Qeveria shqiptare i ka dhënë miratimin paraprak planit të prezantuar nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner për të ndërtuar një kompleks hoteli luksoz me vlerë prej 1.4 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit.
“Miratimi është marrë nga Komiteti i Investimeve Strategjike në Shqipëri, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama”, shkruan New York Times.
Kjo i jep të drejtën Kushnerit dhe partnerëve të tij në biznes që të lëvizin me negociata të përshpejtuara për të ndërtuar resortin luksoz që do të shtrihet në ishullin e braktisur të Sazanit.
New York Times shkruan se Kushner dhe qeveria shqiptare nuk i janë përgjigjur kërkesave për koment. Megjithatë të pyetur më parë për këtë projekt, të dy palët janë shprehur se vlerësimi nuk është ndikuar nga lidhjet e Kushner me presidentin e ardhshëm të SHBA-së, Donald Trump, apo me ndonjë përpjekje për të kërkuar favore nga qeveria amerikane.
“Fakti që një sipërmarrës kaq i njohur amerikan tregon interesin e tij për të investuar në Shqipëri na bën shumë krenarë dhe të lumtur”, tha një zëdhënës i Ramës vitin e kaluar në një deklaratë për New York Times kur u pyet për projektin.
Kompania Affinity Partners e Kushner, një kompani private e mbështetur me rreth 4.6 miliardë Dollarë, para që vijnë nga Arabia Saudite dhe fonde të tjera të pavarura në Lindjen e Mesme, po e ndjek projektin në Shqipëri bashkë me arkitektin Asher Abehsera, me të cilin Kushner është bashkuar për të ndërtuar edhe projekte të tjera në Brooklyn të New York-ut.
Sipas një dokumenti të qeverisë shqiptare të publikuar së fundmi, New York Times shkruan se qeveria shqiptare do të punojë me partnerët amerikanë për të pastruar vendin ku do të ndërtohet resorti nga ndonjë municion i mundshëm i mbetur nga e kaluara. Po ashtu do të ekzaminohen të gjitha shqetësimet mjedisore dhe ligjore që duhet zgjidhur para se projekti të lëvizë përpara.
Dokumenti në fjalë, që daton më 30 Dhjetor thekson se qeveria shqiptare ka të drejtë të revokojë vendimin për dhënien e statusit strategjik nëse “palët nuk arrijnë të bien dakord mbi termat e bashkëpunimit apo nëse subjekti nuk plotëson kushtet dhe detyrat e lëna në këtë vendim, apo nëse përgjatë zhvillimit dhe zbatimit të projektit të investimit strategjik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” konstatohen të dhëna të pavërteta, apo ndryshime të dala rishtazi mbi bazën e të cilave nuk do ishte vendosur për miratimin e statusit strategjik të tij me procedurën e veçantë”.
Kushner është shprehur më herët se planifikon të ndërtojë një eco-resort me pesë yje në ishullin e Sazanit, duke e kthyer ish-bazën ushtarake në një “destinacion ndërkombëtar vibrant për mikpritjen dhe mirëqenien”
Një vit më parë për këtë çështje foli edhe vajza e Presidentit Trump, Ivanka Trump.
“Tani për tani po punoj me bashkëshortin tim. Ne kemi këtë ishull prej 1400 hektarësh në Mesdhe dhe po sjellim arkitektët më të mirë dhe markat më të mira”, tha ajo duke iu referuar projektit .
Ky projekt është një prej dy marrëveshjeve më të mëdha të pronave të patundshme që po ndjek Kushner bashkë me Abehsera e që kërkon përfshirjen e qeverive të huaja. Vitin e kaluar ai mori edhe miratimin paraprak për të ndërtuar një hotel luksoz në Beograd të Serbisë në ndërtesën e ish-Ministrisë së Mbrojtjes, e cila është braktisur për dekada pasi u bombardua nga NATO në luftën e vitit 1999.
Virginia Canter, e cila ka shërbyer si avokate për etikën në Shtëpinë e Bardhë për administratat Obama e Clinton si dhe këshilltare etike për Fondin Ndërkombëtar Monetar tha se edhe nëse nuk ka asnjë përpjekje për të fituar influencë me Trump, çdo marrëveshje qeveritare që përfshin familjen e tij krijon këtë ide.
“Duket si favorizim, sikur po i japin akses Kushner sepse duan të jenë në krahun e mirë të Trump”, tha Canter e cila punon tashmë me Fondin Shtetëror për Mbrojtësit e Demokracisë, një grup që ndjek korrupsionin qeveritar federal në Amerikë dhe çështjet etike, shkruan New York Times.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama është shprehur për këtë propozim të Kushner se është një mundësi e artë për ta kthyer Shqipërinë në xhevahir të turizmit mesdhetar/ S,M