Udhëheqësit rus Vladimir Putin i pëlqen të tregojë anën e tij të ashpër – por kundërshtarët e tij e shohin atë më shumë si një përbindësh frikacak plot shqetësime. Kështu prezantohet tani edhe Putini në filmin “Putin”, i cili shfaqet në kinematë gjermane nga 9 janari. Në film, kreu i Kremlinit “luhet” nga një version i Putinit i krijuar me inteligjencë artificiale. Ekipi i regjisorit polak Patrick Vega ka xhiruar një film horror, ku prezantohet jeta e Putinit që nga fëmijëria e tij e dhunshme. Vega, veprat e të cilit shpesh cilësohen nga kritikët e tij si kinema vulgare, tregojnë presidentin rus, ndër të tjera, duke u dridhur gjysmë i zhveshur dhe me pelena në një shtrat të ndotur dhe duke u pastruar nga infermieret.
Krijuesit e filmit ndoshta janë frymëzuar nga spekulimet rreth gjendjes shëndetësore të Putinit. Sigurisht, Kremlini e ka përsëritur shumë herë se Putini është në gjendje të mirë shëndetësore, me politikanin rus të parë në të kaluarën duke notuar, duke bërë xhudo ose duke luajtur hokej. Në film, megjithatë, protagonist është një version i moshuar i Putinit, i cili është pak para vdekjes.
Filmi gjithashtu paraqet spekulimet rreth marrëdhënies së Putinit me Alina Kabaeva.
Filmi përfshin disa ngjarje nga jeta e Putinit, siç janë bërë të njohura nga biografitë e ndryshme të presidentit rus, por krijuesit përfshijnë edhe shumë skena të sajuara.
Skenat e një jete plot dhunë
Shikuesit janë zhytur në jetën e turbullt të Putinit, duke përfshirë kohën e tij kur punonte për KGB-në, periudhën traumatike të kaluar në Dresden dhe kthimi i tij në vendlindjen e tij, Shën Petersburg (ish-Leningrad), ku ai ka një karrierë në administrata publike mes kaosit të viteve 1990 përkrah kryebashkiakut Anatoli Sobchak.
Filmi gjithashtu spekulon se Sobchak u vra para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000, në mënyrë që të mos ishte në rrezik për shkak të asaj që dinte nga brenda. Sipas versionit zyrtar, Sobchak vdiq nga një atak në zemër. Me këtë fakt dhe së bashku me vrasjen e Boris Jelcinit, i cili paraqitet si lypës, filmi kërkon të nxjerrë në pah etjen e pashuar të Putinit për pushtet. Presidenti rus shfaqet i përhumbur nga fantazmat e së kaluarës, si një lider që ka bërë luftëra si në Çeçeni dhe sot në Ukrainë, kryesisht për të ruajtur pushtetin.
Fokusi nuk është te sistemi, por gjithmonë te Putini, ish-kreu i shërbimeve sekrete, i cili organizon edhe shpërthime shtëpish për të terrorizuar qytetarët. Regjisori Vega fokusohet në terrorin që u përhap gjatë viteve të para të Putinit në detyrë, duke paraqitur pengjet në teatrin e Dubrovka (2002) dhe shkollën në Beslan (2004).
Filmi gjithashtu portretizon bombardimet ruse që rrafshuan qytete të tëra, duke përfshirë Ukrainën, si dhe masakrën e Butës, si simbole të krimeve të luftës ruse – për të cilat Putini ende mohon çdo përgjegjësi.
Filmi “Putin”, megjithatë, nuk është një film që lëviz ekskluzivisht brenda kornizës së absurditetit dhe imagjinatës së shfrenuar – përkundrazi, është pjesërisht e frikshme afër realitetit. Vega ndër të tjera merret me pyetjen se çfarë ndodh kur një njeri, si Putini, vazhdon të veprojë dhe të dominojë, pa e penguar dot askush./E.T