Si u larguan brënda muajit 170 familje “puçistësh” nga Tirana në 1974

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ARTUR  AJAZI

Si lindi “puçi” ushtarak i 1974

Një nga ngjarjet më të bujshme të 45 viteve të sistemit socialist në Shqipëri, padyshim mbetet edhe ajo e “zbulimit dhe goditjes së grupit puçist në ushtri” në 1974, ku dënimet kapitale nuk munguan duke nisur nga ministri  Mbrojtjes, Gjeneral Beqir Balluku, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Petrit Dume, drejtori politik të ushtrisë Gjeneral Hito Cako, dhe dënimi i dhjetëra gjeneralëve dhe ushtarakëve të tjerë të rrangjeve të ulëta. Fatin e tyre e pësuan ndoshta jo me dënim kapital, edhe dhjetra e qindra ushtarakë të cilët kishin mbushur zyrat e drejtorive dhe komandove të Ministrisë Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, të gjithë të shkolluar në BRSS, apo  Poloni, Çeki, Bullgari e Hungari. Edhe atje në vendet ish-socialiste të cilat ishin madje edhe anëtare të Traktatit të Varshavës, kishte ndodhur dënimi i gjeneralëve, por jo ai kapital. Bashkë me zbulimin e “puçistëve” kishte ardhur rradha e goditjes edhe të atyre që kishin qenë aktivë në periudhën e Luftës Antifashiste, duke nisur nga Beqiri e Petriti, Muhamet Prodani e Rrahman Perllaku, e duke ardhur me ngjarjet e bujshme të vitit  1981-1982 që lidhen me vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe ekzekutimin e Kadri Hazbiut, për të cilët u bë një spastrim i elementëve që konsideroheshin “pro” tyre. Por më e veçanta e gjithë historisë dhe personazheve të puçistëve të vitit 1974 ishte fakti se, ata që u dënuan me vdekje pas gjykimit, pothuajse të gjithë në fjalën e fundit thanë ”Rroftë Partia dhe shoku Enver”, pavarsisht se nuk pranuan shumë  gabime, apo edhe shumë të tjera i pranuan . Historia e “puçit ushtarak” nisi në Drilon, kur  Sekretari Parë i KQPPSH Enver Hoxha  ishte me pushime, nga ku edhe thirri me urgjencë  ministrin e Mbrojtjes Beqir Ballukut në Pogradec, pasi ishte kujtuar ndoshta rastësisht se  “Ç’po bëhet me materialet e Plenumit të 12-të të Komitetit Qendror?”, plenium i cili  kishte vendosur ti ndryshonte pamjen Shqipërisë, duke e bunkerizuar, për ta mbrojtur nga rrethimi imperialisto-revizionist.  Asokohe Enver Hoxha deklaronte se “Ushtria jonë e diktaturës së proletariatit, që është një ushtri e vogël në numër e që bazohet në forcat e veta, e detyruar nga rrethana objektive, dhe duhet të kryejë një detyrë të madhe, të përballojë forca armike të mëdha në numër dhe armatime që të mundë edhe të fitojë mbi ata”. Këto Komandanti ja tha Beqir Ballukut, i cili u kthye në Tiranë me  udhëzimet e Enverit, duke ju futur punës, dhe duke hartuar Tezat e Mbrojtjes, të cilat pas disa muajsh do ti merrnin jetën atij, dhe shpurës së ushtarakëve, dhe duke i etiketuar dhe dënuar si “armiqtë e Partisë Popullit dhe Ushtrisë”. Të parët e pësuan Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku. Për ata Plenumi VI, njësoj sikur të ishte një gjykatë, vendosi që të arrestoheshin, kurse për qindra e qindra të tjerë do të niste kalvari shkarkimeve, qarkullimeve dhe internimeve. Armata e oficerëve  të ushtrisë kishte marrë goditje, kurse  krerët Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume u pushkatuan. Parllaku vuajti gjatë në burg, kurse  Vaskë Gjino, Sadik Bekteshi, Muhamet Prodani, Abaz Fejzo, morën dënime të ndryshme.

