më i afërt për Evropën, do të ishte kundërpërgjigja e tij ndaj luftës në Ukrainë. Në aspektin ekonomik, nuk ka asnjë mënyrë që evropianët ta vazhdojnë mbështetjen e tyre për Zelenskyn pa ndihmën e SHBA-së.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka pranuar hapur se nuk është i përgatitur të sakrifikojë shpenzimet e mirëqenies sociale të qytetarëve gjermanë për të financuar dërgimin e më shumë armëve për Ukrainën, dhe teksa ka nisur fushatën zgjedhore, ai po refuzon të zgjedhë midis politikave sociale dhe atyre të mbrojtjes.
Tre vjet më parë, ishte një histori tjetër kur ai deklaroi një Zeitenwende – një ndryshim qasjeje epokale. Por doli se ky ndryshim varej nga çmimi i duhur. Udhëheqësit e tjerë evropianë mund të jenë më diplomatikë se Scholz në publik. Por edhe ata përballen me të njëjtat kufizime politike dhe ekonomike.
Marrim për shembull Emmanuel Macron. Presidenti francez është në aspektin retorik në një pozicion të ndryshëm nga Scholz. Por edhe burimet e vendit të tij janë thuajse të ngjashme. Franca nuk mund të japë vetë ndonjë mbështetje domethënëse ushtarake apo financiare për Ukrainën.
Duke qenë se Rusia është prej disa kohësh e avantazhuar në frontin e luftës, për të ndryshuar balancat do të duhej një sakrificë e madhe financiare nga të gjitha vendet e BE-së, por edhe nga Trump. Dhe unë nuk po shoh që të ndodhë diçka e tillë.
Ka më shumë të ngjarë që Trump të përpiqet të imponojë një marrëveshje paqeje në Ukrainë. Por kjo do të ekspozonte hipokrizinë dhe dobësinë e Evropës, teksa ajo po përpiqet të mbajë premtimet e saj: garancitë e sigurisë pas përfundimit të luftës; financimin e rindërtimit të Ukrainës; dhe hapjen e rrugës për anëtarësimin e saj të ardhshëm në BE.
Skenari i mundshëm, është ai në të cilin Ukraina, ashtu si Turqia dikur, të ngecë në paradhomën e BE-së, dhe ku e vetmja dalje do të jetë dera nga e cila hyri. Nuk do të doja të spekuloja, se çfarë përfundime mund të nxjerrin votuesit ukrainas, pasi të kuptojnë këtë të vërtetë të hidhur mbi Evropën Perëndimore.
Pra se ajo është kthyer në një vend fjalësh të mëdha dhe premtimesh të pa mbajtura.
Ndoshta është e qartë se Scholz dhe Macron, kanë zgjedhur pikërisht këtë moment për t’i zhytur në kriza politike vendet e tyre. Basti i nxituar i Macron për të thirrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare verën e vitit të kaluar, e futi Francën në një ngërç të gjatë politik, nga i cili mezi po përpiqet që ta marrë veten.
Presidenti francez, ka sot një parlament të përçarë që e rrëzoi kryeministrin Michel Barnier kur ai prezantoi një buxhet, i cili do të kishte ndërmarrë një hap të parë serioz drejt vendosjes nën kontroll të deficitit fiskal. Mjerisht, kryeministri i ri, François Bayrou, duket se nuk ka shumë politika ekonomike domethënëse.
Vetë Macron nuk u interesua kurrë shumë për buxhetin, sepse ishte rritja ekonomike, ajo që amortizonte gjithmonë deficitet. Por tani nuk është më kështu, dhe pikërisht në këtë kohë politika franceze po e hedh poshtë aritmetikën e saj fiskale.
Edhe një krizë e borxhi sovran, që është një skenar i mundshëm, mund të mos mjaftojë për të bërë bashkë politikanët francezë. Në Gjermani, Scholz shkaktoi një krizë politike pikërisht në ditën e rizgjedhjes si president të Donald Trump.
