Teksa me qindra mijëra shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë 10 viteve të fundit, duket se në Partinë Socialiste e shohin si një fenomen pozitiv largimin e te rinjve nga Shqipëria.
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, ka deklaruar se shqiptarët nuk po largohen për shkak të ekonomisë apo të kushteve të punës, por u shpreh e bindur se të rinjtë po largohen nga Shqipëria, për një shkollim më të mirë.
Më tej deputetja socialiste tha se arsyen se shqiptarët emigrojnë për t’u shkolluar, ia kanë dhënë ‘ekspertë dhe demografë’.
“Çështja e lëvizjes së njerëz nuk është një çështje e re dhe nuk është një çështje që lidhet me pushtetin e Partisë Socialiste. Fenomeni i largimit nga Shqipëria nuk ka filluar në vitin 2013. Unë jam pjesë e një grupi parlamentar që quhet grupi për popullsinë dhe zhvillim. Kam dëgjuar ekspertë dhe demografë për të kuptuar dhe arsyet e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Censi ishte një rast shumë i mirë për të kuptuar se cilat janë arsyet e lëvizjes së shqiptarëve.
Në fakt, ajo lëvizje e shqiptarëve po ndodh për një shkollim më të mirë dhe kjo është një gjë shumë e mirë sepse nuk po lëvizin për shkak të ekonomisë më shumë sesa për një shkollim më të mirë. Kjo është arsyeja që na ofrojnë ata që njohin perspektivat e lëvizjes migratore”, tha Felaj./ S,M