Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë (DPA) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Italisë (DGA) kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, që bën të mundur bashkërendimin e hapave përballë sfidave të së ardhmes, shkëmbimin e përvojave dhe të dokumenteve me interes të ndërsjellë.
Në këtë aktivitet ceremonial të mbajtur në Romë, ishin të pranishëm Drejtori i Përgjitshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, homologu i tij italian Z. Antonio Tarasco, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Romë, Znj. Anila Bitri Lami, kryetari i Bashkisë së Shën Mitrit, Erenesto Madeo, studiuesi arbëresh dhe njëherësh anëtari i nderit i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Francesco Altimari.
Në fjalën e tij të rastit, Bido theksoi se nëpërmjet kësaj memorandumi, mundësohet shpalosja e dokumenteve me rëndësi mbi mërgatën shqiptare në vendin fqinj, si edhe mbi komunitetin italian të pranishëm në Shqipëri. “Mendoj se kemi hedhur hapat e parë në Tiranë, ku nuk firmosëm një marrëveshje, por krijuam një ndjesi dhe shprehëm vullnetin për të bashkëpunuar. Ne kemi një vizion të përbashkët mbi çfarë duhet të bëjmë. Së pari, për të shkëmbyer çfarë është jona dhe çfarë është e përbashkët. Ne kemi në Itali fondin e Konsullatës Shqiptare në Bari, ndërsa në Tiranë kemi Legatën Italiane. Kemi 2/3-ën e arkivave të De Radës në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër gjendet në Kozenca. Ne mund të bëjmë të mundur që studiuesit të shohin dokumentacionin e plotë të historisë që bashkëndajmë. Kemi vizion të njëjtë mbi çfarë duhet bërë në të ardhmen. Po punojmë për të përfshirë inteligjencën artificiale në përshkrimin arkivor. Për ne shqiptarët, Italia ka një rëndësi të posaçme. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave është institucioni i dytë shqiptar me prezencë fizike në Romë, pas ambasadës shqiptare. Po ashtu, kemi çelur 12 Kënde Arkivore në Siçili dhe në Kalabri. Këtë verë, do të hapim Këndin Arkivor të Barit, me rastin e Konferencës Mbarëkombëtare të Arkivistikës, që do të zhvillohet aty. Ne do të donim të kishim një platformë të përbashkët kërkimi, ku studiuesit nga Shqipëria dhe Italia, të kenë akses të barabartë tek dokumentet”, u shpreh Bido.
Ndërsa Tarasco, shtoi se ky memorandum do të synojë të gjejë zbatim edhe në menaxhimin e përgjithshëm të arkivave. “Shqipëria është një vend që ka lënë gjurmë domethënëse në Itali. Ne kemi patur gjithmonë marrëdhënie miqësore. Zbulimi i këtyre gjurmëve, si edhe i gjurmëve të italianëve në Shqipëri, është një nga objektivat e këtij memorandumi, jo vetëm të kufizuar në konsultimin e ngushtë të materialit arkivor, por edhe në menaxhimin e përgjithshëm të arkivave. Kemi arritur dakordësinë për teknikat e digjitalizimit dhe për përdorimin e inteligjencës artificiale. Jam i bindur që do realizojmë projekte, të cilat do të shenjojnë historinë e arkivistikës në vendet tona”, u shpreh Tarasco.
Nga të pranishmit, memorandumi u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për t’i njohur të rinjtë me të shkuarën historike dhe për të evidentuar marrëdhënien kulturore mes dy vendeve mike. “Italianët dhe shqiptarët kanë ndërtuar këto marrëdhënie që gjenden kudo në kujtesën tonë. Këto marrëdhënie janë konsoliduar nga nënshtresa kulturore, të cilat duhen evidentuar nga institucionet”, tha Altimari. “Doja të nënvizoja atë që mund të bëjnë arkivat jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve, të cilat janë tashmë të forta dhe të veçanta, por unë besoj se çfarë nevojitet bërë nga institucionet është t’ua bëjnë të ditur të shkuarën gjeneratave të reja. Çfarë është bërë, ndërtuar, qoftë mirë apo keq. Çfarë prezanton shqiptarinë historike në Itali, ne shekujt kur Shqipëria nuk ishte ende shtet”, përfundoi zonja ambasadore.
Memorandumi i mirëkuptimit motivohet nga synimi i përbashkët i institucioneve arkivore simotra, për nxjerrjen në pah të trashëgimive kulturore reciproke, nëpërmjet inkurajimit të hulumtimit të materialeve arkivore. Për këtë qëllim, palët nënshkruese, do të ndërmarrin shkëmbimin e informacionit lidhur me të shkuarën historike të komuniteteve përkatëse, bazuar në procesin kërkimor pa pagesë të specialistëve të arkivave respektive.
Në aspiratën e një veprimtarie sinergjike, DPA-ja dhe DGA-ja marrin përsipër të bashkëveprojnë në procesin e digjitalizimit, në përdorimin e inteligjencës artificiale, në prezantimin e ekspozitave të përbashkëta, si edhe në botimin e koleksioneve të dokumenteve. Ky memorandum vjen në vazhdën e angazhimit të DPA-së për të intensifikuar bashkëpunimin me arkivat rajonale dhe fqinje, në funksion të promovimit të trashëgimisë historike të kombeve të përfshira dhe të zbatimit të një planveprimi të koordinuar në fushën e arkivistikës.
Më herët, DPA-ja ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), me Arkivat Shtetërore të Malit të Zi, me Shërbimin Shtetëror Arkivor të Ukrainës, me Agjencinë Kombëtare të Arkivave të Moldavisë, si edhe me Arkivin e Bosnjes dhe Hercegovinës, duke siguruar ura lidhëse për të thelluar dijet dhe përvojat.