Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet e tij sociale pamje të ndryshimit që ka pësuar vendi në sektorin e energjisë, që nga viti 2013 e deri sot.
Kreu i qeverisë shkruan se në atë kohë vendi ynë ishte vrimë e zezë në mes të Europës me vjedhjet e humbjet katastrofike të energjisë dhe radhë të e gjata për të paguar faturat.
Ndërkohë sot Shqipëria, shkruan Rama, është një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë diellore në rajon.
Kujtojmë se ditën e djeshme, u bë e mundur ulja e çmimit të energjisë elektrike, ulja e parë sipas kryesocialistit në 35 vjet të çmimit për konsumatorët familjarë
“MIRËMËNGJES dhe me këtë videokartolinë të transformimit epokal në sektorin energjitik prej vitit 2013, kur Shqipëria ishte vrimë e zezë në mes të Europës me vjedhjet e humbjet katastrofike të energjisë, radhët e gjata të gjysmës së popullit për të paguar faturat edhe për gjysmën që s’paguante, lëvizjet skandaloze të çmimit e zhurmat e gjeneratorëve nëpër rrugë, e deri sot kur jemi prodhuesit më të mëdhenj të energjisë diellore në rajon, kemi shërbime të digjitalizuara e një volum investimesh në vazhdim që do të na japin pavarësinë e plotë energjetike brenda mandatit të katërt, ndërkohë që kemi vendosur uljen e parë në 35 vjet të çmimit për konsumatorët familjarë, nga e cila përfitojnë mbi 1 milionë abonentë, ju uroj një ditë të mbarë ”, shkruan Rama./E.T