Danimarka i ka dërguar një mesazh privat ekipit të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, duke shprehur gatishmërinë për të diskutuar mbi rritjen e sigurisë në Groenlandë dhe praninë ushtarake amerikane në këtë territor. Agjencia amerikane e lajmeve Axios raportoi lajmin të shtunën, duke cituar burime të brendshme.
Donald Trump, i cili do të marrë detyrën më 20 janar, e ka konsideruar kontrollin amerikan mbi Groenlandën si një “domosdoshmëri absolute”. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të mjeteve ushtarake ose ekonomike, përfshirë tarifa kundër Danimarkës, për të arritur këtë objektiv.
Sipas mediave të huaja, qeveria daneze synon të bindë Trump se shqetësimet e tij për sigurinë mund të adresohen pa pretendime mbi territorin e Groenlandës.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka kërkuar një takim me Trump, por nuk pret që ky takim të ndodhë para inaugurimit të tij. Ndërkohë, Kryeministri i Groenlandës, Mute Egede, ka shprehur gatishmëri për bisedime me Trump, duke kërkuar respektimin e aspiratave për pavarësinë e ishullit.
Danimarka ka deklaruar më herët se Groenlanda nuk është në shitje, duke mbështetur pozicionin se territori është një pjesë integrale e vendit./kb