Noc Rroku

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Edison Ypi

Noc Rroku është ai llapaqeni që ulet, përkulet, ngrihet, tundet, shkundet, sulmon, tërhiqet, drejtohet, shtremohet, forcohet, zbutet, tkurret, zmadhohet, zvogëlohet, ndrydhet, shtrydhet, ngrohet, ftohet, ndizet, teshtin, kollitet, vjell, rrjedh, po merr dhe fjalën e nis e dërrdëllit, bije dhe në trans, në jerm, në ekstazë, e nis e këndon, e reciton në parlament, në foltore, më këmbë, pas murit, a ulur në kolltuk.

Noc Rroku nuk është i bukur, interesant, a me pamje të jashtëme për tu pasur zili.

Noc Rrokun s’bëhet fjalë ta kesh’ shok a mik.

Noc Rroku s’shifet me sy.

Me Noc Rrokun të vjen turp të pish kafe, të qash një hall, të bësh një dorë muhabet.

Noc Rroku, që nuk duhet ngatërruar me Rrok Nocin dhe me asnjë Rrok e asnjë Noc tjetër, është një realitet sa kokfortë dhe i pangjajshëm. Njëkohësisht i ngurtë dhe i qurrtë, i paevitueshëm, i paanashkalueshëm, që, me plot të drejtë, mbahet dhe e mbajnë për protagonist dhe autoritet me ndikim të dukshëm në shumë fusha: shoqërore, politike, institucionale, parlamentare, qeverisëse, humane, animalistike, fiziologjike, riprodhuese.

Noc Rroku nuk është, si rëndom mendohet gabimisht, 1, apo 2, apo 3 apo 15.

Noc Rroku është një trim me pallë në dorë me shokë shumë.

Asëll-asëll, këtu Noc Rrokë janë të gjithë: Ushtritë e budallenjve, falangat e injorantëve, repartet e rrenacakëve, detashmentet e hajdutave, regjimentet e dallaverexhinjve, të gjithë, pa dallim gjuhe, besimi, rrace, ideje.

Duke u nisur nga emri, disa thonë se Noc Rroku është një malësor nga Mirdita ose nga Puka, i cili, në Tiranë zbarkoi me tren, me valixhe druri në dorë, sy të zgurdulluar në ballë, zemrën që i rrihte fort në gjoks.

Ka të tjerë që thonë se Noci erdhi në Shqipëri para shumë shekujve, nga Skocia, me kalë.

Janë të gjitha rrena.

I madhi Noc Rroku është shqiptar denbabaden. Shkëlqesia e Tij Noc Rroku është prezent në çdo zgëq të Atdhjeut tonë të çuditshëm që në Europë është dhe në Europë pret të futet. Kudo. Në ara të pambjella, serra të pambuluara, fabrika bosh, uzina kot, kantiere të zbrazur, zyra fabtazma, komitete hajdutësh, kongrese shterpë, mbledhje pa bukë, promuovime me qofte dhe të vjella, qoka me të ngrëna e të pira. Kudo ku vritet koha, merren rroga, bëhen ndere, këmbehen favore. Ku Nocit i këndojnë këngë. Rrokut i thurin bejte. Për nder të Tij shtrojnë dreka, darka, gostira, me gjithë të mirat.

Noc Rroku jeton mirë. Rri të shumtën e kohës në errësirë. Në dritë del rrallë e për mallë.

Lexo edhe :  Rroftë Trump, poshtë Kushner!

Noc Rroku ka kaluar fëmijëri të vështirë. Mezi orientohet nëpër dallgët e jetës, i shkreti. Me kalimin e viteve erdhi një moshë, rinia, kur, si gjithë Nocat, i plasi cipa, dhe s’u përmbajt. U vërsul si i marrë nëpër guva, zgavra, shpella, burime, ujra, çdo boshllëk që i doli përpara.

