Ekonomia 2025/ Mes turizmit dhe thikës me dy presa të ndërtimit, shansi nga BE

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekonomia ka shanse të përshpejtojë rritjen në 2025-n, e ndikuar nga turizmi dhe rimëkëmbja graduale e konsumit. Por varësia nga ndërtimi, rënia e industrisë dhe bujqësisë, ndryshimet klimatike mund të kontribuojnë në kahun negativ. Ecja përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor hapin një perspektivë për vendin, që nëse do të jetë në gjendje ta shfrytëzojë, do të ndikojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe kalimin në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Nëse ekonomia shqiptare ka një veçori, është elasticiteti ndaj goditjeve të ndryshme dhe aftësia e bizneseve, të mësuara me vështirësitë për t’u rimëkëmbur. Këtë e tregoi tërmeti i 2019-s, pandemia e 2020-2021, kriza e çmimeve në 2022-2023. Edhe në 2024, si gjithnjë, ekonomia u rrit më shumë sesa institucionet ndërkombëtare parashikuan në fillim.

Sipas INSTAT, për 9-mujorin 2024, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është zgjeruar me rreth 4%, nga rreth 3.3% që ishin pritshmëritë vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Përtej këtyre shifrave, rritja është e paqëndrueshme. Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë kontribuar në gati një të tretën e zgjerimit ekonomik për 9-mujorin 2024.

Një tjetër “shpëtimtar” ishte turizmi, që prej të paktën tre vitesh po amortizon efektin në konsum të tkurrjes së popullatës, që sipas Censit të fundit u reduktua me 400 mijë persona në një dekadë. “Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” kontribuuan me më shumë se një të katërtën e ekonomisë në 2024. “Zelli” i shtetit për të konkurruar me pagat rajonale ka bërë që “Administrata publike; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale” të sjellë gati një të katërtën e shtesës së ekonomisë.

Në një tregues që konkurrueshmëria, një faktor i rëndësishëm për të nxitur rritjen e qëndrueshme, po ulet, dy sektorë të rëndësishëm, bujqësia dhe industria kanë dhënë efekt negativ në 2024-n, teksa po i lëshojnë gjithnjë e më shumë terren importeve. Rritja e pagave, e nxitur nga presioni i emigracionit dhe jo nga produktiviteti, e gjeti industrinë të papërgatitur, duke humbur me shpejtësi avantazhin kryesor të kostos së lirë që e kishte karakterizuar në këto tri dekada.

Në të njëjtën linjë, bujqësia po vuan si problemet afatgjata strukturore që kanë sjellë mungesën e ekonomisë së shkallës, ashtu edhe pasojat e braktisjes masive të popullatës, që i është drejtuar kryesisht emigracionit. Përshtatja ka nisur, por konkurrenca nga importet po e bën më të vështirë si për bujqësinë, ashtu dhe për industrinë ndërsa përafrimi i ekonomisë me teknologjinë duket ende larg dhe reformat strukturore për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes po ecin ngadalë.

“Shqipëria ka kaluar nëpër një transformim të gjerë ekonomik gjatë viteve të fundit. Teksa vendet zhvillohen, rëndësia e sektorëve me vlerë të shtuar të ulët zvogëlohet, ndërsa ajo e sektorëve më të sofistikuar rritet.

Për të vazhduar rritjen ekonomike, ekonomia shqiptare ka nevojë për diversifikim dhe më shumë sofistikim”, thotë Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri.

“Ekonomia shqiptare duhet të vijojë agjendën e saj të reformave strukturore, të orientuar drejt përmirësimit të klimës së biznesit dhe rritjes së produktivitetit, si instrumenti i vetëm për rritjen e qëndrueshme të pagave”, pohon Banka e Shqipërisë, në një prononcim për “Monitor”.

“Duhet të vazhdojnë reformat e qeverisjes në mënyrë që të përmirësohet mjedisi i biznesit. Përforcimi i mëtejshëm i sistemit gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i masave kundër pastrimit të parave do të rrisin transparencën dhe do të tërheqin investime”, pohon Anke Weber, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë.

“Përparësi duhet t’u jepet reformave që rrisin konkurrueshmërinë, përmirësojnë institucionet dhe forcojnë stabilitetin financiar”.