Ai i dha fund koalicionit pas një përplasje të vogël financiare me Christian Lindner, Ministrin e tij të Financave që vinte nga radhët e të Demokratëv të Lirë. Gjermania ka një borxh më të ulët se Franca, megjithatë problemet e saj ekonomike janë më serioze. Rënia e saj industriale po vazhdon prej kohësh, ndërsa modeli i saj ekonomik i bazuar tek eksportet nuk po funksionon më. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me gazin rus apo energjinë bërthamore. Dhe nuk është as histori e një vendi që ka dështuar të investojë dhe të jetë inovativ gjatë dekadës së fundit, apo e një vendi që është mbështetur shumë tek një numër i vogël industrish.
Modeli ekonomik i Gjermanisë varet nga tepricat e vazhdueshme të llogarisë korente, por Kina është tashmë një rivale serioze, dhe nën Trump SHBA-ja nuk mund të mbështetet më tek ajo që të veprojë si një përthithëse e gatshëm e këtyre tepricave. Ndërsa Gjermania shkon në zgjedhje muajin e ardhshëm, unë përpiqem të identifikoj qoftë edhe një politikan që është i fokusuar në ndonjë nga këto çështje. Miqtë e vërtetë të Evropës, janë ata që i thonë të vërtetën pushtetit, të cilët inkurajojnë ndryshimin dhe reformat, në vend se të lajkatojnë statuskuonë.
Por BE-ja ka zgjedhur të dëgjojë zërat e gabuar, dhe politika e identitetit ka zënë një vend shumë të madh. Sipas narrativës tashmë dominuese në qarqet politike, Brukseli është nën sulmin e populistëve dhe fashistëve.
Ndaj u duartrokit vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Rumani për të anuluar zgjedhjet presidenciale, sepse votuesit u ndikuan padrejtësisht nga Rusia përmes TikTok, ose siç mund ta thonë ata, fitoi njeriu i gabuar.
Tani po akuzojnë Elon Musk se po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë në Gjermani, pasi po mbështet partinë Alternativa për Gjermaninë të ekstremit të djathtë. Po si u rrudh kaq shumë ndikimi i Evropës? Unë e mbaj mend si një bllok shumë më të sigurt në vetvete në fund të viteve 1980 dhe fillimin e viteve 1990.
E prezantuar në vitin 1999, monedha e përbashkët euro ishte filigrani kryesor i integrimit evropian. Madje në atë kohë, unë pyesja veten nëse një ditë mund të zëvendësonte dollarin si monedha kryesore e botës. Zgjerimi i BE-së në Evropën Qendrore dhe Lindore 5 vjet më vonë ishte një tjetër triumf politik.
Por më pas nisi kundër-reagimi. Refuzimi i traktatit kushtetues evropian nga Franca dhe Holanda në vitin 2005, i dha fund ëndrrave për zhvillimin e BE-së në një shtet federal, ndërsa kriza globale financiare 3 vite më vonë nxori në pah dobësinë e sistemit bankar evropian.
Ndërkohë, kriza e borxhit sovran të eurozonës solli më të keqen tek të gjithë. Madje, dy politikanë gjermanë sugjeruan që Greqia të shiste një ose dy ishuj e saj për të paguar borxhin. Pasuan dështime të tjera. Kështu BE-ja dështoi në zgjidhjen e krizës në një nivel politik, dhe ishte e nevojshme ndihma e Bankës Qendrore Evropiane.
Për mua, ai ishte momenti kur vdiq ëndrra e integrimit evropian. Sot rritja ekonomike duket se nuk është më një prioritet politik. Në vend të kësaj, fokusi i BE-së gjatë 5 viteve të fundit ka qenë Axhenda e Gjelbër, e cila rrit masivisht kostot për kompanitë, Ukraina, si dhe ligjet për mbrojtjen e të dhënave dhe mediat sociale, që synojnë të mbajnë prapa BE-në në epokën dixhitale.
E përbashkëta e tyre, është paaftësia për të rishpikur veten. Ndaj nuk është çudi që projekti i tyre dikur i madh, është sot në prag të kolapsit./Pamfleti nga “Unherd”.