Në moshë të pjekur, Noc Rroku i njeriut, njësoj si luani i xhunglës, të shumtën e kohës fle gjumë. Çohet nga gjumi vetëm kur e merr uria ose e djeg etja. Gjatë kohës së pakët që rri zgjuar, del për gjah. Gjatë gjahut, Noc Rroku gjuan gjithçka që lëviz, përpëlitet, s’i zë bytha vend. Më tepër sorkadhe. Pas sorkadhes Noc Rroku lë kokën, vdes.

Ja shqyen mishin dhe ja lëpin kockat sorkadhes pa mëshirë. Kur andej nga dimri i jetës Noc Rroku s’gjuan, s’ha, as lëpin më sorkadhe, Noc Rroku tërhiqet në vetminë e tij të errët meditative-filozofike, dhe ngordh.

Vet Noc Rroku nuk është i bukur, nuk ka sjellje të bukura, rroba të bukura, llafe të bukura.

Të bukura Noc Rroku ka veprat: pshurrjen, qarjen qeshjen, këngën.

Noc Rroku është puntor i madh, llërëpërveshur, i papërtuar, prodhimtar i pashoq. Gjatë inkursioneve nga errësira në errësirë Noc Rroku sjell në dritë miliona si vetja, prej të cilëve, fatmirësisht, mezi mbetet 1.

Hyr e dil nëpër guva e shpella, andej nga vjeshta e jetës, Noc Rroku zë e ankohet, ngathtësohet, bën naze, mezi ngrihet nga vëndi. Thotë se nuk është mirë me shëndet, ka nevojë për hyzmet. Po edhe kur ja bëjnë hyzmeret, prap ankohet. Megjithatë bën si bën, ngrihet, dhe si legen që është, derdhet, ama me kalimin e kohës më rrallë.

Ka llafe se Noc Rroku, ky luftëtar i shquar në luftën e egër për vazhdimësinë e rracës që përgjatë historisë sonë të lavdishme ka përballuar çdo stuhi të munguar dhe çdo tufan inekzistnt, është ai të cilin në zgjedhjet e afërta populli ynë i pamposhtur dhe i lavdishëm do ja dhurojë hajdutëve, spiunave, llapaqenave, rrenacakëve, që mbahen për demokratë.

Por ka dhe që thonë se Noc Rroku, heroi ynë tekanjoz mbarëkombëtar prej mishi dhe dejesh, të cilin, Zoti që s’është veçse një inxhinier, një poçar, e ka formësu me baltën e vet, është një pasuri e madhe që nuk u takon vetëm budallenjve dhe hajdutëve gjoja demokratë, por të gjithë shqiptarëve. Për këtë meritë të pamohueshme, Noc Rroku nuk meriton më pak se një shtatore gjigande mermeri, mu mbi Dajt./kb

Të fundit

Rikthehen reshjet e shiut, njihuni me parashikimin e motit për javën e ardhshme

Javën e ardhsme, pritet që vendi ynë të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme, me mbizotërim të motit...

Më pak shpendë në Ohër e Prespë, shkak ngrohja globale

Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera ka një rënie të numrit të shpendëve në ujërat e Parkut Kombëtar të Prespës dhe Liqenit të...

Adoleshentë me cigare elektronike, mjekët: Është shtuar konsumi

Konsumimi i cigareve elektronike ka shënuar një rritje të ndjeshme vitet e fundit, sidomos tek adoleshentët. Sipas specialistëve ky fenomen është kthyer në shqetësues,...

Rama nga Korça: Do të hapim qendrën e parë turistike të skive në vend

Kryeministri Edi Rama është shprehur përmes një videoje në rrjetet sociale se ka ardhur koha për qendrën e parë turistike të skive në Shqipëri....

Ndërhyrje e rrallë tek pacientja 24-vjeçare me pajisje të avancuara te Neurokirurgjia

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë të ditur sot se ekipi i mjekëve në repartin e neurokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore...

Lajme të tjera

Web TV