Konsumi i alkoolit është një çështje e rëndësishme shëndetësore dhe sociale në shumë vende, përfshirë Shqipërinë. Ndërsa normat dhe zakonet e konsumit të alkoolit ndryshojnë nga një vend në tjetrin, është e rëndësishme të kuptojmë tendencat dhe ndikimet e tij në shoqëri dhe shëndet.
Ndërkohë që shqiptarët renditen mes vendeve të para për konsumin e duhanit, me një normë prej gati 22% sipas Bankës Botërore, duket se për konsumin e alkoolit nuk jemi shumë të pritur, gjithmonë referuar të dhënave zyrtare nga “Organizata Botërore e Shëndetit”.
Në publikimin më të fundit të institucionit në vitin 2024 i titulluar “Raporti i statusit global mbi alkoolin dhe shëndetin dhe trajtimin e çrregullimeve të përdorimit të substancave”, trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse konsumi mesatar i alkoolit sipas vendeve.
Sipas të dhënave të raportit, konsumi i alkoolit për frymë në Shqipëri vlerësohet në rreth 5.1 litra në vit. Shifrat sipas gjinisë thonë se një mashkull konsumon rreth 8.4 litra në vit, ndërsa femrat 1.9 litra në vit. Edhe projeksionet për këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm qëndrojnë në të njejtat nivele.
Theksojmë se konsumi i regjistruar për pothuajse çdo vend bazohet në statistika rutinë si taksat ose prodhimi, eksporti dhe importi, por edhe anketa të kryera nga institucioni.
Megjithatë duhet të marrim në konsideratë se konsumi i ulët i Shqipërisë, krahasuar me vendet e tjera, lidhet me faktin se prodhimi i verës dhe sidomos rakisë është një burim artizanal por edhe burim informal i alkoolit.
Sa i përket krahasimit me rajonin, të dhënat thonë se Shqipëria renditet e parafundit, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut me 4.6 litra për frymë në vit. Kryeson Mali i Zi me 10.3 litra, pasuar nga Serbia me 7.9 litra dhe Bosnje Hercegovina me 6.4 litra për frymë.
Në Europës duket se “kupën” për konsumin e alkoolit e mban Rumania pasuar nga Gjeorgjia, Çekia, Gjermania, Bullgaria, vendet Baltike, Moldavia dhe Rusia.
Raporti bazohet në të dhënat e mbledhura nga OBSH nga Shtetet Anëtare dhe të organizuar në përputhje me objektivin shëndetësor 3.5 të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm./ Scan/ S,M