Dallgë apo cunami? Misteri që përditë do të zbulojmë me Presidentin Trump

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Alba Malltezi

Presidenti Donald Trump mori për të dytën herë Shtëpinë e Bardhë kundër çdo parashikimi e duke bërë të kundërtën e asaj që në një shoqëri demokratike një individ pritet të bëjë: Respektimin e rregullave!

Në fjalimin e tij përpara botës globale u duk se si një dallgë gjigande, e veçantë, e paparë dhe e padëgjuar në historinë e dekadave, u përplas mbi glob. Disa e konsideruan një cunami, të tjerë, një ndryshim të mirëpritur, por e sigurtë, do të mbetet një mister derisa të zbulohet ditë pas dite me veprimet dhe pasojat që do të ketë.

Me bosët e teknologjisë dixhitale në radhën e parë, Trump tejkaloi dhe vetveten duke premtuar të realizojë atë që ka thënë e duke thënë edhe gjëra që nuk i kishte premtuar më parë, si Gjirin e Amerikës në vend të Gjirit të Meksikës, apo Panamanë.

Shumë analistë ndërkombëtarë shpallin një fazë të re të kapitalizmit: Kapitalizmin pa rregulla, të çliruar nga burokracia dhe ligjet që Demokracia ka diktuar deri në kohët tona. Ata vlerësojnë se liria amerikane me Donald Trump arrin në nivelin e një lirie absolute sa i takon krijimtarisë së saj, ashtu siç po projektohet dhe liria e rrjeteve sociale.

Dallga apo cunami “Trump” po shkakton shqetësime dhe entuziazëm njëkohësisht, ashtu siç kanë shkaktuar përherë në historinë njerëzore individë më të fortë se ligjet që mbajnë shoqërinë. Por, a mund të ndryshojë një dallgë, sado e madhe, gjigande dhe e fortë të jetë, detin e tërë?

Ky është basti më i madh për të gjithë, por deri këtu nuk u arrit aq papritur.

Atëherë cilat janë arsyet që amerikanët, banorët e shtetit që personifikon harmoninë dhe demokracinë në formën më të perfeksionuar që një shoqëri e lirë kapitaliste mund të realizojë, ja lejuan këtë “luks” Doland Trump?

Demokratët amerikanë prej dekadash mbanin flamurin e asaj pjese politike e cila shqetësohej për të drejtat e njeriut, për njerëzit e shtresës së mesme dhe të brishtët, për barazi, duke vendosur njeriun dhe vlerat e tij në piedestal. Por me kalimin e viteve, amerikanët, ashtu si dhe europianët me të majtën progresiste që lëngon, ndjenë se për ta kishte gjithnjë e më pak barazi e mirëqënie, ndërsa elita që premtonte dhe luftonte për t’i përfaqësuar, pasurohej sa më s’ka. Erdhi një pikë kur konservatorët Republikanë dhe Demokratët, nuk kishin më shumë dallim në vepra, por vetëm me fjalë. Ashtu si nuk kishte më dallim mirëqënia e tyre në krahasim me mirëqënien e konservatorëve që haptazi deklarohen “të dashuruar me paranë”.

Lexo edhe :  ‘Shkrehja’ e PD, pse demokratët ndjehen në turp që kanë Berishën kryetar

Pse e majta botërore po u shkakton një përzierje të stomakut, një intolerancë alergjike ndjekësve tradicionalë? Një nga arsyet kryesore është hipokrizia e elitave të majta, të cilat, sa herë janë në pushtet, ndikohen dhe aplikojnë me të njëjtin zell e pasion lehtësime për të pasurit dhe bëhen mish e thua me ta. Duket se pasuria e shpalosur me vila të stilit “hollivudian”, jahte komode, veshje e ora luksi, pushime e verëra të mira, është një “djall” që josh të majtët njësoj si konservatorët anembanë. Po cili është ndryshimi? Se konservatorët nuk kanë nevojë të fshehin asgjë nga sa kanë, dëshirojnë dhe janë, ndërsa progresistët duhet të bëjnë akrobacira për t’u dukur ndryshe nga sa dëshirojnë dhe janë! Një progresist veshur me kashmir edhe pse i zgjat dorën një të pastrehu amerikan, vazhdon të mbetet një progresist i veshur ngrohtë me kashmir, gjithësesi.

Duket se rubinetet e vaskat prej floriri të Donald Trump nuk tmerrojnë më amerikanët më shumë se rrogat marramendëse, privilegjet, luksi i elitës së majtë. Përkundrazi. Ata ndjehen të tradhëtuar pikërisht nga ata, që me kalimin e viteve në vend të modestisë së jetës dhe të ideve të luftës së baballarëve të tyre, u ndjenë e vazhdojnë të ndjehen superiorë të një morali që për shumicën e njerëzve, duket se nuk e kanë. Emigrantët, punëtorët e fabrikave dhe të industrive gjetën në fjalët e Trump atë që ata me sa duket duan prej vitesh: shfarosjen e emigrantëve të tjerë ilegalë dhe sigurinë e vendit të punës të pakërcënuar nga rregullat green të progresistëve.

Mendohet se politikanët njihen mirë në vende të vogla, si Shqipëria për shembull, ku kushdo në një mënyrë apo tjetër njeh cilindo, me pasuri e katandi. “U bë ky, e u bë kjo…” kanë në bazë të dhëna e informacione të pashkruara popullore që vështirë ndokush i shpëton.  Por zhvillimet e fundit në SHBA, Europë, përgënjeshtrojnë edhe këtë: Askush nuk mund të shitet ndryshe nga ç’është, ndoshta për pak kohë, por e sigurtë, jo gjatë.

A do ta ndryshojë dallga “Trump” detin e tërë? Është një shprehje japoneze që thotë: “Dallga është pjesë e detit, por deti i tërë, nuk është kurrë vetëm një dallgë”.

Punë të mbarë President Doland Trump!/e.t

Të fundit

Donald Trump: Do të vendosim tarifa për produktet e Bashkimit Evropian

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar sërish se do të vendosë tarifa ndaj produkteve nga Bashkimi Evropian, duke e...

“Telenovela” me emigrantët/ MB e Italisë: Do vazhdojmë t’i dërgojmë në Shqipëri

“Lidhur me projektin e Shqipërisë, qeveria do ta vazhdojë atë. Do të çohet përpara”. Kështu bëjnë të ditur burime nga Ministria e Brendshme e...

Proda: Cilido që cenon imazhin e Policisë do të largohet menjëherë nga radhët e saj

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me drejtorët e Departamenteve të Policisë Kriminale, Rendit dhe Sigurisë Publike, si dhe të...

Akuzat e Ramës/ Berisha reagon nga Gjermania: PS alternativa e sharjes, PD e ndryshimit

Kreu i PD Sali Berisha ka reaguar nga Gjermani, ku ndodhet me leje të veçante nga Prokuroria e Posaçme, në lidhje me deklaratat e...

E rëndë në Lushnje! 20-vjeçarja hidhet nga një pallat, ndërron jetë në vend

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në qytetin e Lushnjës, ku një 20-vjeçare është hedhur nga një pallat, duke gjetur kështu...

Lajme të tjera

Web TV