Emanuel Salinas, ish-menaxheri i Bankës Botërore në Shqipëri pohon se “në periudhë më afatgjatë, do të jetë me të vërtetë e rëndësishme të sigurohet që transformimi ekonomik i vendit (drejt një ekonomie të bazuar më shumë në produktivitet) të përshpejtohet dhe rreziqet që vijnë nga ekspozimi ndaj ndryshimeve klimatike të zbuten”.

Raiffeisen Research vlerëson se pavarësisht rritjes së kënaqshme në kontekstin e situatës aktuale në Europë, Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme strukturore që pengojnë produktivitetin e saj. PBB-ja për frymë mbetet e ulët në krahasim me nivelet e BE-së, e ndikuar nga faktorë të tillë si plakja e shpejtë dhe emigracioni.

Për të rritur produktivitetin dhe për të arritur një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, Raiffeisen Research thekson se Shqipëria duhet të trajtojë këto mangësi strukturore. Kjo përfshin heqjen e barrierave për rritjen e bizneseve, kalimin në prodhimin me vlerë të shtuar më të lartë, zbatimin e reformave të qëndrueshme të qeverisjes dhe nxitjen e integrimit në zinxhirët globalë të vlerës, nëpërmjet adoptimit të teknologjisë dhe inovacionit.

Një faktor që do të ndikojë ekonominë në 2025-n do të jenë dhe zgjedhjet. “Në vitin 2025 do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe kjo pritet të ndikojë në sjelljen e konsumatorëve dhe në vendimet për investime. Nga përvoja e deritanishme është vërejtur që kur ka zgjedhje, krijohet një status quo në avancimin e projekteve dhe kërkesave për kredi. Do të dëshironim që 2025 të ishte ndryshe!”, thotë Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës së Bankave.

Nga do të vijë rritja në vitin 2025

Institucionet ndërkombëtare janë optimiste për ecurinë ekonomike të këtij viti. FMN pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.5% në vitin 2025, e nxitur nga kërkesa e brendshme dhe zgjerimi i vazhdueshëm i sektorit të turizmit.

BERZH parashikon një rritje prej 3.7% për vitin 2025, e mbështetur nga sektori i shërbimeve dhe ndërtimit nga ana e prodhimit, si dhe nga konsumi privat dhe investimet publike nga ana e shpenzimeve.

Shpejtësia e rritjes pritet të jetë e ndryshme, në varësi të sektorëve dhe faktorëve specifikë që mund të ndikojnë pozitivisht, apo negativisht. Sinjalet janë që “Ndërtimi” dhe “Tregtia, akomodimi, shërbimi ushqimor” do të vijojnë të udhëheqin ekonominë edhe në vitin 2025, teksa ato kanë mbajtur në këmbë rritjen të paktën në tre vitet e fundit.

Tregtia, transporti, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor

“Tregtia, transporti, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor” është tashmë sektori më i madh në ekonomi në 2023, me gati 19% të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB) duke ia kaluar për herë të parë bujqësisë, që deri tani dominonte në strukturën ekonomike.

Turizmi dhe rritja e pagave kanë dhënë ndikim pozitiv në 2024, teksa grupi u zgjerua me 6.1% për 9-mujorin. Edhe 2025-a pritet pozitive për sektorin turistik, ndonëse jo me rritje të fortë. Shqipëria, që është promovuar si një destinacion i lirë turistik, po bëhet gradualisht më pak konkurruese për shkak të shtrenjtimit të çmimeve.

Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, parashikon që turizmi të vijojë rritjen edhe këtë vit, ndoshta në nivelin 25% në raport me vitin 2024.

“Por duke thënë këtë, duhet të tregojmë kujdes. Qeveria dhe biznesi i sektorit të turizmit duhet të jenë të matur me hapat që hedhin sepse konkurrenca rritet. Duhet të bëhemi të zgjuar dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë, duke treguar kujdes që të plotësojmë standardet e nevojshme e të përmirësohemi aty ku ka mundësi që turizmi të mbetet me rritje konstante”.

Turizmi mbetet gjithsesi një sektor i paqëndrueshëm. “Një rënie në kërkesën për turizëm, si rezultat i goditjeve globale, mund të ndikojë në vlerën e monedhës dhe në sektorin e pasurive të paluajtshme duke rritur kreditë me probleme dhe duke kufizuar aksesin në financim”, thotë Anke Weber, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë.

