Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.
Nominimin e ka bërë deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, i cili në letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit, ka thënë se këtë vendim e ka ndërmarrë për të njohur “kontributet e jashtëzakonshme” të Rushitit dhe QKRMT-së “në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimit të plagëve të luftës të komuniteteve”.
Feride Rushiti, ka treguar në një intervistë në emisionin “Ballkan Update” në ABC News, emocionet e përjetuara pasi ka marrë vesh lajmin.
Ajo u shpreh se çmimi për të cilin është nominuar, është një vlerësim për Kosovën.
“Ka qenë një emocion i papërshkruar, nuk kam qenë fare në dijeni që po nominohem për këtë çmim serioz. Kam marrë shumë vlerësime. Përtej emocionit, ky nominim i dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës”, u shpreh ajo.
Gjithashtu gjatë intervistës u shpreh se ka me qindra zëra të heshtur që për shkak të natyrës apo ende nuk e kanë mundësi për të kërkuar edhe shërbimet e merituara.
“Që nga rrethanat e luftës, si e re, nuk është e lehtë të punosh me këtë grup të ndjeshëm shoqëror. Por është edhe vlerësim edhe motivim për të ecur përpara, por edhe për ta ndarë përvojën. Pra është edhe një inspirim për të gjithë ne që kemi punuar me të mbijetuar të dhunës seksuale”, tha më tej ajo./e.t