Prej 19 vitesh, në Shqipëri nuk është licencuar asnjë bankë e re. Por këtë vit, duket se një bankë e huaj ka shfaqur interes për t’u bërë pjesë e rrjetit të bankave në vendin tonë. Ziraat, e cila është një bankë turke bujqësore, që operon në 19 shtete të botës, duke përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor, ka kërkuar që të jetë e pranishme edhe në Shqipëri. Kjo bankë synon që të ofrojë mbështetje financiare sidomos për sektorin bujqësor.
Banka e Shqipërisë konfirmoi për televizionin Scan se në fund të vitit të kaluar Banka “T. C ZİRAAT BANKASI A.Ş”, Turqi (Ziraat Bank) ka paraqitur kërkesën për licencimin e degës së bankës së huaj “Ziraat Bank” në Republikën e Shqipërisë.
Ky aplikim është në fazë të hershme dhe do të shqyrtohet dhe vlerësohet në kërkesat dhe dokumentacionin që parashikon ligji nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe rregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr. 14, datë 11.03.2009 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e ndryshuar.
Në 2014, në Shqipëri operonin gjithsej 16 banka, por nga viti në vit, ky numër ka ardhur duke u ulur, si pasojë e falimentimit të një pjese prej tyre dhe shitjes te banka të tjera ekzistuese në vend. Aktualisht, në Shqipëri operojnë 11 banka, shumica prej tyre me kapital të huaj dhe një pjesë më e vogël me kapital vendas. Nëse Banka e Shqipërisë licencon Ziraat, ajo do të jetë banka e dytë me kapital turk në Shqipëri. Ziraat synon që të hapë fillimisht degën e saj në Tiranë dhe më pas mund të shtrihet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Hyrja në sektorin bankar shqiptar nëpërmjet hapjes së degës së bankës së huaj vlerësohet si një mundësi e grupit për të krijuar sinergji mes dy vendeve (rritja e tregtisë se jashtme), si dhe ofrimi i zgjidhjeve të integruara në të gjitha vendet ku operojnë (filialet, degët e huaja bankare dhe filialet e tjera financiare) për të përmbushur nevojat financiare të klientëve të Grupit Ziraat kryesisht nëpërmjet financimit fillimisht të bizneseve, portofoli i të cilëve do të zërë peshën kryesore të portofolit të kredisë. /K.K