Të lidhur nga duart me zinxhirë dhe në një avion ushtarak. Kështu ka nisur fushata agresive e presidentit amerikan, Donald Trump, për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm, që kanë kryer krime në Shtetet e Bashkuara ose në vendin e tyre të origjinës.
“Siç premtoi, presidenti Donald Trump, po i dërgon një mesazh të fortë botës: kush hynë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara do të përballet me pasoja të rënda”, tha Shtëpia e Bardhë.
Imazhi dramatik është publikuar në rrjete sociale në fakt nga vetë Shtëpia e Bardhë duke konfirmuar se fluturimet me dëbimet e emigrantëve kanë nisur tashmë. Bëhet me dije se autoritetet amerikane kanë arrestuar më shumë se 538 emigrantë, ku qindra prej tyre janë riatdhesuar tashmë përmes fluturimeve të mundësuara nga avionët e ushtrisë.
Operacioni për dëbimin masiv nisi vetëm pak ditë pasi presidenti Trump firmosi një urdhër ekzekutiv për shpalljen e gjendjes së emergjencës në kufirin me Meksikën dhe kërkoi plane konkrete për të luftuar ata që i quajti “emigrantë kriminelë”.
Gjithashtu ka urdhëruar dërgimin e deri në 10 mijë trupave ushtarake për të mbrojtur kufirin jugor nga ajo që e konsideron “një pushtim nga refugjatët”. Media Fox News, raporton se agjencia federale për kufirin dhe emigracionin në SHBA, ka kryer arrestime të ndryshme të profilit të lartë, veçanërisht në zonën e Bostonit. /e.t