Zv.Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka theksuar se Partia e Lirisë është në një koalicion opozitar me Partinë Demokratike prej disa muajsh. Ajo deklaroi se kjo periudhë është shoqëruar me një organizim intensiv nga partia e saj, duke përfshirë takime të shpeshta në rrethe dhe njësitë administrative të Tiranës.
Xhixho e quajti burgosjen e presidentit të Partisë së Lirisë një akt me motive politike dhe elektorale, duke theksuar se kjo situatë e vështirë është kthyer në një forcë mobilizuese për partinë. Ajo nënvizoi rëndësinë e qarqeve si Tirana, Fier, Shkodër, Kukës dhe Skrapar për përgatitjet e garës elektorale dhe shtoi se PL ka miratuar që në prill një program politik me pesë prioritete, të cilin po e diskutojnë vazhdimisht me qytetarët.
Sipas saj, ky bashkëpunim opozitar me PD është një front i rëndësishëm në përballjen politike, duke treguar përkushtim në organizim dhe angazhim për të fituar mbështetjen e qytetarëve.
‘Pas izolimit politik të presidentit të PL-së, dhe të një burgosje për arsye elektorale dhe politike që po i bëhet sot presidentit të PL, padyshim që këtë burgosje politike PL e ka kthyer në forcë. Jemi në organizim të plotë, qoftë lidershipi i partisë së Lirisë por edhe organizatat bazë. Kemi pasur takime vitin e kaluar qoftë nëpër rrethe. Në Fier, në Shkodër, Në Kukës, në Skrapar dhe kemi vijuar gjithashtu me një tur takimesh të përditshme në të gjithë njësitë e Tiranës sepse padyshim Tirana është një ngë qarqet më të rëndësishme për garën elektorale. Kemi qenë partia e parë politike që ka miratuar që prej konventës së 27 prillit një program të qartë me 5 prioritete të cilën në po e diskutojmë në çdo takim me qytetarët. Padyshim që ne jemi në një koalicion, në një front opozitar me PD prej muajsh tashmë.’, tha Xhixho./E.T