Shkarkimet, qarkullimet, denigrimet e ushtarakëve

Me qindra ushtarakë të Ministrisë Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, të reparteve të Divizionit të Tiranës, u shkarkuan, qarkulluan dhe dëbuan nga kryeqyteti. Afro 170 ushtarakë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi Përgjithshëm u transferuan me detyra të thjeshta edhe në rrethin e Elbasanit, por edhe në Gramsh, atje ku për 45 vjet PPSh kishte dërguar për “riedukim” dhjetra e dhjetra ish-anëtarë të KQPPSH apo edhe kandidatë të Byrosë Politike, drejtorë drejtorish etj. Ish-ushtaraku B.L tregon se “Në Divizionin e Elbasanit  brënda 1 muaji erdhën me transferim dhe me urdhër-ekzekutimi të menjëhershëm familiarisht  170 ushtarakë, të gjithë kuadro madhorë të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë Mbrojtjes , të shkolluar nga BRSS dhe vendet e tjera ish-socialiste, të cilët u sistemuan me punë në brigadat e batalionet e ushtrisë atje , dhe u sistemuan me banesa për familjet e tyre. Elbasani ishte asokohe vendi ku qarkullonin dhe vinin me detyra të ndryshme ish-drejtues të ministrive, drejtorive, ish-anëtarë të KQPPSH, ish-gjeneralë dhe zyrtarë të lartë të shtetit. Edhe ardhja e 170 ushtarakëve të Ministrisë Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, u krye në mënyrë rrufe dhe me procedura të shpajtuara. Duheshin sistemuar me punë dhe pastaj edhe me apartamente (natyrisht ku të vendoste organizata partisë Divizionit) dhe pastaj duheshin mbajtur nën mbikqyrje”. Ish-ushtaraku i Divizionit të Elbasanit (asokohe quhej Grupimi Elbasanit) tregon se “mbaj mend që na u dha urdhëri nga Komandanti Grupimit Vahip Alikaj  dhe komisari Rrahman Kumbaro, se duhet të merreshim me  lakenjtë e puçistëve, (siç quheshin ata asokohe) që kishin ardhur tek ne, duhet ti mbanim nën vëzhgim, mbaj mend që na erdhën ushtarakët Kristaq Qarri ish-drejtori Drejtorisë Operative të MM, I. Dalipi ish-komandant brigade tek Rrapi Treshit,  ish-komandanti Garnizonit  Tiranes, D. Manuka, S. Kondi, B. Gostivishti, B. Panariti, dhe dhjetra e dhjetra të tjerë, me të cilët nja 2 vjet vetëm sa përshëndeteshim me grushtin lart si ushtarakë, pastaj më vonë nisëm të pinim edhe kafe, pasi na u dha orientim edhe nga ish-Komisari Grupimit S. Pepa”.  Ardhja e 170 ushtarakëve nga Tirana duket se riorganizoi dhe ashpërsoi edhe stafin e Sigurimit të Ushtrisë, strukturë e cila militonte  edhe brënda organikës së Divizionit Ushtarak të Elbasanit. “Me sytë katër ndaj lëvizjeve të puçistëve” këto ishin fjalët  dhe udhëzimet që kishin marrë  komandantët dhe komunistët e  brigadave dhe batalioneve që kishin në organikat e tyre ish-ushtarakët e Ministrisë Mbrojtjes dhe Shtabit Përgjithshëm. Ata kryesisht kishin marrë detyra të rrangut komandant kompanie, zv/komandant kompanie, apo edhe deri zv/komandant batalioni. Pallatet ku u sistemuan shumica e 170 ish-ushtarakëve të transferuar nga Tirana pas goditjes së puçistëve, gjendej në lagjen 5 Maj, në zonën ku gjendej edhe stadiumi i qytetit të Elbasanit, si dhe tek ish-lagja 29 Nëntori”. Sipas ish-ushtarakut  të Divizionit të Elbasanit “ushtarakët e ardhur nisëm ti konsideronim si kolegë sepse të tillë i kishim, kishte nga ata që unë dhe ushtarakët e tjerë të Grupimit, i kishim takuar me dhjetra herë në aktivet e ushtrisë kur ata ishin me detyra të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe ata silleshin me ne si shokë, ishin të aftë profesionalisht, kishte prej tyre që kishin mbaruar shkollat jashtë, dhe që ishin dënuar sepse ishin miq,  apo patriotë të Beqirit, Petritit, Hitos, apo Perllakut”. Edhe sot e kësaj dite pavarsisht se kanë kaluar vite, pallati tek lagja 5 maj në Elbasan, buzë bulevardit kryesor, quhet si “pallati ushtarakëve puçistë”, po ashtu edhe pallati  tek lagja 29 Nëntori si “pallati i oficerëve”. Të tillë pallat  kishte edhe në një lagje tjetër  të Elbasanit, madje i ndërtuar me udhër të Petrit Dumes kur ai ishte Shefi Shtabit të Ushtrisë, për të strehuar ushtarakët e rinj me familjet e tyre. Sot ka akoma familje nga ish-ushtarakët “puçistë” që jetojnë, natyrisht pak prej tyre janë gjallë, por djemtë dhe vajzat e tyre sjellin kujtime të trishta. Njëri prej tyre djali i një ish-ushtaraku madhor të MM, ish-komandant tek Brigada e Tankeve në Tiranë  tha se ”fillimin e mbaj mend sa të vështirë, asnjeri nuk na afronte, nuk na fliste, në shkollë na mbytën me nota negative, rrugës  dhe në dyqane na shikonin sikur të ishim armiq dhe jo njerëz të zakonshëm, por me kalimin e kohës u miqësuam, madje bëmë edhe krushqira, dhe sot jemi miq të ngushtë”. Pas vitit 1991, kishte nga ata ushtarakë që kishin dalë në pension, por edhe që ishin akoma në repartet e Ministrisë Mbrojtjes, dhe vendosën të rinin në Elbasan. Por kishte prej tyre që kërkuan të iknin, dhe ashtu bënë. Elbasani mbahet mend si qyteti ku ishin të dislokuar reparte të rëndësishme të ushtrisë të asaj kohe, dhe kishte një numër të konsiderueshëm ushtarakësh dhe armatimesh të llojeve të ndryshme, duke nisur nga tanket dhe duke përfunduar tek  Baza e Armatës siç quhej asokohe, e cila furnizonte  pothuajse krejt repartet e jugut. Ish-ushtarakët e lartë, pjesa e tyre që rrojnë akoma kujtojnë me mall ditët dhe vitet që kaluan në Elbasan, pavarsisht vështirësive që kaluan në fillim, madje edhe sot e kësaj dite, duket sikur krenohen me faktin se dikur quheshin “puçistë” por që në fakt vetëm të tillë nuk ishin, pasi deri ditën e fundit të qëndrimit të tyre në repartet ku u komanduan treguan se ishin besnikë të kapeles me yllin e kuq.

