Dënimi i dhënë presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, për çështjen e pagesave të bëra për të blerë heshtjen e një ylli të filmave për të rritur, i dha fund dhe procesit të parë gjyqësor penal të ngritur ndaj republikanit.
Por edhe pse i dënuar zyrtarisht, Trumpi nuk do të kalojë asnjë ditë në burg, nuk do të paguajë gjobë e nuk do të ketë asnjë pasojë tjetër ndëshkuese.
Por nëse dënimi për falsifikimin e të dhënave të biznesit nuk rrëzohet një ditë, Trump do të ketë një dosje kriminale, që do të ndikonte në disa nga të drejtat e tij. Sakaq, në 20 janar ai do të betohet si i vetmi President i Shteteve të Bashkuara me dënim penal për krime. Gjykatësi Juan M. Merchan mund ta kishte dënuar 78-vjeçarin republikan deri me katër vjet burg.
Në vend të kësaj, ai zgjodhi një dënim që anashkaloi çështje të mprehta kushtetuese duke i dhënë fund rastit. Kjo nuk e kurseu megjithatë Trumpin nga fakti që do të bëhet personi i parë i dënuar për një krim që do të marrë presidencën.
Republikani iu drejtua shkurtimisht gjykatës me një videolidhje nga shtëpia e tij në Florida, ku tha se gjykimi dhe dënimi i tij penal ka qenë “një përvojë shumë e tmerrshme” dhe këmbënguli se ai nuk kishte bërë asnjë krim.
“Ka qenë një gjueti shtrigash politike. Është bërë për të dëmtuar reputacionin tim në mënyrë që unë të humbas zgjedhjet, dhe padyshim, kjo nuk funksionoi”, tha Trump, teksa e quajti rastin “një përdorim të qeverisë si armë politike” dhe “një turp për Nju Jorkun”./K.K