Konsumi pritet të gjallërohet, i nxitur nga rritja e pagave dhe sidomos turizmi, por emigracioni i vazhdueshëm dhe shtrenjtimi i kostove të jetesës për vendasit, por, që mund të largojë edhe turistët, mund të ushtrojnë presion negativ.

Julian Mane, Zv. President i Grupit BALFIN për Tregtinë me Pakicë, kompanisë më të madhe në vend për retail pohon se pas ndikimit negativ të Covid dhe trazirave globale që ndikuan çmimet, konsumi u rimëkëmb në 2024-n dhe e njëjtat tendencë pritet edhe në 2025-n. ai shton se Shqipëria ka përfituar nga bumi i turizmit dhe ndërtimit, të cilët kanë sjellë të ardhura të konsiderueshme në ekonomi.

“Rritja e turizmit, remitancat dhe zhvillimi i sektorit të ndërtimit kanë kontribuar në rritjen e fuqisë blerëse dhe kanë prodhuar një performancë të kënaqshme të sektorit të tregtisë me pakicë”, pohon ai.

Gjithsesi, kosnumatorët vendas janë bërë të ndjeshëm ndaj çmimeve, çka po nxit kompanitë të ofrojnë blerje me këste. Për herë të parë pas tri dekadash, Shqipëria nuk është më një ekonomi që dominohet nga bujqësia. Kjo e fundit ka kaluar në aktivitetin e dytë më të madh në vend, me 16.2% të PBB-së, sipas të dhënave të rishikuara të INSTAT.

Prej disa vitesh, ky sektor ka hyrë në territor negativ dhe i tillë pritet edhe në 2025-n. Ikja e fuqisë punëtore, shtimi i kostove, rënia e Euros u janë shtuar problemeve strukturore që e shoqëronin prej dekadash. Për 9-mujorin 2024, aktiviteti i “Bujqësi, pyje dhe peshkim” ra me gati 1%.

Nuk pritet i mbarë as 2025-a. Ilir Pilku, konsulent dhe ekspert për bujqësinë, pohon se mungesa e financimit, rritja e kostove të inputeve, problematika e fuqisë punëtore, ndryshimet klimatike po i ndeshin fermerët me pamundësinë e rritjes dhe përmirësimit të prodhimit, rritjen e fitimeve dhe mbrojtjen e mjedisit, gjë që është sfida e sotme.

“Vërehet, që për herë të parë në dekada të tëra, bujqësia në vitin 2023 u përball me rënie të prodhimit kombëtar me 0.69% dhe është e dukshme rritja e produkteve nga importi”, shton ai.

Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri, pohon se “bujqësia ende luan një rol të madh në ekonomi (rreth një të pestën e vlerës së shtuar bruto dhe rreth një të tretën e fuqisë punëtore) krahasuar me vendet e tjera homologe, duke e bërë Shqipërinë më të ndjeshme ndaj efekteve negative të ndryshimeve klimatike në afatin e mesëm dhe të gjatë”.

Thika me dy presa e ndërtimit

Ndërtimi ka kaluar në sektorin e tretë më të rëndësishëm në 2023, nga i pesti që ishte më parë, duke kontribuar në 12% të ekonomisë. Për 9- mujorin 2024, ky sektor u rrit me 8.1%. Ndërtimi pritet të vazhdojë të rritet, por më shumë i orientuar nga turizmi. Ndërsa shitjet e pasurive të paluajtshme është e vështirë të parashikohen, për shkak se një pjesë e tyre ndikohen nga prurjet informale të valutës.

Lexo edhe :  Turizmi, investime në Gjinar/ Fshati turistik i Elbasanit, atraksion për turistët

Gjithsesi, operatorët e tregut parashikojnë që shitjet e apartamenteve të shtrenjta të bien. Në treg janë sinjalet për një ngadalësim të kërkesës, por çmimet parashikohet të vazhdojnë rritjen, duke shtuar shqetësimet për një flluskë të mundshme të pasurive të paluajtshme, teksa ndërtimet nuk kanë në plan të ndalen.

