Kryeprokurori i GJNP-së kërkon urdhër arreste për udhëheqësit talibanë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) tha se po kërkon që të lëshohen fletarrestime ndaj udhëheqësve të lartë talibanë në Afganistan lidhur me përndjekjen e grave, që është krim kundër njerëzimit.

Karim Khan tha se ka arsye të bazuara për të dyshuar se udhëheqësi suprem, Haibatullah Akhundzada, dhe shefi i drejtësisë, Abdul Hakim Haqqani “kanë përgjegjësi kriminale për krimin kundër njerëzimit të përndjekjes mbi baza gjinore”.

Khan tha se gratë dhe vajzat afgane, por edhe komuniteti LGBTQ, po përballen “me përndjekje të paprecedent, të paarsyeshme dhe të vazhdueshme” nga talibanët.

“Veprimi ynë sinjalizon se status quo-ja për gratë dhe vajzat në Afganistan është e papranueshme”, shtoi Khan.

Gjykatësit e GJNP-së tani do ta shqyrtojnë kërkesën e Khanit para se të vendosin nëse do të lëshojnë fletarrestime, proces që mund të marrë javë apo muaj kohë.

Gjykata, me seli në Hagë, është themeluar për të vendosur për krimet më të tmerrshme në botë, sikurse janë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Ky institucion nuk ka mekanizma për zbatimin e vendimeve dhe mbështetet te 125 shtetet anëtare që të zbatojnë fletarrestimet.

Teorikisht, kjo nënkupton që kushdo që është subjekt i një fletarrestimi të lëshuar nga GJNP-ja nuk mund të udhëtojë në një vend anëtar nga frika se mund të arrestohet.

Khan paralajmëroi se së shpejti do të dërgojë edhe kërkesa të tjera për të lëshuar fletarrestime edhe për zyrtarë të tjerë talibanë.
Kryeprokurori tha se edhe krime të tjera kundër njerëzimit po kryhen, përveç përndjekjes.

“Rezistenca apo kundërshtimi i perceptuar ndaj talibanëve ishte dhe është shtypur brutalisht përmes kryerjes së krimeve, përfshirë vrasjen, burgosjen, torturën, përdhunimin dhe forma të tjera të dhunës seksuale, zhdukjen me forcë dhe akteve të tjera çnjerëzore”, tha ai.

Lexo edhe :  Kriza teknike për ChatGPT, mijëra njerëz raportojnë ndërprerje të papritur

Pasi u rikthyen në pushtet në gusht të vitit 2021, talibanët u zotuan se nuk do të aplikonin politika të ashpra sikurse herën e parë kur ishin në pushtet nga viti 1996-2001. Por, shumë shpejt ata vendosën kufizime ndaj grave dhe vajzave dhe Kombet e Bashkuara kanë thënë se kjo përbën “aparteid gjinor”.
Në bazë të interpretimit të talibanëve të Ligjit islamik të Sheriatit, që zbatohet nga Akhundzada, grave dhe vajzave u janë vendosur kufizime të ashpra ndaj të drejtave të tyre.

Talibanët ua kanë ndaluar vajzave shkollimin e mesëm dhe grave ua kanë ndaluar vijimin e arsimit universitar. Autoritetet po ashtu kanë vendosur kufizime sa i përket punësimit të grave në organizata joqeveritare dhe në sektorin publik.

Sallonet e bukurisë janë mbyllur, sikurse edhe palestrat dhe banjat, teksa grave u ndalohet që të vizitojnë parqet publike dhe nuk iu lejohet të udhëtojnë në distanca të gjata pa shoqërimin e një mashkulli.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar kanë dënuar këto kufizime, duke thënë se këto vendime janë arsye kryesore pse shtetet nuk i njohin zyrtarisht talibanët si udhëheqës të Afganistanit.

Talibanët vazhdimisht hedhin poshtë kritikat ndërkombëtare për politikat e tyre, duke thënë se qytetarët kanë të gjitha të drejtat sipas Ligjit të Sheriatit./K.K

Të fundit

Pse po i mënjanon Berisha krerët e degëve të PD?

Nga Ylli Pata Kjo qarkore, është njëjtë siç e gjithë retorika që bën Sali Berisha prej 2021-shit kur u shpall...

“Nëse jeni çift mund të debatoni…”/ Horoskopi për 23-29 janar 2025: Lërini ndjenjat të…

Dashi Këtë javë dashuria ju sfidon të gjeni një ekuilibër mes pasionit dhe durimit. Nëse jeni çift, mund të ndiheni të prirur të debatoni për...

Zgjedhjet e 11 majit, juristja: Bardhi, Tabaku, Gjekmarkaj jashtë listës së Berishës!

Juristja Brisida Gjikondi u shpreh se shqiptarët e diasporës kanë treguar një interes të lartë me rreth 60,000 aplikime deri më tani. Sipas saj,...

Çfarë ndodhi? Egli shpërthen në lot: Dëgjova diçka që është shumë rëndë…

Para pak minutash, Egli Tako ka qenë duke qarë në krevat. Afër i ka ndejtur vetëm Loredana, e cila e ka këshilluar që ti marr...

Investimet strategjike, ja cilët janë 6 sektorët që favorizohen dhe kushtet për secilin

Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) listoi në një publikim të fundit 6 sektorët kryesore që trajtohen si strategjikë në vend ku investitorët...

Lajme të tjera

Web TV