Një defekt i rëndë në linjën e tensionit të lartë Prrenjas-Pogradec ka lënë pa energji elektrike mijëra familje në zonën e Prrenjasit dhe Mokrës së Pogradecit prej dy ditësh.
Burime zyrtare konfirmojnë se ekipet e OST në qarkun e Korçës dhe Elbasanit po punojnë për identifikimin dhe riparimin e defektit, por deri më tani problemi nuk është zgjidhur.
Punimet po kryhen në kushte shumë të vështira për shkak të motit të keq, me temperatura disa gradë nën zero dhe terren malor të mbuluar nga dëbora, e cila ka arritur trashësi deri në 1.2 metra.
Ky është një nga defektet më serioze të shkaktuara nga kushtet atmosferike në juglindjen e Shqipërisë. Autoritetet vazhdojnë përpjekjet për rikthimin e furnizimit me energji elektrike sa më shpejt të jetë e mundur./kb