Të dhënat e fundit të INSTAT bënë të ditur se për 9-mujorin 2024, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet arriti një rekord të ri prej 1.6 milionë metra katror, me rritje prej 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ylli Sula, drejtuesi i “Çelësi Media Group”, thotë se kërkesa për blerje në vitin 2025 pritet të ndjekë tendencën rënëse të vitit paraardhës.

“Në Tiranë, oferta e ndërtimit vijon të jetë me mbingopje, ku ritmet e dhënieve të lejeve të ndërtimit janë të larta, ndonëse kemi edhe emigrim më të madh të të rinjve.

Pra volumi i rritjes së dhënies së lejeve për ndërtime të reja mbetet jashtë logjikës së kërkesës së qytetarëve për qëllime banimi apo edhe të bizneseve për ambiente zyrash dhe dyqanesh. Të pasurit e kanë ezauruar kërkesën për strehim. Kërkesa për prona për dyqan apo zyra ka rënë edhe nga bizneset, për shkak të çmimeve të larta”, pohon ai.

FMN dhe Banka e Shqipërisë kanë shprehur muajt e fundit shqetësimin për rritjen e ekspozimit të sistemit bankar ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për pasuri të paluajtshme dhe blerje banesash ka arritur në 50% të totalit të stokut të huasë në tetor 2024, nga 35% që ishte ky tregues një dekadë më parë, ku kërcimi filloi në gjysmën e dytë të vitit 2023.

“Ndërkohë që rreziqet sistemike në sistemin financiar të Shqipërisë mbeten kryesisht të kontrolluara, rritja e ndjeshme e kredive hipotekore dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme kërkojnë mbikëqyrje të kujdesshme”, thotë Anke Weber, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë.

“Rritja e shpejtë e kreditimit, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, përbën një burim të mundshëm rreziku për industrinë bankare dhe shqetësimi i shprehur nga Banka e Shqipërisë buron nga pozicioni i saj mbikëqyrës, kontrollues dhe i objektivit të stabilitetit financiar”, thotë Banka e Shqipërisë në prononcimin për “Monitor”.

“Ekspozimi ndaj pasurive të paluajtshme mund të krijojë varësi të tepruar në një sektor që është i ndjeshëm ndaj luhatjeve ekonomike. Në rast të një rënieje të çmimeve të pasurive të paluajtshme, bankat mund të përballen me një rritje të kredive me probleme”, pohon Prof. Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Industria është aktiviteti tjetër, krahas bujqësisë, që nuk po ngre kokë tre vitet e fundit. Sektori, që kontribuon në 11% të ekonomisë, ka pasur ecurinë më negative në 2024-n, duke rënë me gati 7% për 11-mujorin.

Pritshmëritë e operatorëve nuk janë pozitive as për 2025-n. Sektori pothuajse e ka humbur konkurrueshmërinë dhe po dëmtohet si nga shtimi i kostove, ashtu dhe nga rënia e Euros, duke u hapur rrugën importeve. Alban Zusi, nga Qendra e Eksporteve Shqiptare, pohon se industria do të vijojë të vuajë pasojat e rritjes së kostove. Ndonëse një pjesë e sektorit do të përshtatet, z. Zusi parashikon shumë falimentime.

“Fatkeqësisht ky mund të jetë edhe viti i mbylljeve masive të disa dhjetëra industrive, kryesisht eksportuese, por edhe në sektorë të tjerë që po ballafaqohen me konkurrencën e ashpër të importeve tashmë 30% më të lira se para dy vitesh”, pohon ai.

-Aktivitetet profesionale kishin një ecuri pozitive në vitin 2024, duke shënuar rritjen më të fortë nga të gjithë sektorët për 9-mujorin 2024, me 10.8%. Ky sektor kontribuon në rreth 3.2% të ekonomisë.

-Informacioni dhe Komunikacioni kishte një ecuri negative në 2024-n, me rënie 3.6% për 9-mujorin, e ndikuar nga ndryshimet e teknologjisë, që ka ulur përdorimin e thirrjeve telefonike nga konsumatorët, ndërkohë që kompanitë janë nën presionin e investimeve të vazhdueshme në teknologji.