Të fundit

Shqipëria “pushtohet” nga turistët, fluks rekord në hyrje-daljet nga Durrësi

Gjatë periudhës janar-qershor 2025, nga/drejt Portit të Durrësit kanë udhëtuar 241,490 pasagjerë dhe 104,212 automjete. Të dhënat e Autoritetit Portual...

Mitologjia që ushqeu nazizmin: nga Atlantida te Thule, rrënjët e një çmendurie hyjnore

Përgatiti: Leonard Veizi Në errësirën e shekullit XX, ndërsa bota përpiqej të mblidhte copëzat e arsyes pas luftrave dhe krizave të pafundme, në zemër të...

Shqipëria që nuk është më…

Rrallë gjen ndonjë vend në botë, që mund të ketë pësuar një transformim të tillë në më pak se 30 vjet, si Shqipëria. Dikur një...

Vapa ekstreme përfshin Europën Jugore, qindra viktima në Spanjë, Greqia në flakë

Italia vijon të përballet me një valë të paprecedentë të të nxehtit, me temperatura që arrijnë deri në 40-41°C në disa rajone dhe me...

Shpërthim i fuqishëm në një pikë karburanti, raportohet për 10 të plagosur (VIDEO)

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premte në një pikë karburanti në Romë të Italisë. Sipas raportimeve në mediat italiane, shpërthimi...

Lajme të tjera

Web TV