(Vetë) Vrasja e elitave

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ilir Yzeiri

Fatkeqësia më e madhe e një shoqërie është mungesa e atyre shqisave që hetojnë sëmundjen kolektive që pllakos një vend në një moment të caktuar. Sot, duke qenë një shoqëri e organizuar më shumë sipas konfliktit apo opozicionit ideologjik vulgar, ne e riprodhojmë veten tonë përmes debateve pa asnjë ide, përmes retorikave që vijnë nga shtabet e partive poltike, të cilat, duke qenë autoriteti suprem i këtij vendi, i kanë zënë frymën hapësirës publike dhe askush nuk shqetësohet përse po vriten apo vetëvriten elitat shqiptare.

Nëse duam të kuptojmë se nga na vjen kriza e thellë e elitave në kohën tonë, është mirë të kthehemi pas në kohë e të shohim si u ngjizëm ne si shtet. Mes shumë librave që i kushtohen viteve 1910-1914, këto ditë, po lexoj një libër të një historiani gjerman, Hanns Christian Löhr me titull « Themelimi i Shqipërisë – Wilhelm Widi dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha në Ballkan 1912-1914 » (Botim i Skanderbeg Book, Tiranë 2019, përkthyer nga Elda Gjana-Boriçi).

Aty ti mund të shohësh me trishtim se, ndërsa fqinjët tanë nisën Luftën Ballkanike dhe pastaj gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër negocionin me Fuqitë e Mëdha apo « Koncertin » siç quhej, vendime për ta copëtuar Shqipërinë, ne shqiptarët nuk kishim as ushtri, as institucione që t’i tregonim botës se cilët ishim. Sikur vetëm historia e Shkodrës të tregohej siç duhej dhe angazhimi i jashtëzakonshëm i Bertoldit, ministrit të jashtëm austriak, që u bë gati gati një luftëtar për të mbrojtur territoret dhe për të krijuar Shqipërinë, do të mjaftonte të kuptohej se ne erdhëm në agim të shekullit të shkuar vetëm me heroizmin e malësorëve dhe luftëtarëve shqiptarë që copëtoheshin e vriteshin me fqinjët, por pa elita, pa asnjë institucion mendimi. Nuk po flas për traditën e institucioneve shoviniste të fqinjëve që niste me megaliidhenë e vazhdonte me pansllavizmin, por e kam fjalën për një territor që nuk kishte as edhe një institucion të spikatur mendimi.

Nuk harroj në këtë rast punën titanike të klerikëve të mëdhenj katolikë shqiptarë apo atyre ortodoksë që përpiqeshin të mbanin gjallë shqiptarizmën. Nuk kam harruar as edhe punën e patriotëve shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë, në Misir, Aleksandri, Stamboll apo Bukuresht dhe në Amerikë më pas. Të gjithë këta, bashkë me elitat që ndodheshin në Italinë e Jugut, pra arbëreshët, janë një shenjë që tregojnë se përse edhe sot Shqipëria nuk arrin të krijojë elitat brenda vendit, por ose i vret ose vetëvriten dhe vetëm nëse ikin nga ky vend, ato elita shkëlqejnë.

Njësoj si sot. Nëse do të bëjmë një vështrim të shpejtë do të vërejmë se, pasi Fuqitë e Mëdha dhe sidomos Austria, na dhanë këtë Shqipëri që kemi sot, ne, deri në vitet ’20, ishim në një kaos total, njësoj si pas vitit 1990, apo pas vitit 1997. Pas vitit 1920 shteti nis të konsolidohet dhe Shqipëria bën hapa përpara. Për herë të parë studentë shqiptarë që studionin jashtë, e sidomos në Austri e Itali, ktheheshin në vend dhe ndihmonin të konsolidohej ekonomia e dija. Por edhe gjatë Mbretësisë nuk u arrit të ndërtohej një institucion mendimi.

Lufta mes shtetit laik dhe arsimit fetar zotëroi një pjesë të debatit dhe konfliktit ideologjik derisa erdhi pushtimi fashist dhe italianët ngritën Institurin e Studimeve Shqiptare që dha një ndihmesë të qenësishme në studimin e historisë shqiptare që ishte varrosur në arkivat e huaja. Vjen komunizmi dhe nën frymën e Bashkimit Sovjetik dhe të ideologjisë marksiste të huazuar që andej, komunistët nisën të ndërtojnë institucionet arsimore e kulturore sepse besonin që projekti i tyre mund të realizohej vetëm përmes dijes. Është një debat tjetër se çfarë natyre patën ato institucione, por është fakt se Shqipëria, për herë të parë ndërtoi një sistem të plotë të institucioneve shqiptare, rrjet universitetesh e qëndrash kërkimore, të cilat, në kushtet e izolimit të plotë, kishin mangësitë e tyre. Pas vitit 1990 Shqipëria u zhyt në krizën ciklike që e ka si natyrë të sajën. I shkatërroi të gjitha dhe tani nuk di çfarë të ndërtojë.

