Armëpushimi në Gaza do të nisë të dielën në 08 e 30, me orën lokale, ose 7 e 30 me orën tonë. Lajmin e kanë bërë të ditur negociatorët e procesit të paqes për mediat ndërkombëtare.
Gjithçka vjen pasi qeveria në Izrael aprovoi zyrtarisht marrëveshjen në orët e vona të së premtes, duke i hapur rrugë shkëmbimit të pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë.
Armëpushimi u njoftua ditën e mërkurë, por që prej atëherë palestinezë të shumtë janë vrarë në Gaza si pasojë e sulmeve izraelite. Sipas autoriteteve të lëvizjes së Hamasit, bilanci aktualisht flet për 122 të vdekur.
Zëdhënësi Mahmoud Basal deklaroi se mes viktimave përfshihen 33 fëmijë dhe saktësoi se mbi 270 persona të tjerë janë plagosur në të njëjtën periudhë.
Mëngjesin e së shtunës, agjencia e lajmeve “Wafa” raportoi se 5 persona ishin vrarë në një sulm izraelit, të kryer natën e së premtes në lokalitetin Al Kararra, në jug të enklavës palestineze.
Konflikti në Gaza lindi pas sulmit të 7 tetorit 2023, kur militantët e Hamasit hynë në Izrael dhe vranë rreth 1.200 persona dhe morën peng mbi 250 të tjerë.
Sulmi shkaktoi ofensivën masive izraelite ndaj Gazës, gjatë të cilës janë vrarë mbi 46 mijë e 800 palestinezë./K.K