Institucionet publike do të hyjnë në marrëveshje partneriteti me ndërtuesit, njëlloj si këto të fundit bëjnë me pronarët privatë. Kjo është nisma e re e prezantuar të enjten paradite në godinën e Kryeministrisë.
Programi quhet “Urat e reja për Shqipërinë 2030” dhe sipas asaj që Rama tha është i bazuar në praktikat më të mira europiane dhe në bashkëpunim me institucione simotra në Europë të Korporatës Shqiptare të Investimeve.
Adelina Greca, drejtore e Agjencisë Kombëtare e Planifikimit të Territorit, zbuloi se dy pronat e para të cilat do të zhvillohen janë ish-Parku i delegacioneve, që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi” dhe ish-godina e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ku sot ndodhet Ministria e Mjedisit.
“Natyrisht që këto projekte do të vendosen përmes garave të hapura dhe që synojnë nga një anë t’i vënë në dispozicion shtetit hapësira të reja, me standarde europiane për aktivitetin e administratës publike dhe nga ana tjetër t’i japin mundësi sipërmarrjes që të bëjë biznes duke hyrë në një marrëdhënie me shtetin, si marrëdhënia që kryen përditë në fushën e ndërtimit me pronarët privatë”, tha Rama në fjalën e tij.
“Do të na fusë edhe ne në klubin e vendeve që këto praktika i kanë shumëvjeçare dhe të konsoliduara. Por nga ana tjetër, si rezultat, shteti nuk do të zhvishet nga pjesëmarrja në zhvillimin e peronës, duke humbur kështu mundësinë që të marrë përfitimet, por do të jetë aktor në bashkëpunim me aktorët e tjerë të tregut”. /e.t