Alban Xhaferi, presidenti i Vllaznisë së futbollit ka reaguar dhe ka shprehur ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta të legjendës Sabah Bizi. Shembull frymëzimi, kështu shprehet Xhaferi për ish-futbollistin kampion të Vllaznisë dhe Kombëtares i cili mbylli sytë këtë të enjte në moshën 77-vjeçare.
“Lamtumirë “Nderi i Kombit” Sabah Bizi! Legjenda e Vllaznisë tonë dhe e futbollit shqiptar, Sabah Bizi. Një shembull frymëzues për të gjithë brezat duke lënë pas një karrierë të ndritshme në futboll. FItues i titujve kampionë dhe kupave, ku debutoi në moshën 17-vjeçare në futbollin shqiptar.
Gjatë karrierës së tij, Sabah Bizi ka qenë një nga figurat kryesore të kombëtares shqiptare, teksa të gjithë mbajnë mend përballjen e vitit 1967 me Gjermaninë (0-0) dhe duelin e tij me të madhin Beckenbauer, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç. Në atë përballje, Bizi, pasi ishte i shtruar në spital për disa ditë me radhë, u kërkua nga trajneri Loro Boriçi të ngrihej nga shtrati për t’u përballur me Beckenbauer dhe duke eleminuar Gjermanine.
Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të saj të dashur. I perjetshem qoftë kujtimi yt Mjeshtër”, shkruan Xhaferi./K.K