Deputetët do t’i rikthehen jetës parlamentare këtë të hënë në orën 17:00.
Ky është sesioni i fundit për këtë legjislaturë të dhjetë, e cila do të vijojë punimet deri në mars, për t’ia lënë më pas vendin përgatitjeve për votimet e 11 majit që do të zgjedhin Parlamentin e ri.
Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës, e cila implementohet për herë të parë në zgjedhje janë sfida e parë për deputetët.
PD e PS duhet të bashkojnë votat për disa ndryshime.
Me propozim të KQZ, dy ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë të bëjnë me afrimin e afateve të regjistrimit, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe të shpërndahet te emigrantët që do të votojnë me postë.
Ndryshimi tjetër është ai që kërkon të specifikojë në ligjin zgjedhor, se për këto zgjedhje, emigrantët nuk do të kenë asnjë kosto, pasi njëjtë si dërgimi i fletës së votimit, edhe marrja e saj do të bëhet me buxhetin e shtetit.
PS kërkon ndryshimin e kodit për të regjistruar më shpejt kandidatët për deputetë për t’i dhënë mundësinë KQZ të prodhojë më shpejt fletët e votimit dhe t’ia nisë diasporës.
Nga ana tjetër PD kërkon që qytetarët që kanë dokumente të skaduara, të votojnë me dokumentet e huaja që kanë./k.k