Teknologjia e Informacionit pritet të vijojë rritjen, duke u kthyer në një burim punësimi për të rinjtë, pas interesit të lartë të sipërmarrjeve të huaja për të kryer një pjesë të shërbimeve në Shqipëri.

-Arte, argëtim do të vazhdojë tendencën pozitive, e ndikuar dhe nga flukset e larta të pritshme të turistëve.

-Aktivitetet financiare dhe të sigurimit ishin sektori i katërt me rritjen më të lartë për 9-mujorin (6.3%).

“Në përgjithësi, industria bankare do të vazhdojë të jetë shtylla kryesore e mbështetjes së ekonomisë shqiptare, por suksesi do të varet nga menaxhimi i kujdesshëm i rreziqeve dhe përshtatja me ndryshimet rregullatore, klimatike dhe teknologjike”, thotë Spiro Brumbulli i Shoqatës së Bankave.

Eksportet priten të dobëta, ndikim do të ketë ecuria e Euros

Eksportet nuk po arrijnë të ngrenë kokë për të dytin vit radhazi. Për 11-mujorin 2024, ato u tkurrën me gati 14%, duke përkeqësuar ritmet e rënies në raport me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm (-9.8%).

Rënia e Euros, shtimi i kostove, kryesisht nga pagat dhe koniunktura e pafavorshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare janë arsyet kryesore të kësaj tendence. Për 11-mujorin, të gjitha grupet pa përjashtim shënuan tkurrje, që më e fortë ishte për “Minerale, lëndë djegëse, energji” (-24%), “Tekstile e këpucë” (-17%), “Materiale ndërtimi e metale” (-15%).

Tendencë tkurrëse, ndonëse më të lehtë, kishin dhe “Ushqime, pije e duhan” (-4%) dhe “Makineri, pajisje e pjesë këmbimi” (-3.7%), dy aktivitete që po shënonin rritje të shpejtë vitet e fundit. Tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend, pritet që të kenë një ecuri të dobët edhe në vitin 2025, sidomos në pjesën e parë të vitit.

Sektori e ka humbur tashmë avantazhin konkurrues të kostos së lirë të fuqisë punëtore, ndërsa Euro i dha goditjen finale, duke bërë që shumë kontraktorë, që më parë prodhonin në Shqipëri, të zhvendosin prodhimin në Azi dhe Afrikë, në kërkim të kostove të lira.

Sektori “Materiale ndërtimi e metale” do të varet nga ecuria e çmimeve dhe kërkesës, me “Kurum”, prodhuesin dhe eksportuesin më të madh që ka shfaqur probleme muajt e fundit, duke e detyruar të pezullonte prodhimin.

“Minerale, lëndë djegëse, energji” varet nga ecuria e prodhuesit më të madh të naftës në vend, “Bankers Petroleum”, i cili ka plane për nxjerrjen me avull, që mund të gjallërojë prodhimin. Një tjetër faktor është energjia, që si gjithnjë mbetet e varur nga moti.

Eksportet e “Ushqime, pije e duhan” pritet të vazhdojnë rritjen në sasi, por me probleme për shkak të shtimit të kostove, të papriturave klimatike dhe rënies së çmimeve në tregjet globale.

Sektori i “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” është optimist, për shkak të rritjes së porosive, por do të vijojë të ndikohet nga rënia e Euros dhe mungesa e fuqisë punëtore.

Shansi nga perspektiva në BE dhe Plani i Rritjes

Shqipëria ka avancuar në procesin e integrimit për në Bashkimin Europian, duke hapur në tetor kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE, pas një procesi të gjatë të nisur që në 2009-n.

Kjo nënkupton që shteti kandidat duhet të harmonizojë legjislacionin me shtetet e BE-së dhe të plotësojë kriteret e tjera specifike të Bashkimit Europian, përfshirë aspektet ekonomike, sociale, politike dhe ligjore, çka nënkupton reforma të rëndësishme për rritjen e transparencës, luftën kundër korrupsionit dhe ruajtjen e rendit demokratik.

Ndonëse hyrja faktike për në BE do të kërkojë ende kohë, ndoshta dekada, ky proces, së bashku me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor vlerësohen nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare si një shans i madh për vendin.