Lexo edhe :  Kur Liria e Fjalës vihet në shënjestër... 10 vjet nga masakra në “Charlie Hebdo”

Epoka e tranzicionit shqiptar mund të quhet pa frikë eksperimenti për të ndërtuar një fshat të madh me njerëz që u është shpëlarë truri, për të cilët kuptimi i jetës është paraja, fitimi dhe pasurimi. Të gjitha qeveritë, pa asnjë përjashtim, kanë punuar që të vrasin elitat ose t’i lënë të vetëvriten.

Përse?

Sistemi universitar shqiptar është dhjetë herë më keq për nga niveli se ç’ishte para vitit ’90. Elitat më të mira të atij institucioni kanë ikur jashtë dhe sot me ligjin për arsimin e lartë dhe me « pavarësinë » e universiteteve, këto të fundit, janë kthyer në shoqëri anonime që administrohen nga disa drejtues të stërvitur që ta rregullojnë rekrutimin përmes kriterit të tarafit, mikut dhe parave. Porvojeni të konkuroni në një fakultet apo departament dhe do ta shihni. Ndaj studentët më të mirë tanët ikin nga sytë këmbët se këtu institucionet shkencore nuk i qasin, sepse këtu meritokracia është zëvendësuar me partitokracinë dhe eurokracinë. Ne sot nuk kemi Bibliotekë Kombëtare. Jemi i vetmi shtet në botë që nuk ka një të tillë. Biblioteka Kombëtare është në një godinë të amortizuar dhe librat rrinë në arka bananesh për mungesë të vendit. Problemi është se vend nuk e ndien nevojën e një Biblioteke.

Shqipëria nuk krijon sot modelin e një vendi që ka nevojë për elitat, për ata qindra e qindra studiues apo studentë që jetojnë jashtë e duan të kthehen apo që mbarojnë këtu e duan të rrijnë e të sistemohen këtu. Sistemi nuk i përthith ata sepse elitat janë tepër në këtë vend.

Lajmërimet për vende të lira pune në administratë janë për aparatçikë partiakë, por asnjëherë për profesionistë të dijes. Partitokracia është shtrirë në të gjitha poret e shoqërisë dhe vendi kështu po degradon në një shkretëtirë pa ide, pa asnjë projekt madhor, por vetëm në spektakle folklorike që mburrin një kastë të caktuar me krenarinë e një kombi që nuk di të bëjë gjë tjetër po vetëm shenjën e shqiponjës me dy duar. Spitalet, universitetet apo edhe hapësira publike po mbahen ende në këmbë nga ndihmesa e një brezi qe vjen nga shkollimi i para tridhjetë vjetëve.

Në spitalet shqiptare sidomos pas pak kohësh do të vërehet kriza e rëndë dhe e thellë e personelit atëherë kur brezi i 50-vjeçarëve të dalë në pension. Kush do t’i zëvendësojë ata ? Le të na tregojë dikush me një studim të mirëfilltë se çfarë do të ndodhë me institucionet e arsimit apo me shërbimet në këtë vend pas 20 vjetësh.  Për fat të keq, në vend të vetëdijes së thellë kombëtare për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar edhe me arsim e shëndetësi, ne po jepemi me mish e me shpirt pas transformimit të këtij vendi në një fshat të madh turistik që do të jetë prona e zengjinëve të këtij vendi.

Sikur vetëm modelin e zhvillimit të Turqisë të kishim ndjekur do të kishte qenë ndryshe. Turqia moderne u mbështet mbi tri shtylla : universitet- shëndetësi- kinematografi dhe pastaj turizëm. Mirëpo kjo mund të ndodhë nëse vetëdija e një kombi buron nga ideja se je një vend i madh dhe u jep shansin të gjithëve që të konkurojnë në këtë vend dhe harton një projekt që elitat brenda e jashtë vendit të mos (vetë)vriten.

Të fundit

Agjencitë sjellin punonjës nga Azia dhe Afrika për të plotësuar nevojat e bizneseve

Teksa agjencitë punësimit po sjellin rregullisht punonjës nga Azia dhe Afrika për të plotësuar nevojat e bizneseve në disa...

Balluku për uljen e çmimit të energjisë: Nuk do të ketë më fatura afrofe

Pas miratimit të vendimit të ERE, kryeministri Edi Rama dhe zv. Kryeministrja Belinda Balluku zyrtarizuan uljen e çmimit të energjisë elektrike në vend deri...

Zgjedhjet/ Berisha: Më 11 maj do të shënojmë fitoren më të thellë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi këtë të enjte një takim me degën në Berat. Gjatë fjalës së tij, ai krahasoi situatën aktuale të...

Analisti Plator Nesturi emërohet Prefekt i Vlorës!

Diplomati dhe analisti Plator Nesturi është emëruar Prefekt i Vlorës. Ai zëvendëson në këtë post Vangjel Tavon, i cili mori drejtimin e Bashkisë së Himarës. Nesturi...

Meta në burg, Berisha zbulon arsyen e fortë përse nuk e ka takuar ende ish-presidentin

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një studio televizive tha se arsyeja e vetme pse nuk ka shkuar të takojë Ilir Metën...

Lajme të tjera

Web TV