Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka përgatitur ndryshime rregullatore që do të ulin normën maksimale të interesit për kreditë konsumatore. Sipas njoftimit të BSH-së, programi i financimit të biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm (PFBVM) synon të krijojë dhe të formatojë një instrument financimi për bankat tregtare i cili mund të përdoret prej tyre në mbështetje të përmirësimit të aksesit në kredi për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme (BVM) që operojnë në Shqipëri.
Ndryshimi i propozuar parashikon që norma maksimale e interesit për kreditë konsumatore deri në vlerën e 200 mijë lekëve do të jetë sa mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit për kredinë e dhënë, pa u shtuar me një të tretën.
Ky program, i konceptuar brenda kornizës ligjore që rregullon aktivitetin e Bankës së Shqipërisë dhe parimeve të ekonomisë së tregut, synon përmirësimin e kushteve të financimit të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.
Programi do të zbatohet nëpërmjet bankave tregtare që zhvillojnë veprimtari në Shqipëri dhe janë të licencuara, rregulluara dhe mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë. Në vija të përgjithshme, PFBVM parashikon krijimin e një instrumenti afatgjatë kreditimi për bankat, të cilat kanë akses në operacionet monetare të Bankës së Shqipërisë, me kosto më të ulët se norma bazë e interesit, kundrejt detyrimit që ky likuiditet të përdoret ekskluzivisht për financimin e këtyre bizneseve.
Kostoja e kredive të lëvruara nën këtë program duhet të jetë nën normat afatgjata aktuale të kreditimit të BVM-ve. Për të mbrojtur interesat financiare të Bankës së Shqipërisë, injektimi i likuiditetit parashikohet të bëhet kundrejt një kolaterali të ngjashëm me atë të pranuar në operacionet standarde dhe rreziku i kreditit do të mbetet te bankat tregtare. Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë./ S,M