Nga Fatos Çoçoli
Më 8 janar 2025, Enti Rregullator i Energjisë(ERE) miratoi çmimet e reja të energjisë për konsumatorët familjarë të cilët do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt 2025, si dhe që do të jenë të vlefshme deri më 31 dhjetor 2025. Për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kw/h(kilovat-orë), çmimi ulet me 1 lek të ri. Bëhet 8,5 lekë për kilovat-orë, në krahasim me 9,5 lekë për kilovat-orë që do të jetë deri më 31 janar 2025. Të lind natyrshëm pyetja për këtë lëvizje të qeverisë: çfarë fitojmë ne si qytetarë nga kjo ulje me një lek të ri të kilovatit që harxhojmë? Janë mbi 31 milionë euro për 11 muaj 1 shkurt 2025-31 dhjetor 2025. Ose 5-7 mijë lekë të vjetra kursim për familje në muaj. Po pse pesë deri në shtatë mijë lekë të vjetra, pse ky hendek? Këtë pyetje mund ta bëjë shumëkush nga ne. Sepse konsumi i energjisë elektrike për familjet tona nuk është i njëjtë në çdo muaj të vitit.
Ai rritet shumë në muajin e ftohtë shkurt, për t’u ulur ndjeshëm në mars dhe akoma më ndjeshëm në prill dhe maj. Pastaj rritet sërish mesatarisht, pasi fillojnë muajt e nxehtë qershor-shtator, që këto vitet e fundit na kanë mësuar të jenë shumë të nxehtë. Ka shumë nga familjet tona, me dy kondicionerë në shtëpi, që i lëmë në këta muaj ditë-natë ndezur, për shkak të vapës. Në këtë mënyrë, harxhojmë për korrikun e gushtin ndoshta më shumë se fatura e energjisë së janarit dhe shkurtit, kur ngrohemi me energji elektrike. Pastaj, konsumi ulet sërish ndjeshëm në tetor deri në gjysëm të nëntorit, pasi është fresk dhe nuk kemi nevoje, as të ftohemi, as të ngrohemi me kondicioner. Kuptohet që jo të gjitha familjet tona janë me një nivel të tille shpenzimi, por ama shumica e familjeve tona janë. Ja përse Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) i rezultojnë 880 mijë të kontraktuar(në gjuhën teknike quhen “abonentë”), që përfitojnë nga ulja e çmimit të energjisë elektrike. Sigurisht, janë më pak se 880 mijë familje, janë 670 mijë familje, pasi një pjesë prej nesh kemi edhe dy kontrata me OSHEE-në, ngaqë kemi dy shtëpi.
Një mund ta kemi dhënë me qira, ose e mbajmë për periudhën e verës. Prandaj dhe përllogariten mbi 1 milionë qytetarë tanët që nga 1 shkurti 2025 e deri në 31 dhjetor 2025 do të përfitojnë në tërësi mbi 31 milionë euro nga kilovati më i lirë në shtëpitë tona. Përfitim tjetër është që do të provojmë të mos e shpërdorojmë më energjinë në shtëpitë tona, në përpjekje për të mos kaluar tavanin 700 kilovat-orë të çmimit 11 përqind më të lirë të energjisë elektrike. Nuk do “të harrojmë” më drita ndezur në dhomat bosh, si dhe nuk do ta vëmë në punë lavatriçen me kazan të pambushur, për shembull. Po ashtu, pjesa më e madhe e 31 milionë eurove kursim gjatë këtij viti do të kalojë në konsum, pse janë përgjithësisht familjet me të ardhura të pakta ose modeste që nuk e kalojnë harxhimin 700 kilovat-orë në muajt e ftohtë apo shumë të nxehtë të vitit. Dhe çfarë këto familje kursejnë në faturën e energjisë mesatarisht 6 mijë lekë të vjetra më pak në muaj, do ta kalojnë në shpenzime të tjera të familjes. Kështu rritet konsumi dhe përfiton e gjithë ekonomia jonë.
Një pyetje tjetër që bëjnë jo pak prej nesh është edhe:”Po pse kjo ulje nuk vazhdon përtej vitit 2025? Apo është vit zgjedhor?”. Nëse vërtet qeveria do të mendonte vetëm të fitonte pikë zgjedhore për më shumë vota, mund ta kishte ulur çmimin edhe me dy lekë të rinj për periudhën 1 shkurt-30 qershor 2025, e pastaj duke parë e duke bërë. Por jo. Ulja ka ardhur nga disa arsye kokëforta që nuk kanë lidhje me zgjedhjet. Së pari, kanë rënë poshtë nivelit 18 përqind humbjet jo-teknike të sistemit tonë të shpërndarjes së energjisë elektrike. Vetëm një dekadë më parë, këto humbje ishin dyfish, në nivelin 35 përqind. E thënë më troç, janë ulur shumë vjedhjet dhe abuzimet me energjinë dhe janë rritur arkëtimet nga energjia që faturohet. Sot arkëtohen para mbi 100 përqind nga faturimet e lëshuara, pasi shlyhen gradualisht dhe detyrimet e mëparshme të mbartura.
Së dyti, 10 përqind e gjithë energjisë elektrike që prodhohet tek ne vjen nga energjia e paneleve diellore. Një pjesë e mirë e këtij 10 përqindëshi blihet nga shteti ynë nga prodhimi i Parkut energjitik të Karavastasë, me vetëm 24 euro për megavat-orë, një nga çmimet më të lira të kontraktuara në Ballkan dhe në gjithë Evropën në tre vitet e fundit. Kjo i krijon hapësirë qeverisë të pranojë “humbjen” e OSHEE-së me 31 milionë euro për këtë vit(fitimin e qytetarëve), nga ulja e çmimit të miliona kilovat-orëve që shet tek familjarët. Së treti, prodhimi nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare(KESH) ka qenë i mbarë në muajt e fundit nëntor-dhjetor 2024, duke siguruar mbi 80 përqind të nevojave tona. Duke shpresuar që ky prodhim i mbarë të vijojë, mund të mendojmë dhe të ushtrojmë presion pozitiv mbi qeverinë, që, përse jo, që nga 1 janari 2026, të na i ulë 700 kilovat-orët edhe me 1 lek tjetër të ri!/ S,M