Pas disa muajsh ngadalësimi, aplikimet e shtetasve shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë rifilluar sërish rritjen në muajin tetor. Të dhënat e Eurostat, të përpunuara nga Monitor bënë të ditur se në tetor 2024 u shënuan gjithsej 685 kërkesa për azil, që është numri më i lartë që nga shkurti i këtij viti, kur shifra ishte 750.
Gjithsesi, në raport me 2023-n, ikjet përmes kërkesave për mbrojtje të përkohshme kanë shënuar rënie, Gjithsej për periudhën janar tetor 2024, kishte 6170 kërkesa për azil, me një rënie prej 19.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri më i lartë i aplikimeve në 5 vitet e fundit u regjistrua në 2022-2, kur një valë e re emigracioni përfshiu vendin. Në janar tetor 2022 kishte gjithsej rreth 11 mijë kërkesa për azil.
Franca vijon të jetë shteti kryesor ku shkojnë pjesë më e madhe e atyre që aplikojnë për mbrojtje të përkohshme. Në janar-tetor të 2024, në këtë shtet, që njihet për politikat e tij sociale, u regjistruan gati 2 mijë kërkesa. Më pas vijon te renditet Italia (1550), Gjermania (1250), Greqia (850)./kb