“Përmirësimi i cilësisë institucionale do të jetë thelbësor për të trajtuar nivelet e larta të emigrimit, mospërputhjen e aftësive dhe papunësinë nëpërmjet investimeve publike të përshtatura në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë cilësore.

Për të siguruar progres të mëtejshëm, Shqipëria duhet gjithashtu të qëndrojë e përkushtuar ndaj zbatimit të agjendës së reformave në kuadër të planit të rritjes me fokus në integrimin rajonal dhe të tregut në BE, si lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve”, thotë Zëvendëspresidenti i Bankës Europiane të Investimeve (EIB), Robert de Groot.

“Banka Europiane e Investimeve (EIB Globale), si banka e BE-së, është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në këto përpjekje për përthithjen e 922 milionë eurove të parashikuara në planin për vendin”, pohon ai.

“Reformat strukturore, në kuadër të procesit të integrimit në BE, mund të rrisin ndjeshëm potencialin ekonomik”, thotë Anke Weber, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë.

Në të njëjtën linjë është dhe Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri. “Zbatimi më i shpejtë i reformave strukturore, i mbështetur nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, mund të nxisë rritjen”, pohon ajo.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor është një nismë strategjike e Bashkimit Europian (BE) që synon të përfshijë shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE, duke mbështetur zhvillimin dhe stabilitetin në rajon.

Ky proces ka si qëllim të forcojë lidhjet politike, ekonomike dhe sociale midis BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që i nxit këto shtete të implementojnë reforma të thella që përputhen me kërkesat e Bashkimit Europian.

Ardian Haçkaj, drejtor i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI), pohon se plani i rritjes i shton me rreth 80 milionë euro në vit grantet si mbështetje financiare që BE jep për Shqipërinë nëpërmjet IPA (që është aktualisht 100 milionë euro/vit) – duke e çuar në 180 milionë euro në vit.

Por, ai shton se përfitimi real lidhet me faktin që ky plan e vendos konvergjencën e vendit me BE si objektiv kryesor të zgjerimit. “Ky plan krijon kuadrin dhe i jep mundësinë Shqipërisë të aderojë në politikat dhe programet përkatëse të BE-së përpara anëtarësimit formal me synim 2030.

Rritja e përgatitjes dhe qasja në Tregun Unik, në programet e BE-së për infrastrukturën, në politikat e kohezionit ose dhe në politikat industriale të BE-së është vlera e shtuar strategjike e planit të rritjes për ne, shumë më e rëndësishme se 80 milionë euro grante shtesë në vit”.

Z. Haçkaj pohon se CDI, e mbështetur nga Ambasada e Holandës në Tiranë, po kontribuon në dizajnimin e mekanizmit të Reformës së rritjes nga këndvështrimi i gjithëpërfshirjes dhe transparencës dhe do të monitorojë reformat dhe projektet e infrastrukturës të mbështetura nga Plani./ Monitor/    S,M

Të fundit

“Manita” në finalen e Superkupës së Spanjës, Barcelona shkatërron Real Madridin

Superkupa e Spanjës i takon Barcelonës. Një fitore e madhe 2-5 ndaj Real Madrid në finale, në një sfidë...

Tensione dhe vështirësi, shenjat që do e përjetojnë më intensivisht këtë janar

Hëna e ujkut është emri i Hënës së parë të Plotë të vitit të ri që ndodh në janar. Por pse quhet Hëna e...

“Përgatitjet për takimin”, ekipi i Trump: Do të ketë telefonatë me Putin ditët e ardhshme

Bisedimet telefonike midis Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin pritet të ndodhin brenda “ditëve dhe javëve të ardhshme”,...

VIDEO/ Në krye të detyrës! Elektricisti në Lezhë “sfidon” dëborën dhe erën e fortë

Personi që shihni në foto është A. Gjini, elektricist në Lezhë gjatë punës së tij për të rikthyer energjinë elektrike në zonën e Zejmenit. Në...

G Bani rrëfen si humbi shikimin nga njëri sy në moshën 11 vjeçare: Me kapsoll dinamiti…

Reperi G Bani ka rrëfyer se si në moshën 11 vjeçar ka humbur shikimin në njërin sy. Gjatë një bashkëbisedimi me Rozana Radin në ‘BBVA’,...

Lajme të tjera

Web TV