Edukatorja që dhunoi 3-vjeçarin në kopshtin privat ‘Gledis’ në Astir është ende në kërkim. Por, Policia e Tiranës njofton se ka vënë në hetim bashkëshortin e edukatores, pasi akuzohet se ka kërcënuar babanë e të miturit.
Ishte vetë babai i të miturit, i cili në një intervistë televizive deklaroi se ka marrë kërcënime që të mos bënte kallëzim në polici për dhunën që edukatorja Rudina Gërdani kishte ushtruar ndaj të birit.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 proceduan në gjendje të lirë shtetasin I. G., 63 vjeç (bashkëshorti i shtetases Rudina Gërdani, e shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në kopshtin ku punonte si edukatore). Procedimi nisi pasi dyshohet se nëpërmjet telefonit ky shtetas ka kanosur shtetasin L. Rr (babai i të miturit)”, njofton policia.
Familjarët kanë bërë kallëzim në polici, pasi kanë parë në trupin e djalit të tyre shenjat e dhunës. Episodin e dhunës i ati e ka ndarë edhe me pronarin e kopshtit dhe më pas përmes kamerave të sigurisë është konfirmuar se edukatorja ka ushtruar dhunë. 3-vjeçari, sipas familjes, kishte të paktën 3 muaj që shkonte rregullisht në këtë kopsht./E.T