Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë të tjera ndryshime të drejtuesve politik në qarqe. Ish-kryeministri Pandeli Majko është transferuar nga Kukësi drejt Tiranës. Reagon Berisha: “Majko është ‘kriminel elektoral’”.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh shef i selisë rozë ka bërë ndryshime të tjera sa i takon drejtuesve politik në 12 qarqet e vendit në prag të fushëtës elektorale. Në mbledhjen e djeshme që zgjati një orë e tridhjetë miniuta, Rama ka njoftuar Pandeli Majkon se do të zhvendoset na Kukësi për në Tiranë për të fushatën zgjedhore, duke e çuar në pesë numrin e drejtuesve politik. Tirana si qyteti që “prodhon” më shumë deputetë, kryeministri Edi Rama e ka blinduar duke vendosur përveç Elisa Spiropalit, Erion Veliajt, Ogerta Manastirliu, Blendi Gonxhen edhe deputetin më të vjetër të Partisë Sociaslite, Pandeli Majkon, njeriun që në zgjedhjet e fundit parlamentare e vendosi në vijën e zjarrit në listën e kandidatëve për Tiranën, ku iu desh largimi I deputetëve të tjerë të PS-së që të kapte një vend në Parlament. Gjithsesi Majko ishte i deleguari për zgjedhjet e parakohëshme lokale në Kukës, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Safet Gjici. PS arriti rezultat pozitiv në atë zgjedhje, duke e bërë gati të palëvizshëm Majkon, por llogaritë politike të Ramës janë ndryshe këtë herë, pasi qarku Tiranë ka mjaft rëndësi për numrin më të madh të deputetëve që nxjerr, 37 të tillë. Gjithsesi aktualisht Qarku Tiranë do të merret në “patronash” nga 5 eksponentë të PS, që siç duket do të ndajnë peshën më të madhe politike për qarkun e Tiranës, nuk janë të vetmit. Në terren, në krah të Manastirliut është angazhuar edhe ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, konkretisht në njësinë 11, ndërsa në njësinë 5 një tjetër ministre, ajo e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj. Forcimi i Tiranës me drejtues politik dhe më tepër rikthimin e deputetit Majko në kryeqytet është parë ndryshe nga kreu I PD-së Sali Berisha, i cili në një komunikim me gazetarët e ka quajtur Majkon “kriminel elektoral”. “Pandeli Majko duket si ashtu, por është kriminel i madh elektoral në Kukës. I regjistruar në tavolinë me regjistrues të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, jo për Majkon, por për trafikant që mblidheshin aty. Aty shkon dhe zoti Pandeli, dosja është tek ata por edhe tek unë. Shkon Pandeliu me Alban Çelën dhe drejtorin e OSHE së Kukësit, ti thotë drejtorit në Has të kërkoj shtyllat centrifugale. Do i marrësh në një kompani buzë Erzenit. Do faturohen 800 mijë euro, 300 mijë do i dërgohen Tropojë për të blerë vota, 200 mijë në Durrës, tjerat në Kukës. Oficeri i cili ishte në detyrë për të hedhur në qark trafikantët habitet. Në bisedë aty përfaqësuesit e Hasit kërkojnë armë, se Miftar Dautin nuk e mundin dot. Ky oficer, njeri i ligjit e merr regjistrimin përgatit dosjen dhe e dorëzon në SKAP”, ka thënë Berisha për Pandeli Majkon. Por socialisti ka reaguar pas deklaratës së bërë nga kreu i Partisë Demokratike. Majko i është përgjigjur ironikisht duke i thënë demokratit “Ishte një kënaqësi tu dëgjoja të më fyenit! Kjo do të thotë se kam bërë gjënë e duhur! Ka shumë lloj vjedhjesh në këtë botë Doktor! Më e keqja, është vjedhja e të ardhmes! Sigurisht!”. Ai më tej thotë se: “Publiku i shoqërisë sonë është mjedis delikat! Tundini dhe shkundini njerzit me gënjeshtrat e duhura dhe ata do të verbohen e sdo te shohin cmendurinë që kane para syve! Konfuzioni është kontroll! Kjo është e vërteta e vërtetë e Sali Berishës! Nuk besoj se jam aq i fortë sa të “vjedh” fitoren e munguar të PD në qarkun e Kukësit! Edhe të përsëritur! Vjedhja e votave dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar është mirë tu lihet atyre që kanë fuqi të kontrollojnë punët e kësaj bote! Atyre që dinë dhe ju dhimbset Shqipëria më shumë se sa ata që ajo ka mbajtur me pushtet dhe janë gati ti vënë flakën vendit kur mbesin pa të!”, shkruan Majko në reagimin e tij.