Teksa shumë qytete të vendit janë përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës, Vlora po përballet me situatën e krijuar nga reshjet e shiut.
Megjithatë kjo e hënë sjell një përmirësim të situatës pasi në zonat më problematike uji ka filluar të tërhiqet. Akset që deri në orët e vona të mbrëmjes notonin nën ujë sot janë totalisht të kalueshme. Nuk ka prezencë të ujit në aksin e lagjes’ Pavarësia nr3’ në rrugën “Kosova” zona e Skelës si dhe në zonën pranë bibliotekës së Vlorës lagjen 29 nëntori.
Ka ende prezencë të ujit në lagje, zona periferike kryesisht në oborret e banesave dhe në hyrjet e pallateve. Në lagjen periferike ‘Kushtrimi’ mbi 20 banesa janë të rrethuara nga uji dhe banorët nuk dalin dot nga shtëpitë e tyre.
Po ashtu edhe në aksin rrugor Kuç -Qeparo mbrëmjen e djeshme për shkak të reshjeve te shiut ka pas shkarje dherash gjë që ka sjellë bllokim të këtij aksi për disa orë, është dashur ndërhyrja e fadromave të bashkisë së Himarës për hapjen e rrugës./kb